Boksieri Naim Tërbunja shpallet kampion në turneun “Doreza e Artë” në Amerikë
Kosovari në gjurmët e Muhamed Ali
Prishtinasi fitoi pesë ndeshje për gjashtë ditë në ringun ndërkombëtar “Salt Lake City”
Atë që e kishte arri tur 60 vjet më parë boksieri më i mirë i të gjitha kohërave, Muhame Ali, e ka edhe arritur kosovari Naim Tërbunja. 24-vjeçari me pasaportë suedeze është shpallur kampion në turneun amerikan “Doreza e Artë”, që u mbaj nga 4-9 maj në “Salt Lake City”. Ky është turneu më i vjetër dhe më prestigjioz i boksit amator në SHBA. Për herë të parë është mbajtur më 1928 dhe ku në ring janë ngjitur emrat më të mëdhenj të boksit ndërkombëtar si Muhamed Ali, Oskar de la Hoya, Xhorxh Foreman, Xhoi Frazer, Evander Holifild dhe Roi Xhons Jr. Muhamed Ali e ka fituar dy herë këtë titull (1959, 1960), asokohe kur thirrej Kasus Klei. Tërbunja, i cili përfaqësoi
klubin “Nju Jork Metro” mundi në finalen për peshën e mesme Luis Ariasin e Viskonsinit me rezultat 4-1. Para finales, prishtinasi kishte siguruar katër fitore. “Katër duelet e para i fitova me rezultatin maksimal, 5-0, ndërsa finalen e fitova 4-1, ku edhe kam dominuar plotësisht. Në fakt, te të gjitha duelet bëra një paraqitje të mirë,
sidomos në gjysmëfinale kam shkëlqyer. Ndërsa në finale isha pak më i lodhur, sepse të zhvillosh 5 ndeshje për 6 ditë nuk është e lehtë”, ka thënë Tërbunja të dielën për gazetën “Koha Ditore” nëpërmjet telefonit.
Kulmi
“Jam shumë i kënaqur që arrita të dal kampion në “Golden Gloves”. Jam boksieri i parë shqiptar, por edhe nga Suedia që arrij të fitoj këtë turne. Realisht ky është suksesi më i madh në karrierën time të deritanishme, që ka rëndësi të madhe për në vazhdim. Shumë kanë menduar se e kam merituar të shpallem boksieri më i mirë i turneut, por ky çmim në fund shkoi te një boksier tjetër. Ndoshta ka ndikuar edhe fakti se nuk jam amerikan”, ka shtuar Tërbunja.
Stërvitja
Naim Tërbunja nga fillimi po stërvitet në SHBA. Muajin e kaluar fitoi “Doreza e Artë” për qytetin e Nju Jorkut. Në finale pati mposhtur Markus Braun, që sipas vetë Tërbunjës, vlerësohet boksieri i tretë më i mirë në SHBA në kategorinë e mesme. Në “National Golden Gloves”, që u mbajt në “Salt Lake City”, u ngjitën në ring fituesit e
turneve nga të gjitha shtetet amerikane. Sipas kosovarit, turneu në Salt Lake City u ndoq nga shumë menaxherë
të njohur. “Kam marrë shumë oferta për të kaluar në boksin profesionist, por nuk do të nxitohem. Tashmë që dola kampion ofertat do të rriten dhe do të jenë shumë më të mira. Unë do ta përfaqësoj Suedinë edhe në kampionatin botëror, që në shtator mbahet në Milano të Italisë. Para kampionatit besoj se do të nënshkruaj për ndonjë kompani
të boksit profesionist”, ka theksuar Tërbunja.
Naim Tërbunja ka lindur në Prishtinë, por që nga mosha 7-vjeçare jeton në Suedi. Është kampion i shumëfishtë i Suedisë dhe vlerësohet boksieri më i mirë i këtij vendi. Ai vitin e kaluar përfaqësoi Suedinë në Lojërat Olimpike “Pekin 2008”, por u eliminua në turin e parë Tërbunja ka fituar shumë turne ndërkombëtarë. Është fitues i trefishtë i turneut më të madh që mbahet në Kosovë, “Adem Jashari”.