Page 1 of 1

Lista anti-Turqi dhe Greqi

Posted: Sun, 20 Mar 2005 , 16:39
by vllaznia1919
Brigeli risjell Redi Jupin në kombëtare

Trajneri i kombëtares shqiptare, Hans Peter Brigel, më në fund ka shpallur listën e lojtarëve që ka grumbulluar për dy ndeshjet me Turqinë dhe Greqinë. Ashtu siç pritej, Brigeli është përballur me shumë mungesa të lojtarëve kryesorë të kombëtares, si Beqaj, Çipi, Hasi apo Murati, të cilët nuk janë grumbulluar në kombëtare për shkak të dëmtimve. Gjithsesi, trajneri Brigel, si gjerman origjinal, ka bërë zgjedhjet e tij, duke sjellë edhe një të re. Bëhet fjalë për një njohje të vjetër të kampionatit shqiptar të futbollit, por edhe të kuqezinjve, të quajtur Redi Jupi. Mesfushori shqiptar që luan në Turqi me Diarbakirsporin duket se është grumbulluar me qëllim që të japë eksperiencën e tij në takimin e parë me Turqinë. Kjo sepse Jupi, prej dy sezonesh, luan në kampionatin e këtij vendi dhe i njeh mirë kundërshtarët. Kujtojmë që Jupi ndeshjen e fundit me ekipin kombëtar e ka zhvilluar në shtator të 2003-shit me Gjeorgjinë në Tbilisi. Për sa u përket emrave të tjerë të grumbulluar në kombëtaren shqiptare, janë po ata që gjermani ka grumbulluar edhe në takimin me Ukrainën. Kështu, Brigeli ka konfirmuar të gjithë "armatën" e kampionatit shqiptar, me dy portierët Lika dhe Hidi, mbrojtësit Sina, Dallku, Osmani dhe Mukën si dhe sulmuesit Rraklli dhe Bushi. Por ka lënë jashtë Ardit Beqirin. Në 22-shen e grumbulluar nga Brigeli bie në sy edhe rikthimi në skuadër i mbrojtësit Elvin Beqiri, i cili tashmë ka përfunduar skualifikimin e marrë në takimin me Gjeorgjinë. Për të dytën herë radhazi, trajneri Brigel ka besuar tek Erjon Bogdani, sulmuesi shqiptar më produktiv në Europë. Gjithsesi, si zakonisht, në ekipin kuqezi mungojnë emrat e atyre që me të vërtetë janë në formën më të mirë sportive, si Vata apo dhe ndonjë tjetër. Ndërkohë, emra të ndryshëm të grumbulluar në kombëtare nuk aktivizohen prej javësh me ekipet ku luajnë nëpër Europë. Ashtu siç ishte deklaruar edhe më parë, në grupin e kuqezinjve do të jetë edhe portieri legjendar i kombëtares shqiptare, Foto Strakosha. Ky i fundit pritet të jetë portieri i tretë i kuqezinjve për dy ndeshjet e radhës eliminatore me Turqinë dhe Greqinë. Kujtojmë që kombëtarja jonë do të zhvillojë dy ndeshjet më decizive të saj në grupin 2 më 26 mars në Stamboll me Turqinë dhe më 30 mars në Athinë me Greqinë. Lista e kuqezinjve Portierë 1.Foto Strakosha 2.Ilion Lika 3.Isli Hidi Mbrojtës 4.Tefik Osmani 5.Suad Lici 6.Armend Dallku 7.Elvis Sina 8.Ardian Aliaj 9.Elvin Beqiri 10.Lorik Cana Mesfushorë 11.Klodian Duro 12.Altin Haxhi 13.Ervin Skela 14.Devis Muka 15.Blendi Shkëmbi 16.Altin Lala 17.Redi Jupi Sulmues 18.Alban Bushi 19.Florian Myrtaj 20.Altin Rraklli 21.Igli Tare 22.Erjon Bogdani!

Posted: Wed, 23 Mar 2005 , 14:49
by vllaznia1919
Strakosha: Të besojmë deri në fund

Portieri i kombëtares shqiptare, Fotaq Strakosha, ka folur për të ardhmen e tij në kombëtaren e Shqipërisë, për ndeshjen e së mërkurës kundër Greqisë dhe për synimet e Shqipërisë në grupin e dytë eliminator të Botërorit 2006. - A është e vërtetë që jeni larguar nga kombëtarja shqiptare pas 15 vjetësh? - Po, është e vërtetë. Kam folur me trajnerin tim dhe i kam thënë së dëshiroja të tërhiqesha, por Brigeli më kërkoi të bashkohesha me skuadrën për dy ndeshjet e ardhshme kundër Turqisë dhe Greqisë për mbështetje morale. Unë do të luaj vetëm nëse portierët e tjerë do të dëmtohen. - Të mërkurën e ardhshme, Shqipëria do të përballet me Greqinë në stadiumin "Karaiskaqi". Cili është parashikimi juaj? - Do të jetë një ndeshje e vështirë për Shqipërinë. Sigurisht, favoritë në këtë ndeshje janë grekët, jo vetëm se ata kanë fituar kampionatin europian, por edhe për diferencat në cilësinë e kampionateve përkatëse. Veç kësaj, ne do të kemi shumë mungesa, pasi shumë lojtarë janë të dëmtuar. Sigurisht, askush nuk mund ta parashikojë ecurinë e ndeshjes, pavarësisht diferencave në potenciale. Nëse favoritët do të fitonin gjithmonë, futbolli do të ishte një sport shumë i zbehtë. - Cili është objektivi i Shqipërisë? - Pas rezulteteve jo të favorshme që morëm në shtëpi, shanset tona që të përfundojmë të dytët në grup janë eliminuar dramatikisht. Gjithsesi, filozofia jonë është që të mos lëshojmë pe deri në fund. - Së fundi, një mesazh për njerëzit që do të jenë në stadiumin "Karaiskaqi" gjatë ndeshjes Greqi-Shqipëri? - Futbolli është një sport popullor që shkakton reaksion te masat. Dhe ne, lojtarët, fokusohemi në lojën tonë dhe përpiqemi të luajmë më mirë. Njerëzit duhet të shkojnë në stadium, të shijojnë ndeshjen dhe të brohorasin lojtarët.