Tirana le per ne Shkoder kualifikimin
Posted: Thu, 07 Apr 2005 , 12:02
Tirana, në takimin e parë të kupës, mposht Vllazninë me rezultatin minimal 1-0, duke e lënë të hapur kualifikimin për në finale. Dje, në "Qemal Stafa", bardheblutë nuk mundën dot të shënonin më shumë se një gol, kështu që duhet të presin edhe ndeshjen tjetër për të shpresuar te finalja e kupës. Ndërsa Vllaznia, ndonëse ka humbur në kryeqytet, pas ndeshjes ka mbetur disi më e kënaqur, duke pasur parasysh epërsinë e fushës në përballjen tjetër. Në fakt, takimi i djeshëm ka pasur dy anë të ndryshme: një pjesë të parë me shumë raste dhe më e fortë nga të dyja skuadrat dhe një pjesë të dytë kryesisht e dobët. Kryeqytetasit, që ndodhen në krye të tabelës së klasifikimit, gjatë pjesës së parë krijuan shumë më tepër raste, megjithatë në fund arritën ta përfundonin ndeshjen në avantazh të një goli. Fjodor Xhafa, pak minuta para përfundimit të takimit, merr një top të saktë nga Bulku dhe konkretizon me sukses aksionin e bardhebluve. Gjatë tërë 45-minutëshit të parë të këtij takimi janë parë në fushë dy skuadra kërkuese dhe të motivuara për ta fituar ndeshjen. Jo vetëm Tirana, por edhe Vllaznia ka pasur raste të pastra për shënim. Megjithatë, loja në këtë pjesë ka qenë pak a shumë e pëlqyeshme dhe me emocione. Të dyja skuadrat organizuan aksione model dhe herë tregohej e rrezikshme Tirana e herë Vllaznia. Djemtë e Starovës patën njëfarë epërsie dhe për këtë u shpërblyen me golin e vetëm të takimit. Pra, pjesa e dytë nuk solli asnjë ndryshim, por, përkundrazi, në këtë 45-minutësh loja e të dyja skuadrave ra ndjeshëm. Kryesuesit e kampionatit, në fakt patën më shumë mundësi për ta dyfishuar rezultatin, madje humbën edhe një 11-metërsh. Vllaznia u përpoq të bënte ndonjë lëvizje në mesfushë, për të shpresuar te barazimi dhe deri në fund e kërkoi golin, por pa e vënë shumë në vështirësi Nallbanin. Me e rrezikuar edhe në këtë pjesë të dytë qe porta shkodrane. Megjithatë, pas fërshëllimës së fundit të Jankut, kampionët në fuqi u largua disi të pakënaqur për shkak se nuk mundën dot ta siguronin kualifikimin që në takimin e parë, ashtu siç e kishin planifikuar para ndeshjes. Si përfundim, Vllaznia dhe Tirana kanë menduar ta zgjidhin çështjen e kualifikimit në ndeshjen tjetër. Në "Loro Boriçi", një prej dy skuadrave që i kanë dhënë tonin futbollit shqiptar do të presë një biletë për në finalen e Kupës së Shqipërisë. Deklaruan... Sulejman Starova, trajner i Tiranës: "Një fitore minimale, që e lë kualifikimin të hapur për ndeshjen tjetër. Po të kishim fituar me rezultat 2-0 mund ta kishim më të lehtë në Shkodër. Megjithatë, loja jonë në takimin e sotëm pati anë të mira dhe anë negative. Në pjesën e parë ishim më kërkues dhe luajtëm përgjithësisht mirë. Kurse në pjesën e dytë ekipi pati njëfarë rënieje. U vunë re shenja lodhjeje pas minutës së 50-të tëtakimit. Kështu nuk mundëm dot të shënonim golin e dytë të ndeshjes. Megjithatë, edhe fitorja 1-0 është në anën tonë, kështu që duhet presim ndeshjen tjetër për të shpresuar te kualifikimi." Agim Medja, trajner i Vllaznisë: "Parashikonim një ndeshje më të fortë, duke qenë se përballë kishim Tiranën, një skuadër me mjaft elementë cilësorë. Por nuk ndodhi kështu, ose më mirë vetëm pjesa e parë ishte me nivel. Ne mund të kishim shënuar të paktën një gol në këtë pjesë, pasi na u krijuan mundësitë, por nuk arritëm dot. Në pjesën e dytë nuk luajtëm mirë, pasi duhet të marrim parasysh faktin që në përbërje kemi disa lojtarë të rinj, pa eksperiencën e duhur. Tashmë na mbetet të presim ndeshjen e kthimit të kupës, e cila do të luhet në Shkodër. Sigurisht që do të kërkojmë kualifikimin, duke qenë se edhe nga rezultati i ndeshjes së parë çdo gjë është e hapur." Të veçanta... - Në tribunën "vip" ishin të pranishëm disa nga donatorët e Tiranës, si dhe presidenti i Vllaznisë. - Një ndeshje mes dy prej skuadrave të mëdha të futbollit tonë, për habi, nuk solli shumë tifozë në stadium. - Në tribunën "vip" nuk mungonin politikanë të ndryshëm, midis të cilëve ishte edhe kreu i KESH-it, Harasani, i cili erdhi për të parë pjesën e dytë. - Muka ia dorëzoi Sinës shiritin e kapitenit. - Behari është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, që i solli më pas të kuqen në sekondat e fundit të takimit.