Page 1 of 1

Alcani i pamundur,Lici libero

Posted: Wed, 06 Apr 2005 , 13:06
by piero
Hallet për stafin drejtues të Vllaznisë nuk paskan të sosur. Pas mungesave të dy titullarëve për ndeshjen me Dinamon, pritej që në sfidën me Tiranën të gjithë lojtarët të ishin të gatshëm. Por as këtë radhë nuk do të ndodhë kjo gjë. Fillimisht ishte Kraja ai që do të vinte në alarm trajnerin Medja, pasi është mësuar që kishte tre kartonë të verdhë. Një mungesë e tillë e ka detyruar atë të sajonte një mbrojtje sërish me Licin stoper. Në njëfarë mënyre, kjo u zgjidh, por dje ka ardhur edhe lajmi i dytë i keq. Alcani, mbrojtësi tjetër i shkodranëve, nuk është në gjendje të luajë sot kundër bardhebluve. Dëmtimi që ka pësuar gjatë ndeshjes me Dinamon ka rezultuar më i rëndë sesa dukej dhe, për pasojë, lezhjani nuk do të mund të luajë në këtë takim. Bëhet fjalë për disa shqetësime të muskujve të pjesës së sipërme të kofshës. Duke qenë kështu, trajneri Medja, nga sa është parë edhe në stërvitjen e djeshme, është detyruar ta vendosë kapitenin Lici në rolin e "liberos". Para tij do të jetë Teli, ndërsa në krahun tjetër Doçi spostohet nga mesfusha. Një e re tjetër e formacionit të sotëm të Vllaznisë do të jetë mosaktivizmi i brazilianit Junior nga ana e trajnerit Medja. Në vend të tij, kreu i stolit shkodran ka vendosur të aktivizojë që nga minuta e parë Arsen Beqirin. I riu shkodran madje pritet të luajë në një pozicion disi të habitshëm për të gjithë, atë të mesfushorit të avancuar pas dyshes sulmuese Sinani?Abilio.