Trajneri i Vllaznisë, Agim Cana, kërkon rezultate pozitive radhazi për konsolidimin e pozitave

Fitorja me Elbasanin sigurisht që e ka lehtësuar jo pak. Jo se kjo ndeshje ishte gjithçka, por situata në kampin shkodran është shoqëruar me një tension jo të vogël pas dy rezultateve jo të mira që Vllaznia arriti në ndeshjet e mëparshme. Për Agim Canajn, rëndësi kanë tri pikët dhe fakti që është fituar ndaj një kundërshtari direkt.

Këtë ai e ka thënë në konferencën e djeshme për shtyp, teksa ka deklaruar: “Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë me Elbasanin. E rëndësishme është se kemi fituar ndaj një rivali direkt. Ka qenë ndeshja më e mirë e Vllaznisë në këtë kampionat, zhvilluar në Shkodër, që pas takimit me Tiranën. E kam thënë edhe herë të tjera se kampionati ka disnivelet e veta dhe skuadrat janë fare pranë njëra tjetrës.

Një fitore një javë të ngre shumë lart, gjithashtu edhe një humbje të çon disa vende më poshtë. Ne duhet t’i marrin ndeshjet hap pas hapi dhe nëse ruajmë këtë ritëm të nivelit të lojës të zhvilluar katër javët e fundit, shumë shpejt mund të kapim edhe Tiranën. Pra, unë kërkoj vazhdimësi, duke shpresuar që në takimet e ardhshme të kemi sa më pak mungesa.”

Në fakt këto të fundit kanë qenë gjithnjë të pranishme në kampin shkodran dhe stafi drejtues i Vllaznisë është detyruar të gjejë zgjidhjet brenda skuadrës. Kështu do t’i duhet të veprojë edhe në ndeshjen e radhës në Lushnjë, teksa sërish Canajt do t’i duhet të gjejë zgjidhje të reja. Megjithatë, trajneri i kuqebluve nuk duket dhe aq i shqetësuar nga këto mungesa, sepse, me sa duket, ka fituar “imunitet” përballë tyre. “Edhe këtë javë do të kemi mungesa, siç janë ato të Kaçit dhe të Smajlit.

Dihet që çdo mungesë është e dëmshme për skuadrën, sepse pakësohen forcat, por unë mendoj se edhe brenda grupit kemi lojtarë për t’i zëvendësuar këto mungesa,” ka thënë më tej trajneri i ekipit shkodran. Vllaznia këtë javë do të jetë e detyruar të udhëtojë drejt Lushnjës për të luajtur ndeshjen e radhës. Ajo që kërkohet sigurisht që është vazhdimësia në rezultate dhe, nëse kjo provë kalon me sukses, atëherë do të thotë se shkodranët janë në rrugën e duhur.

Vetë Canaj, duke folur në lidhjen me ndeshjen e së shtunës, ka thënë: “Ndeshjen e radhës, ndaj Lushnjës, nuk e konsideroj të lehtë. Janë dy skuadra që kanë objektiva të kundërta për kampionatin, ku ne synojmë të shkojmë sa më lart për të siguruar një vend për në kupat e Europës, kurse lushnjarët synojnë të sigurojnë mbijetesën.

Por që të dyja skuadrat do të kërkojmë maksimumin e pikëve ditën e shtunë. Edhe në Lushnjë duhet të tregojmë vlerat tona për të marrë rezultatin e dëshiruar, fitoren.” Presidenti Fushaj ka vënë si kusht për skuadrën dy fitoret në dy ndeshjet e fundit të fazës së parë dhe kur e pyet Canajn në lidhje me këtë çështje, ai do të përgjigjej: “Nëse shkrijmë lojën kolektive me kualitetet që kemi në ekip, atëherë s’kemi frikë asnjë skuadër në superligë. Pavarësisht se presidenca kërkon gjashtë pikë në dy takimet e ardhshme dhe ka të drejtë të kërkojë llogari, pasi shpenzon jo pak për ne, ndeshjet duhet t’i marrin një nga një. Unë mbetem optimist për të ardhmen.”

——————————-

Shkodranët, kundër ish-trajnerit Bici

Në ndeshjen e së shtunës ndaj Lushnjës, shkodranët, përveç “lagunarëve”, do të kenë përballë edhe një njohje të tyre të vjetër, pikërisht trajnerin Vasil Bici. Fakti është që sa herë ky trajner është ndeshur kundër shkodranëve, u ka dhuruar jo pak rezultate të hidhura. Ka ndodhur kështu në disa raste dhe më i fundit ka qenë ai i sezonit të kaluar.

Trajneri lezhjan ishte në krye të skuadrës së Kastriotit dhe krutanët në prag të ndeshjes me Vllazninë nuk po kalonin momente të mira. Megjithatë, kjo nuk ishte pengesë që ata ta mundnin skuadrën shkodrane, megjithëse ndeshja zhvillohej në fushë asnjanëse, në Shijak. Këtë herë, Bici ka marrë drejtimin e Lushnjës dhe kjo skuadër ende nuk ka njohur fitoren nën drejtimin e trajnerit të ri të saj. Do ta kërkojë ndaj Vllaznisë, kjo është e qartë.

 

Sporti Shqiptar.

Komentet