Kampionati Anglez

Ketu mund te diskutoni mbi kampionatet e huaja si kamponati Italian,Gjerman,Anglez, Spanjoll, etj.
Post Reply
User avatar
GoL
Tifoz
Tifoz
Posts: 92
Joined: Sun, 05 Dec 2004 , 15:11
Location: Shkoder
Contact:

Kampionati Anglez

Post by GoL » Tue, 14 Dec 2004 , 22:17

Ketu do te paraqitet ecuria e kampionatit anglez.

User avatar
GoL
Tifoz
Tifoz
Posts: 92
Joined: Sun, 05 Dec 2004 , 15:11
Location: Shkoder
Contact:

Post by GoL » Tue, 14 Dec 2004 , 22:18

rezultatet

Fulham 1-1 Man. United
Arsenal 2-2 Chelsea
Villa 1-2 Birmingham
Palace 0-0 Blackburn
Man. City 0-1 Tottenham
Newcastle 1-1 Portsmouth
Norwich 3-2 Bolton
Southampton 2-2 Middlesbrough
West Brom 0-1 Charlton
Everton 1-0 Liverpool

Renditja

1 Chelsea 17 12 4 1 33 8 40
2 Everton 17 11 3 3 21 14 36
3 Arsenal 17 10 5 2 44 22 35
4 Man. United 17 8 7 2 23 11 31
5 Middlesbrough 17 8 5 4 29 22 29
6 Villa 17 6 7 4 22 19 25
7 Liverpool 16 7 3 6 24 18 24
8 Charlton 17 7 3 7 19 27 24
9 Bolton 17 6 5 6 26 25 23
10 Portsmouth 16 6 4 6 22 23 22
11 Tottenham 17 6 4 7 16 17 22
12 Newcastle 17 5 6 6 28 32 21
13 Man. City 17 5 5 7 21 18 20
14 Fulham 17 5 3 9 19 28 18
15 Birmingham 17 3 8 6 14 19 17
16 Norwich 17 2 9 6 17 28 15
17 Palace 17 3 5 9 17 24 14
18 Blackburn 17 2 8 7 16 30 14
19 Southampton 17 2 7 8 17 26 13
20 West Brom 17 1 7 9 15 32 10

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Fri, 25 Mar 2005 , 11:49

Klubi anglez ka deklaruar se nuk do të ketë rritje pagash për lojtarët e tij në sezonin e ardhshëm

Mançesteri ul shpenzimet financiare




Klubi më i pasur në botë, Mançester Junajtid, ka ndër mend të ulë shpenzimet e klubit si pasojë e një sezoni të dështuar në aspektin financiar. Klubi ka "paralajmëruar" lojtarët e tij se në ditët e ardhshme, nuk do të ketë rritje kontrate për asnjë nga futbollistët. "Djajtë e kuq" kanë pasur një rënie prej 54 për qind të fitimeve të tyre, pas eliminimit në çerekfinalet e Championsit nga skuadra e Milanit dhe flitet për një largim të mundshëm të miliarderit amerikan, Malkom Glazer, i cili është aksioneri kryesor në klub. Humbja në shifra prej 12.4 milionë paundësh ishte pasojë e disa kontratave televizive të klubit, të cilat pësuan një rënie pas eliminimit në Champions dhe dështimit në kampionat. Megjithatë, sezonin e kaluar, Mançesteri pati një rritje në buxhet, duke vendosur një kufi financiar në shpenzimet e klubit. "Disiplina financiare është vitale dhe shumë e rëndësishme për të ruajtur stabilitetin dhe forcën financiare të klubit", - deklaroi drejtori ekzekutiv, Roi Gardner. Klubi anglez u shpreh se nuk do të ulë pagat vjetore të lojtarëve, duke shpjeguar: "Të ulësh pagat e lojtarëve, nuk është një lëvizje e zgjuar, duke qenë se klubet e tjera rivale në Europë do të ishin të gatshme të hidheshin në sulm për to." Në këtë sezon, për Junajtidin ka pasur disa rritje pagash, ku bie në sy veçanërisht ajo e holandezit Rud Van Nistëlroi, i cili e rinovoi kontratën e tij me Mançesterin, duke përfituar një rritje prej 2,6 milionë paundësh të kontratës së tij të mëparshme. Kontrata e uellsianit Rajan Gigs do të rinovohet në fund të sezonit, por pa pasur ndonjë ndryshim financiar. Drejtori i financës, Devit Gill, u shpreh se Gigsit i duhet të marrë parasysh që klubi duhet t'i mbajë shpenzimet nën kontroll, duke parë deficitin e këtij sezoni, ku skuadra nuk ka fituar asgjë. "Gigsi duhet të kënaqet me kontratën e tij aktuale dhe unë besoj se do të biem dakort me të. Ne dëshirojmë që ai të qëndrojë akoma në "Old Traford". Përsa u përket kontratave të lojtarëve të rinj, ato do të bazohen mbi performancën e tyre. Po përpiqemi të ulim shpenzimet në klub, prandaj nuk do të ketë më rritje pagash si më parë," - deklaroi Gilli. Mançester Junajtidi shpenzoi 27 milionë paund për të marrë Uejn Runin nga Evertoni, duke e çuar në 60 milionë faturën e shpenzimeve të vitit të kaluar. Gilli u shpreh se nuk mendon që trajneri Aleks Ferguson dëshiron të blejë lojtarë të rinj, përveç një portieri, që të zëvendësojë Roi Kerolin, i cili nuk mendohet ta rinovojë kontratën e tij me "djajtë e kuq". "Tani për tani nuk kemi nevojë për shpenzime të tepërta dhe mendoj se Fergusoni është dakort me këtë. Kemi një skuadër relativisht të re dhe nuk kemi nevojë të zëvendësojmë askënd." Mançesteri ndodhet në vendin e dytë në "Premiership", pas ekipit të Çelsit, i cili ka dominuar merkaton e dy viteve të fundit. Drejtori ekonomik i Junajtidit u shpreh se shpenzimet e blerjes të Uejn Runit, u zëvendësuan nga pagesa e bërë nga ekipi i Lacios, e cila shleu borxhin që i kishte Mançesterit për blerjen e Jap Stamit në 2003-shin.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Fri, 25 Mar 2005 , 11:52

Klubi londinez po përgatitet t'u përgjigjet akuzave të ngritura nga UEFA

Çelsi: Do të mbrohemi ndaj akuzave




Ekipi i Çelsit nuk do të qëndrojë indiferent ndaj akuzave të ngritura nga UEFA për shpifje, si pasojë të deklaratave të bëra nga trajneri Hoze Mourinjo dhe dy pjesëtarëve të stafit të tij. Nëse vërtetohen akuzat e ngritura nga UEFA, mund të jetë fatale për klubin. Çelsi mund të paralajmërohet, të gjobitet ose të përjashtohet nga Liga e Kampioneve. Mourinjo dhe dy pjesëtarët e stafit të tij do të marrin pjesë në seancën disiplinore që do të zhvillohet në Nion të Zvicrës, me ose pa avokatët e tyre. Akuzat konsistojnë në shpifje dhe cënim integriteti. Kjo erdhi si pasojë e akuzave të Mourinjos, të bëra drejt gjyqtarit Anders Frisk, i cili hoqi dorë nga profesioni i tij pas kërcënimeve të marra pas ndeshjes së vajtjes, ndërmjet Barcelonës dhe Çelsit. Si pasojë, UEFA u detyrua të caktonte gjyqtarin Pierluixhi Kolina si arbitër të ndeshjes së kthimit ndërmjet dy skuadrave të sipërpërmendura. Mourinjo u shpreh se nuk ka pse të ndihet fajtor për dorëheqjen e Friskut, sepse ai nuk kishte pasur rol në vendimin e tij për t'u larguar. Me anë të një konference për shtyp, ekipi i Çelsit dhe lojtarët e tij janë shprehur se përkrahin trajnerin e tyre dhe se do të qëndrojnë pranë tij deri në fund. Por të premten, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Didië Drogba, i ka kërkuar falje publike Anders Friskut, duke pranuar një pjesë të fajit dhe duke e "acaruar" më tej situatën ndërmjet UEFA-s dhe Hoze Mourinjos.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Wed, 06 Apr 2005 , 12:26

Drejtuesit e "qymyrxhinjve" kanë gjobitur mesfushorin sherrxhi me një shifër rekord


Njukasëlli gjobit Li Bojerin



Klubi i Njukasëllit ka gjobitur lojtarin e tij, Li Bojer, pas sherrit që pati me shokun e tij të skuadrës, Kieron Dajerin, gjatë ndeshjes së ditës së shtunë, ku ekipi i Njukasëllit u mund nga Aston Vila me rezultatin 3-0. Të dy lojtarët e Njukasëllit u detyruan të dilnin nga fusha e lojës me karton të kuq, pasi u zunë me njëri-tjetrin për shkaqe banale. Gjoba e adresuar për Bojerin ka qenë më e larta në historinë e klubeve angleze. Lojtarit do t'i mbahen nga paga e tij vjetore 469.000 dollarë dhe nuk do të ketë mundësi të luajë për tri ndeshje në Premier Ligë. Ish-lojtari i Lidsit dhe i kombëtares angleze, Li Bojer, u paralajmërua me përjashtim nga klubi i Njukasëllit, për atë që klubi anglez e quajti "një sulm drejt Dajerit". Dajeri i shpëtoi dënimit nga klubi dhe trajneri i tij, Gram Sounes, deklaroi se kartoni i kuq i marrë prej tij, nuk ishte i nevojshëm. Vendimi për të gjobitur Bojerin u mor dje, pas marrjes në pyetje të të dy lojtarëve nga presidenti i skuadrës, Fredi Shephërd, dhe nga trajneri Sounes. "Të dy lojtarët u morën në pyetje rreth incidentit të ditës së shtunë dhe klubi vendosi të gjobisë lojtarin Li Bojer, pasi ishte ai që provokoi incidentin e turpshëm në fushë," - deklaroi Sounesi. Të hënën, të dy lojtarët i shtrënguan dorën njëri-tjetrit përballë kamerave dhe trajneri Sounes konfirmoi qëndrimin e të dyve në ekipin e Njukasëllit.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Wed, 06 Apr 2005 , 12:28

Damien Daf mbron Mourinjon



Mesfushori i ekipit të Çelsit, Damien Daf, i ka dalë në mbrojtje trajnerit të tij, Hoze Mourinjos, pas kritikave të shumta që i janë bërë portugezit në muajt e fundit. Gjatë këtij sezoni, trajneri portugez ka fituar trofeun e "Carling Cup" dhe tashmë ka vënë një dorë mbi kampionatin anglez, por është kritikuar mjaft nga media për sjelljen e tij "arrogante" në ndeshjen me ekipin e Barcelonës. "Trajneri ka sjellë një frymë pozitive në skuadër. Përkrah tij, lojtarët janë përmirësuar shumë. Për një njeri që fiton, nuk duhet të ketë kaq shumë presion. Ai dhe ekipi janë mjaft të qetë për sa kohë do të vazhdojmë të fitojmë. Tashmë çdo ndeshje e luajmë si të ishte një finale", - përfundoi Dafi.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Wed, 06 Apr 2005 , 12:43

Trajneri i Mançesterit kritikon futbollistët e Blekbërnit për sjellje antifutboll në ndeshjen e "Old Traford"-it


Ferguson: Çelsi është kampion




Trajneri i Mançesterit, Aleks Ferguson, ka pranuar se ekipi i tij nuk ka më shpresa për të fituar kampionatin anglez. Pas barazimit me Blekbërnin ditën e shtunë në "Old Traford", trajneri i "djajve të kuq" ka deklaruar se për Mançesterin kampionati tashmë është i humbur. Mançesteri zbriti në vend të tretë të renditjes, me pikë të barabarta me Arsenalin, dhe me 13 pikë diferencë në 7 ndeshje të mbetura nga fundi, shpresat për titull janë shuar plotësisht. Ekipi i Çelsit arriti fitoren e radhës të shtunën ndaj Sauthemptonit, me rezultatin 3-1, duke hedhur një hap të sigurtë drejt titullit. Pas ndeshjes në "Old Traford", Fergusoni deklaroi: "Çelsi praktikisht është shpallur kampion. Tani mund t'i themi lamtumirë titullit, nuk mund të fitohet një kampionat me një paraqitje si kjo e sotmja. Tani duhet të mendojmë për vendin e dytë." Pas ndeshjes, Fergusoni ishte i revoltuar me mënyrën e lojës së ekipit të Blekbërnit dhe me arbitrimin e gjyqtarit Majk Raijli. Sipas tij, lojtarët e Blekbërnit luajtën një futboll të shëmtuar, duke u mbështetur vetëm në vonesën e lojës. "Blekbërni është një ekipi që nuk mund të luash pastër. Ata e ndalonin lojën në çdo mundësi që u jepej. Që në fillim, ata filluan ta ngadalësonin ritmin, duke shkaktuar shumë faulle. Me rivënien e topit në lojë, Bred Fridelit iu desh një "përjetësi" për ta gjuajtur. Ky ishte pikërisht plani i tyre dhe me ndihmën e gjyqtarit ia arritën mjaft mirë qëllimit," - deklaroi Fergusoni. Sipas Fergusonit, gjyqtari duhej të kishte ndërhyrë në shumë raste, ku lojtarët e Blekbërnit e vononin qëllimisht lojën. "Gjyqtari dha vetëm tri minuta shtesë, ndërkohë që në pjesën e dytë u bënë 5 zëvendësime. Eshtë qesharake. Këto gjëra nuk duhet të ndodhin në futboll," - përfundoi 58-vjeçari. Për portierin e Blekbërnit, Bred Fridel, ndeshja e djeshme ishte nga më të vështirat dhe pritjet e pjesës së parë ndaj Uejn Runit dhe Roi Kinit ishin decizive në barazimin e "Old Trafordit". Në pjesën e dytë të takimit, Mançesteri ishte më pak i rrezikshëm në portën kundërshtare dhe nuk mundi të krijonte shumë raste të pastra për shënim. Për këtë fakt, Fergusoni ia vuri fajin lodhjes së lojtarëve nga ndeshjet e luajtura në kombëtaret respektive. "Pjesa e parë ishte e shkëlqyeshme. Ishim të pafat që e goditëm dy herë shtyllën dhe portieri i tyre u tregua fantastik me pritjet e tij ndaj Runit. Në pjesën e parë mund të kishim shënuar më shumë se një gol, por në pjesën e dytë filloi të ndihej lodhja e ndeshjeve ndërkombëtare. Të luash tri ndeshje në 10 ditë, nuk është e lehtë dhe lojtarët nuk kanë mundësi të japin 100% të formës së tyre."

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Sat, 09 Apr 2005 , 11:27

Trajneri i "djajve të kuq" ka pranuar se aktivizimi i holandezit në ndeshjen e Championsit ndaj Milanit, ka qenë një gabim


Ferguson: Van Nistëlroit i duhej më shumë kohë




Trajneri i Mançester Junajtidit, Aleks Ferguson, beson se sulmuesi holandez, Rud Van Nistëlroi, do të rikthehet të shënojë rregullisht për ekipin e tij. Holandezi i "djajve të kuq", në shtatë ndeshjet e fundit, nuk ka arritur akoma ta gjejë rrugën e rrjetës që nga rikthimi i tij, pas dëmtimit në thembrën e majtë. Van Nistëlroi arriti të shënonte për kombëtaren e tij në ndeshjen kundër Armenisë dhe ky ishte goli i vetëm i shënuar nga holandezi, që nga 27 nëntori i vitit të kaluar. Por Sër Aleksi insiston në faktin që tifozët do të shohin shumë shpejt sulmuesin më të mirë që ka pasur ndonjëherë klubi i Mançesterit. "Rudi është një nga golashënuesit më të mirë në qarkullim. Ai është sulmuesi më i mirë që ka luajtur në klubin tonë, kështu që nuk mendoj se do të presim shumë për ta parë të shënojë. Kur një sulmues nuk shënon, goli është i vetmi ilaç për të. Van Nistëlroi është një lojtar i madh dhe një komponent shumë i rëmdësishëm për klubin," - deklaroi 58-vjeçari. Aleks Fergusoni e pranoi gabimin kur deklaroi se aktivizimi i menjëhershëm i Van Nistëlroit në ndeshjen ndaj Milanit, ishte i përshpejtuar. Pas kësaj, gabimi i tij i dytë ishte mosaktivizimi i holandezit në ndeshjen e kthimit në "San Siro": "Atëherë mendova se ia vlente të rrezikoja. Po të shihni golat e tij në Ligën e Kampioneve, do të bindeni se ia vlente ta aktivizoja në atë ndeshje. Ai nuk ishte në 100% dhe kjo na kushtoi eliminimin nga Championsi." Sulmi i Mançesterit ka shënuar 48 gola në këtë sezon, shumë më pak se në dy sezonet e mëparshme. Ky problem u vu re edhe në ndeshjen e javës së kaluar ndaj Blekbërnit. Barazimi pa gola 0-0 shuajti shpresat për t'iu afruar ekipit të Çelsit, i cili tashmë mund të quhet kampion i Anglisë për sezonin futbollistik 2004-2005. Megjithëse rastet e humbura në ndeshjen ndaj Blekbërnit ishin të shumta, trajneri Ferguson hodhi poshtë zërat për një krizë të mundshme në ekip: "Krizë? Nuk mendoj keshtu, në ndeshjen me Blekbërnin treguam se mund të krijojmë shumë raste për gol. Portieri i tyre bëri disa pritje fantastike dhe barazimi është meritë e tij dhe mungesës së fatit për ne. Kriza për ne ishte në fillim të sezonit kur humbëm ndaj Çelsit." Junajtidi e filloi dobët sezonin, duke i lejuar rivalët e Çelsit të shkëputeshin shumë pikë përpara. Paraqitja e mirë në fazën e dytë, ku Mançesteri grumbulloi 50 pikë nga 60 të mundshme, nuk ishte e vlefshme. "Nuk mund të them se kemi gabuar. Çelsi në këtë sezon ka qenë perfekt. Për ekipin e Abramoviçit duhet bërë një përjashtim. Asnjë mbrojtje nuk ka pësuar aq pak gola sa ata. Për ne ka qenë pak zhgënjyes sulmi, i cili ka shënuar vetëm 48 gola. Kemi shpërdoruar mjaft raste për gol. As vetë nuk arrij ta kuptoj, pasi, gjatë gjithë këtyre sezoneve, sulmi ynë ka qenë fantastik, por tani nuk kemi as gjysmën e golave të sezonit të kaluar. Fatmirësisht, gjatë këtyre ndeshjeve mund ta ndryshojmë këtë," - përfundoi Fergusoni.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Sat, 09 Apr 2005 , 11:28

Ouen mendon rikthimin në Liverpul!




Majkëll Ouen ka deklaruar se do të kthehej me shumë kënaqësi në Angli, tek ish-skuadra e tij e Liverpulit. Sulmuesi i Realit të Madridit u shpreh i pakënaqur me rolin e tij tek ekipi spanjoll dhe deklaroi se nuk do të ishte kundër një rikthimi në Angli. Lojtari 25-vjeçar u largua nga "Anfild Road" në fund të verës së kaluar dhe ka luajtur vetëm 12 ndeshje si titullar në Madrid, duke shënuar 10 gola. "A do të kthehesha te Liverpuli? Në qoftë se do të më duhej të lëvizja nga Reali, nuk do të kisha ndonjë gjë kundër. E kam bërë të qartë që nuk e preferoj stolin," - deklaroi Oueni. Sulmuesi anglez ka qenë më në formë se shokët e tij të skuadrës, Ronaldo dhe Raul, të cilët në 24 ndeshje të dy bashkë kanë shënuar vetëm 18 gola. "U largova nga Liverpuli, duke mbajtur raporte të mira me ekipin. Atje kam shumë shokë dhe Anglinë e mendoj si zgjedhjen e parë, nëse do të largohem nga Madridi," - përfundoi Oueni. Xho Kol i ka bërë thirrje ekipit të tij se, nëse do që të fitojë Ligën e Kampioneve, duhet të mundë në këtë edicion Milanin. "Do të ishte një ëndërr në qoftë se do të bënim "tris", duke fituar edhe Championsin. Por edhe në qoftë se do të eliminonim Bajernin, do të na duhet të ndeshemi ndaj Milanit. Mendoj se Milani në këtë sezon është ekipi më i fortë për t'u mundur." Bojeri ka falënderuar tifozerinë e Njukasëllit pas duartrokitjeve të marra në fillim të ndeshjes së djeshme ndaj Sportingut të Lisbonës. Bojeri u zëvendësua nga shoku i tij i skuadrës, Kieron Dajer, dhe takimi mes dy lojtarëve u duartrokit nga publiku i "Seint Xhejms Parkut", në shenjë faljeje ndaj sherrit mes dy lojtarëve të sipërpërmendur. Hidink ka këshilluar ekipin e Çelsit që të mos e lërë jashtë planeve sulmuesin serb Mateja Kezhman, i cili erdhi pikërisht nga ekipi i drejtuar nga Hidinku, PSV-ja. "E njoh mjaft mirë Kezhmanin. Duke e ditur karakterin e tij, kam besim se do të shkëlqejë në Angli. E vetmja gjë që duhet të bëjë Mourinjo, është që t'i japë më shumë rëndësi." Xhilberto është i gatshëm të rinovojë kontratën e tij me klubin e Arsenalit. Brazilianit i skadon kontrata aktuale me klubin londinez në fund të këtij viti dhe vetë ai ka shprehur dëshirën për të qëndruar akoma në "Hajburi". Drejtuesit e klubit thanë: "Duam që Xhilberto të qëndrojë dhe jemi të kënaqur që pranoi të firmoste. Ai është një nga mesfushorët më të mirë në qarkullim." Totenhemi ka konfirmuar qëndrimin e mbrojtësit Ledlei King, i cili refuzoi shumë oferta nga klube të njohura në Europë. "Përderisa ndihem mirë këtu, nuk ka arsye të largohem. Me Totenhemin kemi bërë shumë përparime dhe besoj se në sezonin e ardhshëm do të jemi ndër ekipet e para në Premier Ligë

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Mon, 11 Apr 2005 , 10:28

Ranieri e kërkoi, Mourinjo i dha besim dhe tani Çelsi ka futbollistin e vetëm të kompletuar në Europë

Mbron, krijon dhe shënon: ky është Lampard




Eshtë një kampion i kompletuar. Frenk Lampard vë vulën e tij në Europë. Tashmë cilësitë e tij janë të dukshme për të gjithë. Me dy golat e shënuar në "Stemford Brixh" ndaj Bajernit, ai ka konfirmuar nivelin e tij si lojtar edhe në arenën europiane. Pas ndeshjes me Bajernin, trajneri Magat deklaroi: "E dinim që Lampardi ishte një lojtar i klasit të lartë, por shpresojmë që në Gjermani të mos "shkëlqejë" si sot." Bavarezët shpresojnë akoma në kualifikim dhe të martën, në "Olimpia Stadium" të Mynihut, ata do të kërkojnë ta përmbysin rezultatin 4-2 të ndeshjes së parë. Me rikthimin e Makait, Pizarros dhe mbrojtësit Demikelis, skuadra e drejtuar nga Feliks Magati do të kërkojë me ngulm fitoren 2-0 ose 3-1, për t'u kualifikuar. Bajerni arriti ta shkurtonte diferencën e tre golave në ndeshjen e parë, falë një 11-metërshi mjaft të dyshimtë të fituar nga Mikael Balak, i cili solli mjaft polemika në kampin anglez. Për Magatin, të martën nuk do të jetë e mjaftueshme të shpresojnë që Lampardi të mos shënojë. "Lampardi është një kampion i kompletuar. Ai ka gjithçka që nevojitet në futbollin e sotëm. Ka fizik, cilësi, vazhdimësi dhe shumë nuhatje për gol. Eshtë mjaft i shpejtë në fushë dhe ekzekutimet e tij janë mjeshtërore. Ai luan çdo ndeshje në nivel shumë të lartë dhe arrin t'i japë fitoren ekipit të tij," - përfundoi Magati. Ish-trajneri i Çelsit, Klaudio Ranieri, ishte i pranishëm në "Stemford Brixh" gjatë ndeshjes me Bajernin, për të parë lojtarin që ai e kishte marrë te Çelsi me shumë ngulm. Pas ndeshjes, ai u shpreh: "Në fund të sezonit tim të parë te Çelsi, në 2001-shin, ishte e nevojshme të sillja lojtarë të rinj në ekip. Doja disa të rinj anglezë për të rimëkëmbur Çelsin dhe i kërkova drejtorit ekzekutiv të klubit, Hatçinson, pikërisht Lampardin. Ishte vetëm 23 vjeç dhe kushtonte 18 milionë euro. Frenk Lampard është lojtari që çdo trajner do të dëshironte. Si trajner më ka dhënë shumë kënaqësi... Mëson shpejt dhe mban mend këshillat e marra në momentin e duhur në fushë. Frenk Lampard, 27 vjeç, lindi në Uest Hem më 20 qershor dhe i ati i tij ka qenë trajneri i një skuadre në kategorinë e dytë në Angli. Në moshën 20-vjeçare, ai luante tek ekipi i Uest Hemit dhe pas dy vjetësh u largua nga skuadra e tij, i cilësuar si tradhëtar nga tifozeria vendëse. "Edhe pse e dija që do të më cilësonin si "tradhëtar", doja të luaja për një ekip që donte të fitonte gjithçka. Në fillim, Lampardi e pati të vështirë të zinte një vend si titullar në skuadër, por Ranieri i vuri re shumë shpejt cilësitë e mesfushorit të kombëtares angleze. Pas ndeshjes në "Stemford Brixh", Lampardi deklaroi: "Goli im i dytë me pëlqeu vërtet. Nuk e mbajta dot topin të ulur dhe m'u desh ta goditja fluturimthi, më mirë nuk mund ta kisha gjuajtur. Në Mynih do të luajmë njësoj si në Londër. Me mbrojtje kolektive, kundërsulme dhe duke zhvilluar një lojë të bukur. Dje në ndeshjen ndaj Birmingemit, Lampard luajti ndeshjen e 140-të radhazi në Premier Ligë, duke qenë i dyti lojtar me këtë rekord. Megjithëse Çelsi nuk mundi të merrte më shumë se një barazim, ai krijoi shumë raste për shënim. Në kombëtaren angleze, Lampardi debutoi në 1999-n, në ndeshjen miqësore ndaj Belgjikës. Shkëlqeu në Europianin e 2004-ës dhe ka shënuar 8 gola në 32 ndeshje të luajtura me Anglinë. Lojtari i dytë më i mirë në 2004-n, pas Henrisë, këtë vit ai është favorit për ta fituar çmimin e 2005-ës.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Tue, 12 Apr 2005 , 12:11

Sulmuesi francez refuzon të dorëzohet dhe mendon se Arsenali ka ende shanse në këtë kampionat


Henri: Titulli? I vështirë, jo i pamundur




Sulmuesi i Arsenalit, Tierri Henri, mendon ndalimi i Çelsit për të fituar titullin kampion në Premier Ligë, mund të jetë një kolaps i mahnitshëm e i pabesueshëm, por ai nuk pranon që është dorëzuar akoma. Francezi e ndihmoi skuadrën e tij gjatë asaj fitoreje të vështirë 1-0 që arriti në transfertë ndaj Midëllsbrout dhe kështu arriti ta shkurtonte distancën me 11 pikë, pasi skuadra e Mourinjos nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 me Birmingemin. Kur kanë mbetur dhe 6 takime për t'u zhvilluar, titulli duket se do të prehet në "Stemford Brixh", megjithëse Henri dhe shokët e tij do të luftojnë deri në shpresën më të vogël që do të ekzistojë. "Ekzistojnë akoma disa mundësi për titullin, - tha ai. - Do të provojmë që ta rrëmbejmë nëse mundim. Sigurisht, që të përfundosh i pari, është më shumë se mrekulli, dhe të dytët, do të thotë të bëjmë më të mirën për ne, por psikologjikisht do të na ndihmojë. Çelsi vazhdon serinë e fitoreve, kështu që do jetë e vështirë që të bëjmë më të mirën. Ne nuk jemi duke provuar që të kapim apo të shikojmë Çelsin, por edhe ta përfundojmë sezonin sa më mirë. Përfundimi do të tregojë se çfarë do na sjellë." Henri, që pëlqen pjesën më të madhe të shokëve të ekipit, ishte diçka larg më të mirës së tij në Riversajd, megjithëse tërhiqte lojtarët e Midëllsbrout afër topit e ua bënte jetën më të vështirë vizitorëve. Arsenali ka qenë me fat këto dy javët e fundit, si me Noruiçin dhe Borosin, ku Robert Pires përfitoi nga gabimi i mbrojtjes që nuk e pastroi zonën mirë dhe shënoi atë gol që i dha tri pikë ekipit. Madje pak më vonë ishte portieri Jens Lehman që ndaloi gjuajtjen e Xhimi Floid Haselbankut për barazim. "Kur Xhimi shkoi përballë portierit, unë mendova që ai realizoi, - thekson Henri. - Vetëm po qëndroja, ndërsa të tjerët shpresonin që ai ta humbiste. Ishte diçka në mendjen time që më shtynte të mendoja që ai do të realizonte si zakonisht, por nuk ia arriti. Unë them se ai mendonte që Jensi do të shtrihej dhe do ta mundte. Është e pabesueshme kur je sulmues, sepse shpeshherë, kur ke kohë, e ke më të vështirë të shënosh, fatmirësisht Jensi qëndroi në këmbë. Ndonjëherë fajësojmë sulmuesit, por Jensi bëri më të mirën, pra ai fitoi në këtë rast," - shprehet Henri për mediat.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Tue, 12 Apr 2005 , 12:11

Skocezi: "Drejtuesit e "topçinjve" kanë ndikuar për ta luajtur Kupën në Kardif."


Fergusoni vazhdon polemikat me Arsenalin



Trajneri i Mançester Junajtidit, Aleks Ferguson, ka kritikuar vendimin për ta luajtur ndeshjen e fundjavës për gjysmëfinalet e Kupës së Ligës, në Kardif. Mançesteri do të luajë të shtunën ndaj Njukasëllit, ndërsa Arsenali do të luajë të dielën me Blekbërnin. "Mezi presim gjysmëfinalen, por do të ishte një mundim i tmerrshëm për tifozët që të vijnë në Kardif, që shquhet për mbështetje të Njukasëllit, - tha Fergusoni për radion e klubit. - Është një udhëtim i gjatë, më mirë në Lids. Për vete nuk e kuptoj këtë vendim." Fergusoni tha që Arsenali ka influencuar te federata e futbollit, që gjysmëfinalet të luhen në Kardif këtë vit. "Duket qartë se ishte Arsenali që këmbënguli për këtë, - tha ai. - Ata donin Kardifin sezonin e kaluar, në vend të Vila Parkut." Edhe kapiteni i Arsenalit, Vieira, ka shprehur pakënaqësitë për këtë vendim të marrë, që gjysmëfinalet e kupës të luhen në Milenium Stadium." Unë mendoj se kur i luan të dyja ndeshjet në Kardif, gjysmëfinalen dhe finalen, humbet pak në pasion, - tha Vieira. - Kjo do ta bëjë finalen diçka jo speciale, kështu që nuk jam në favor të kësaj. Një fushë e madhe mund t'i përshtatet stilit tonë, por mendoj se nuk është mirë kur i luan të dyja takimet atje." Mançester Junajtid mban rekordin e fitoreve të kupës, pasi e ka fituar 11 herë, dy më shumë se Arsenali, që është në vend të dytë në listën e të gjitha kohëve. Sipas bastexhinjve anglezë, mundësitë më të mëdha janë që në finale të shkojë Arsenali dhe Mançesteri. Ky trofe do të ishte deri diku një ngushëllim për të dyja ekipet, pasi kanë dështuar në sfidat e tjera

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Wed, 13 Apr 2005 , 16:50

Mbrojtësi pritet ta zgjasë edhe për pesë vjet qëndrimin në Mançester



Ferdinand, gati për kontratën e re




Rio Ferdinand është pranë nënshkrimit të një kontrate të re me Mançester Junajtidin. Mbrojtësi anglez, pasi ka kaluar dy vjet nga kontrata e tij aktuale, është gati ta rinovojë edhe për pesë vjet të tjera kontratën me "Djajtë", para fundit të këtij kampionati. "Unë dua një kontratë të re. Jam i lumtur dhe e ardhmja ime është këtu. Shpresoj të arrij sa më shpejt një marrëveshje," - deklaroi Ferdinandi. Agjenti i mbrojtësit të kombëtares u shpreh: "Gjërat po ecin mirë dhe mendoj se së shpejti do të arrijmë një marrëveshje." Drejtuesit e Mançesterit u shprehën të kënaqur nga dëshira e Ferdinandit për të pasur një kontratë të re me klubin: "Kjo tregon se Rio i di perspektivat tona dhe besoj se do të jetë kapiteni ynë i ri për tri vitet e ardhshme." Saha, jashtë gjysmëfinales së kupës Sulmuesi i Mançesterit, Luis Saha, nuk do të luajë të dielën në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës, kundër Njukasëllit, për shkak të një dëmtimi në kofshë që do ta mbajë francezin dy javë jashtë fushës. Për Mançesterin mund të mungojë edhe Rajan Gigs, i cili nuk ka marrë pjesë në stërvitjen e skuadrës ditën e djeshme. Sulmuesi Saha, ndaj Noruiçit luajti ndeshjen e tij të parë pas dy muajsh pushim, por aktivizimi i tij zgjati vetëm 22 minuta. 26-vjeçari ka luajtur vetëm 7 ndeshje që nga ardhja e tij nga Fulhami në 2004-ën

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Wed, 13 Apr 2005 , 16:50

Mbrojtësi anglez u bën një apel drejtuesve të klubit, duke kërkuar përforcime



Eshli Kol: Arsenalit i duhen "yje"




Mbrojtësi Eshli Kol ka këshilluar drejtuesit e Arsenalit që të marrin në skuadër futbollistë me emër në merkaton e verës. 24-vjeçari deklaroi: "Drejtuesit tani duhet të investojnë dhe ta lënë pas të kaluarën. Ndihesh keq kur sheh Çelsin dhe Mançesterin të bëjnë blerje të mëdha. Unë jam i dashuruar me këtë skuadër dhe për këtë do të isha i lumtur në rast se do të vinin "yje" të futbollit botëror në "Hajburi". Ne kemi të rinj të talentuar në skuadër, por për të fituar, duhet edhe eksperiencë." Çelsi, skuadra që është pranë fitimit të titullit kampion, ka pranuar disa herë se kërkon të marrë në skuadër sezonin e ardhshëm Eshli Kolin. Për një muaj radhazi, në shtypin anglez nuk u shkrua për gjë tjetër, veçse për takimin "imagjinar" ndërmjet Kolit dhe Mourinjos në hollin e një prej hoteleve të Londrës. Por vetë futbollisti nuk ka dashur ta komentojë këtë episod dhe është përqendruar te ndeshja ndaj Blekbërnit në dielën në Kardif, për gjysmëfinalet e Kupës së Ligës, e vetmja veprimtari në të cilën "topçinjtë" janë në lojë. Në gjysmëfinalen tjetër do të ndeshen Njukasëlli dhe Mançesteri. Ky i fundit është rivali kryesor i Arsenalit për fitoren finale. Në lidhje me këtë, Eshli Kol tha: "Në fillim duhet të mundim Blekbërnin dhe do të më pëlqente të ndesheshim me Mançesterin, për ta mundur në finale. Duam të hakmerremi për dy humbjet që kemi pësuar ndaj tij në kampionat."

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Thu, 14 Apr 2005 , 14:37

Gigs: Ndaj Njukasëllit dua të jem



Rajan Gigs nuk ka hequr përfundimisht dorë nga shpresat për të luajtur në dielën ndaj Njukasëllit në ndeshjen e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Ligës. Mesfushori, i cili u dëmtua në 2 prill gjatë ndeshjes ndaj Blekbërnit, duket se mund t'ia dalë mbanë të riaftësohet në një kohë rekord. Mesfushori uellsian u shpreh: "Në rast se gjithçka shkon mirë në këto tri seanca stërvitore që kanë mbetur përpara ndeshjes, mund të jem i gatshëm për trajnerin që nga minuta e parë. Dua të jem me çdo kusht në këtë takim dhe kam marrë në konsideratë edhe mundësinë e fillimit të ndeshjes nga stoli. Dua të kontribuoj edhe unë që skuadra të fitojë të vetmen veprimtari që na ka mbetur në këtë sezon.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Thu, 14 Apr 2005 , 14:37

Kapiteni irlandez akuzon me tone të ashpra shokët e skuadrës, për ecurinë e javëve të fundit në kampionat


Kin: Të luajmë për fanellën e Mançesterit




Kapiteni i Mançesterit, Roi Kin, ka deklaruar se ndeshjet e dobëta që skuadra e tij ka bërë kohët e fundit, kanë ardhur si pasojë e mospërqendrimit. Sipas Kinit, jo të gjithë shokët e skuadrës kanë dhënë 100% të mundësive të tyre. "Ne mund të gjejmë 100 lloj justifikimesh për rezultatet e fundit, por duket se jemi bërë "të sëmurë" pas justifikimeve, - tha irlandezi gjatë një deklarate për televizionin e Mançesterit. - Zakonisht, paraqitjet tona kanë qenë të varfra në lojë dhe nuk kemi bërë asnjëherë aq sa duhej." Kini ka ndjekur nga televizioni humbjen 2-0 të shokëve të tij në Noruiç, ndaj vendit të fundit në renditje. Tani Mançesteri është i përqendruar te Kupa e Ligës, veprimtaria e vetme që "Djajtë" mund të fitojnë në këtë sezon. Për ta bërë diçka të tillë, të besuarit e Fergusonit duhet të fitojnë në gjysmëfinalen që do të zhvillohet në Kardif, të dielën ndaj Njukasëllit. "Eshtë e lehtë t'ua hedhësh fajin të tjerëve, por secili prej nesh në fillim duhet të gjejë defektet që ka në veten e tij, - vazhdoi Roi Kin. - Duhet të pyesim veten përse nuk japim maksimumin për të bërë të lumtur drejtuesit, tifozët dhe trajnerin. Te Mançesteri janë të paktë futbollistët që mund t'i japin një përgjigje kësaj pyetjeje. Kemi përkrahjen e duhur, por na mungon përkushtimi total. Ky është një krim në vetvete për një skuadër si kjo e jona." Mançesteri u eliminua nga Milani, në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve dhe iu desh të hiqte shumë shpejt dorë nga titulli kampion në Angli, i "blinduar" në duart e Çelsit. Edhe ndeshjet e fundit të skuadrës së Fergusonit kanë qenë zhgënjyese, pasi ka fituar vetëm një nga katër ndeshjet e fundit që ka zhvilluar. "Renditja nuk mashtron, rezultatet po ashtu. Pas disa rezultateve të mia në fillim e vitit 2005, kohët e fundit nuk kam bërë aq sa duhet, - vazhdoi deklaratën e tij Roi Kin. - Në çdo ditë të punës sonë, në çdo ndeshje që luajmë, duhet të mendojmë për të mirën e Mançesterit dhe të synojmë vetëm fitore. Kjo është detyra jonë si futbollistë, por duket se kohët e fundit dikush e ka harruar. Nuk ka ndryshim nëse kundërshtari quhet Njukasëll, Noruiç apo Milan, ne duhet të japim gjithmonë 100% të mundësive tona dhe të luajmë për të nderuar fanellën e Mançesterit." Në fund, idhulli i tifozëve të "Old Traford"-it tha: "Në rast se futesh të luash në një ndeshje futbolli dhe mendon për gjëra të tjera, atëherë kundërshtari e ka më të lehtë ta arrijë fitoren. Kjo ka ndodhur kohët e fundit te Mançesteri dhe nuk është më e tolerueshme. Për të fituar një ndeshje, janë disa kushte bazë, të cilat çdo futbollist e ka për detyrë t'i zbatojë."

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Thu, 14 Apr 2005 , 14:38

Ekipi i Çelsit ka eliminuar dy nga pretendentët për fitimin e Championsit, Barcelonën dhe Bajernin e Mynihut

Lampard: E merituam kualifikimin



Mesfushori i ekipit të Çelsit, Frenk Lampard, ka deklaruar se kualifikimi i ekipit të tij për në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, ka qenë plotësisht i merituar. Pas ndeshjes ndaj Bajernit, fantazisti i ekipit të Çelsit u shpreh: "Kualifikimin e fituam me djersën tonë. Vitin që kaloi, njerëzit thoshin se kishim arritur në gjysmëfinale pa djersitur shumë, pasi shorti ishte më i favorshëm. Këtë vit, rruga për në gjysmëfinale ka qenë më e vështira. Kemi arritur të eliminojmë Barcelonën dhe Bajernin, të cilët ishin dy nga pretendentët për të fituar kompeticionin. Çelsi humbi në Mynih me rezultatin 3-2, por arriti të kualifikohej me rezultatin e përgjithshëm 6-5. Lampardi u shpreh se eliminimi i vjetshëm i Çelsit në gjysmëfinale nga ekipi francez i Monakos, kishte shërbyer si mësim për ekipin londinez, edhe pse në gjysmëfinalet e këtij viti ata do të ndeshen me Liverpulin ose me Juventusin. "Humbja e vjetshme në Monako nuk është harruar akoma. Fakti që pësuam dy gola nga një skuadër e reduktuar me 10 futbollistë, ishte një zhgënjim i madh për ne," - deklaroi mesfushori i kombëtres angleze. Lajmi i mirë për Çelsin është rikthimi i Mourinjos në stol, pas pezullimit dyjavor të dhënë nga UEFA. Trajneri portugez mungoi në dy ndeshjet ndaj Bajernit, pasi u shpall fajtor nga UEFA, pas incidentit në "Kamp Nou" me gjyqtarin suedez Anders Frisk. Mourinjo në fillim të ndeshjes ishte në shkallët e tribunës në Mynih, por vazhdimin e saj preferoi ta ndiqte në dhomën e hotelit të tij. Trajneri i fitnesit, Rui Faria, u shpreh: "Mendoj se donte ta ndiqte ndeshjen nga stadiumi, por nuk pati mundësi, pasi media nuk e bënte të mundur këtë gjë. Më vonë ai u kthye në hotel për të parë pjesën e mbetur të takimit." Ekipi i Çelsit kaloi në avantazh me një gol të Frenk Lampardit, i cili kishte shënuar dy herë edhe në ndeshjen e parë në "Stemford Brixh". Për Bajernin ishte Pizarro, autori i golit të barazimit në minutën e 65-të të takimit. Sulmuesi Didië Drogba shuajti shpresat e bavarezëve për t'u kualifikuar, duke shënuar golin e dytë për miqtë. Në dhjetë minutat e mbetura, Bajerni arriti të shënonte dy herë, duke e fituar takimin, por nuk mundi ta përmbyste rezultatin 4-2 të ndeshjes së parë. Mesfushori Xho Kol, pas ndeshjes deklaroi se në gjysmëfinale do të preferonte të ndeshej ndaj Liverpulit. "Do të më pëlqente të kualifikohej Liverpuli. Atmosfera e një gjysmëfinaleje angleze do të ishte e mrekullueshme, për më tepër që shumë nga lojtarët e Liverpulit janë shokët tanë."

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Fri, 22 Apr 2005 , 16:57

Trajneri i Arsenalit i "dorëzon" titullin ekipit të drejtuar nga portugezi Mourinjo

Venger: Çelsi e meriton titullin




Trajneri i ekipit të Arsenalit, Arsen Vengeri, ka deklaruar pas ndeshjes së "Stemford Brixhit", se Çelsi e meriton titullin kampion në këtë sezon. Ekipi i Arsenalit nuk mundi ta ngushtonte diferencën e 11-të pikëve, pasi nuk mundi të merrte më shumë se një barazim ndaj ekipit të drejtuar nga Hoze Mourinjo. Shpresat e Vengerit për të fituar titullin, u shuajtën në mbrëmjen e së mërkurës, ku Arsenali barazoi 0-0 ndaj Çelsit, të cilit i duhen vetëm dy fitore për t'u shpallur kampion i Anglisë, për herë të parë në 50 vitet e fundit. Një fitore ndaj Fulhamit të shtunën dhe një gafë e Arsenalit ndaj Totenhemit, do t'i jepte sigurinë matematikore ekipit të Çelsit. Pas ndeshjes në Londër, trajneri Venger u shpreh: "Çelsi e meriton plotësisht titullin, pasi ka qenë i vazhdueshëm në rezultatet e tij. Kjo është gjëja më e vështirë për t'u arritur në Premier Ligë. E përgëzoj klubin e Abramoviçit, për atë që ka arritur gjatë këtij sezoni. Fakti që barazuam para dy ditësh ndaj tyre, do të thotë që janë kampionët e rinj të Anglisë. Do të duhej një mrekulli që ne të shpalleshim kampionë. Kemi dëshirë t'i fitojmë të gjitha ndeshjet e mbetura, por e dimë mirë që këtë vit nuk do të shpallemi kampionë. Këtë e dinim që para se të fillonte takimi, por për ne ishte e rëndësishme të shpresonim deri në fund." Ndeshja ishte e bukur, edhe pse nuk u shënua asnjë gol dhe ekipet dukeshin të kënaqura me këtë rezultat. Vengeri u shpreh mjaft i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij: "Ishte një ndeshje e bukur. E dinim që do të na duhej t'i merrnim ne iniciativat për të sulmuar dhe Çelsi do të vepronte me kundërsulme. Jam i kënaqur me ekipin, sepse e filluam shumë mirë dhe bëmë një lojë të shkëlqyer. Dëshiroja që të shënonim një gol sa më shpejt dhe ky është i vetmi zhgënjim përsa i përket kësaj ndeshjeje. Kjo do ta kishte detyruar Çelsin të dilte përpara dhe të na lejonte më shumë hapësira. Arrita të merrja një kënaqësi të madhe, pasi luajtëm të barabartë me një nga ekipet më në formë të momentit. Jam i kënaqur me sezonin e zhvilluar, pasi kemi 71 pikë në 33 ndeshje. Çelsi ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm dhe e meriton titullin kampion." Vengeri pranoi se mungesa e Tieri Henrisë, është ndjerë shumë në ndeshjen ndaj Çelsit. Robert Pires, në pesë minutat e para të takimit, ka pasur mundësi të shënonte golin e avantazhit, por topi i gjuajtur prej tij ka kaluar ngjitur me shtyllën e portës së mbrojtur nga Peter Çeh. "Kur topi u mor nga Piresi në zonën e Çelsit, mendova se ishte një gol i sigurtë. Kur pashë topin jashtë, u dëshpërova sepse po të kishim shënuar, loja do të ishte bërë më e hapur", - deklaroi Vengeri. Po të kishte fituar ndaj Arsenalit, ekipi i drejtuar nga Mourinjo do të ishte shpallur automatikisht kampion, por me këtë brazim fansave do t'u duhet të presin edhe për pak kohë. Zv.trajneri i Çelsit, Stiv Klark, pas ndeshjes tha: "Kisha përshtypjen se do të shpalleshim kampionë në këtë ndeshje, por tifozët duhet të tregohen të duruar dhe të presin edhe disa ditë. Trajneri Mourinjo është mjaft i kënaqur. Ky rezultat na lë 11 pikë para Arsenalit dhe na jep shumë siguri për fitimin e titullit. Barazimi ishte rezultati më i drejtë për këtë ndeshje. Ata filluan mirë, por në pjesën e dytë ishim ne ata që dominuam mesfushën dhe krijuam rastet për gol."

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Fri, 22 Apr 2005 , 17:00

Trajneri i Mançesterit kritikon edhe futbollistët e Evertonit për agresivitetin e treguar

Ferguson: Gjyqtari nuk e duroi presionin




Sër Aleks Ferguson, trajneri i Mançesterit, pas ndeshjes së humbur ndaj Evertonit, akuzoi këtë të fundit për ndikimin që pati dhe presionin e bërë ndaj gjyqtarit të takimit. Mançesteri humbi me rezultatin 1-0 dhe trajneri skocez u shpreh i revoltuar nga gjykimi i dobët i gjyqtarit Devid Mojes, pas nxjerrjes me karton të kuq të Geri Nevillit dhe Pol Skolsit. "Mendoj se Evertoni e dinte që gjyqtari ishte shumë i dobët dhe mund të influencohej lehtë. Nuk u vë faj atyre, sepse, nëse të jepet një rast i tillë, sidomos kur luan në fushën tënde, patjetër që do të përfitosh. Që në fillim të takimit, vendimet e gjyqtarit ishin të njëanshme. Kur mendon për kartonin e kuq të Pol Skolsit, për një ndërhyrje të gabuar, por jo të rëndë, të vjen vërtet për të qeshur. Gjithsesi, e përgëzoj Evertonin për këtë fitore. Luajtën një ndeshje të mirë dhe luftuan për çdo top në mesfushë. Ishin vërtet të vështirë për t'u mundur. Rastet e vetme që patëm, i kishim në luftën në ajër dhe Najxhëll Martin tregoi se është një nga portierët më të mirë në Angli. Skolsi pati një mundësi mjaft të mirë për të shënuar gjatë pjesës së parë, por edhe një herë Martini ishte i pakalueshëm. Nuk e di arsyen që e shtyu Nevillin të gjuante topin drejt tifozëve të Evertonit, por në ditët e sotme këto gjëra nuk janë të tolerueshme dhe Geri duhej ta dinte këtë. Gjithmonë do të ketë ngacmime dhe fyerje nga tifozeritë, por Geri nuk duhej ta kishte bërë kurrë një gjë të tillë," - përfundoi Fergusoni. Kjo humbje e ka lënë Mançesterin 4 pikë pas Arsenalit në luftën për vendin e dytë.

piero
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 430
Joined: Mon, 21 Mar 2005 , 12:09
Location: italia
Contact:

Post by piero » Fri, 22 Apr 2005 , 17:00

Benitez "parashikon" të ardhmen




Trajneri i Liverpulit, Rafa Benitez, ka parashikuar se një ditë do të arrinte të fitonte Ligën e Kampioneve, por pranoi se këtë vit kjo gjë do të ishte shumë e vështirë. Benitezi pranoi se në ndeshjen gjysmëfinale ndaj Çelsit, ekipi i Mourinjos do të ishte favorit për të kaluar në finalen e Stambollit. Megjithatë, spanjolli ka besim të plotë se ekipi i tij do të japë 100% të mundësive në ndeshjen e javës së ardhshme. "Nuk jam i obsesionuar për ta fituar Championsin, sepse jam ende i ri dhe kam akoma kohë. Nuk e di nëse do të fitojmë këtë vit, por besoj se momenti im do të vijë. Duhet gjithmonë të kesh besim në vetvete dhe unë e bëj këtë. Jam një njeri që besoj se puna e lodhshme shpërblehet gjithmonë, prandaj mendoj se do të vijë koha kur do ta fitoj Championsin dhe shpresoj që kjo të ndodhë gjatë këtij viti me ekipin e Liverpulit. Çelsi është favorit, sepse ka një kontigjent mjaft të mirë lojtarësh. Ata kanë bërë mjaft investime dhe po tregohen superiorë si në Angli, ashtu edhe në Europë," - përfundoi Benitezi

Post Reply