Lici: Gol dhe fitore ndaj Tiranës
Posted: Tue, 01 Feb 2005 , 14:20
Kishte kohë që nuk paraqitej në këtë mënyrë. Ndoshta i frymëzuar edhe nga shiriti i kapitenit të kuqebluve, Suad Lici po bën më të mirën me lojën e tij. Ai është kthyer jo vetëm në një lider të këtij ekipi, por edhe në një shënues të mirëfilltë i tij. Mjafton të kujtojmë që në tri ndeshjet e fundit të Vllaznisë ai ka shënuar dy herë në portat kundërshtare. Forma e mirë që po tregon që është një faktor më tepër që i gëzon drejtuesit e Vllaznisë. Kapiteni Suad Lici, edhe në stërvitjen e djeshme, në prag të ndeshjes së radhës me ish-skuadrën e tij, Tiranën, është dukur po aq i frymëzuar sa në ndeshje. Nuk ka munguar të shënojë as në ndeshjen e kontrollit, që trajneri Bici zhvilloi me skuadrën e tij. Dhe nga çfarë konstaton, kuptohet qartë dëshira që kapiteni shkodran do të kishte për të shënuar edhe të mërkurën. Për të ndodhur kjo, Suadi ka shumë arsye pse duhet ta kërkojë një gol. Në radhë të parë, se luan kundër Tiranës, skuadrës me të cilën ka luajtur dhe fituar gjithçka për dy vjet. Me fanellën bardheblu ai nuk ka ngurruar të shënojë brenda në "Loro Boriçi" para tifozerisë që e ka dashur dhe e ka përkrahur gjithmonë. Si një profesionist i vërtetë, do të kërkojë të marrë "hak" edhe nesër. Megjithatë, një arsye më tepër pse Lici do të bëjë më të mirën në këtë ndeshje është edhe fakti që në stadium pritet të jetë edhe vetë Brigeli. Duke qenë një nga të përzgjedhurit e tij edhe për ndeshjen e radhës kundër Ukrainës, kapiteni shkodran do të kërkojë të thotë se gjermani nuk ka gabuar me ftesën në adresë të tij. Megjithatë, vetë Suadi është modest për sa i takon asaj që do të bëjë nesër në fushë. "Ju lutem, mos më ngacmoni. Do të bëj më të mirën në këtë ndeshje, në mënyrë që ekipi im të fitojë. Do të jetë po ai Suad që ka qenë gjithmonë dhe nuk do të luajë se do të vijë apo jo Brigeli. Më kërkoni nëse do të shënoj? Dëshira është jashtëzakonisht e madhe, por më e rëndësishme është të fitojë Vllaznia. Pastaj unë luaj si mesfushor i djathtë dhe prioriteti im nuk është porta, por nëse do më paraqitet rasti më i vogël, natyrisht që nuk do të ngurroja ta çoja topin në rrjetë," - thotë lideri i ekipit shkodran. Një arsye më tepër pse Vllaznisë i kërkohet fitorja në këtë ndeshje është edhe humbja e dy takimeve të tjera përballë saj në këtë kampionat. Lici mendon se tani është e "treta e vërteta" dhe rasti që skuadra e tij të fitojë. Së fundi, numri 3 i shkodranëve ka thënë dy fjalë edhe në lidhje me grumbullimin e fundit nga Brigeli për ndeshjen e radhës me Ukrainën. "Unë gjithmonë kam qenë në shërbim të kombëtares. Sa herë më kanë ftuar, jam munduar të bëj më të mirën dhe këtë do të bëj edhe këtë herë. E rëndësishme është që secili prej nesh të bëjë më të mirën për fanellën kuqezi," - thotë në fund mesfushori i Vllaznisë, Suad Lici.