Post
by fpjalmi » Fri, 02 Oct 2009 , 16:53
Luis van Gal: Jam i inatosur me gjyqtarin
Trajneri holandez i Bajernit akuzon kryesorin anglez të ndeshjes: Luajtëm mirë, meritonim fitoren
Katër pikë si një vit më parë: fitore jashtë fushe në debutim dhe barazim në shtëpi. Bajerni i Luis van Galit është kopje e atij të Jurgen Klinsmanit në bilancin e Championsit në fund të shtatorit. Në sezonin e shkuar gjermanët e mbyllën pastaj grupin (me Lionin, Fiorentinën e Steauanë) në vend të parë. Tani janë në krye së bashku me Bordonë, lënë Juven pas me dy pikë, por Luis van Gal nuk është i kënaqur. Ndihet fitues moral dhe shfryn inatin e tij, duke ulëritur para gjyqtarit të katërt, kur kryesori anglez, Hauard Heb, vërshëllen fundin e ndeshjes, ndërsa Oliç u nis me kundërsulm.
Holandezi është i inatosur, teksa po të mos e largonte zëdhënësi për shtyp i Bajernit, mund të shkonte keq: “Gjyqtari zgjodhi zgjidhjen më të lehtë, duke vërshëllyer për të mos hapur telashe. Nuk ishte korrekt, mund të linte ndonjë sekondë më shumë. Megjithatë më vjen keq që nuk e fitova një ndeshje të tillë. Patëm shumë raste, na mungoi fati dhe ndonjë centimetër më shumë. Nëse rishohim “filmin” e ndeshjes, kuptohet qartë cili duhej të mbizotëronte. Juvja është një skuadër e shkëlqyer, por nuk ndërtoi shumë, ne jemi akoma në krye dhe jam i zhgënjyer, sepse mund të shkonim gjashtë pikë. Edhe Bordoja fitoi me fat, por për ne është vetëm çështje kohe”.
Edhe kapiteni Filip Lahm shmang kritikat: “Në Ligën e Kampioneve nuk të ndodhin shpesh raste të tilla, na mungoi vetëm goli, por nuk është pak”. Mirosllav Klose ka fajin më të madh, Luka Toni në tribunë (i pagrumbulluar), ka theksuar se nuk kërkon të luajë më me skuadrën B. Një situatë e vështirë pra vetëm sa i takon repartit të sulmit, ku edhe Mario Gomez ka nisur të mendojë largimin pas qëndrimeve të shpeshta në stol. Sidoqoftë vendimet i merr Van Gali dhe asnjë nuk përpiqet t’ia ndryshojë mendjen.
Portieri e pranon
Bufon: Riberi tentoi golin e shekullit
Analiza e Xhixhi Bufonit nuk është asnjëherë banale: “Luajtëm të kujdesshëm, ata u përpoqën më shumë, dhanë më shumë, sepse faktori fushë është vendimtar. I rezistuam mirë, nuk mund të mendosh të vish në këto fusha dhe të mos i lejosh të paktën një rast për gol. Vuajtëm dhe u lodhëm, por dhamë edhe një sinjal të fortë bashkimi”. Pastaj lavdet për Riberinë: “Bëri një numër që vetëm çmimi i biletës ia vlente dhe ovacioni i papërsëritshëm i stadiumit. Pastaj u gjend përballë meje, nuk donte të shënonte, por vetëm të bënte golin e shekullit. Por për fat të mirë jam i gjatë dhe ndoshta gaboi edhe për këtë”.
Tërheqje muskulare
Del Piero do të mungojë rreth 30-40 ditë
Lajme të këqija për Juventusin. Gjatë stërvitjes së djeshme, Alesandro Del Piero pati një dhimbje të fortë në kofshën e majtë. Kapiteni bardhezi iu nënshtrua menjëherë një ekografie dhe rezonancës magnetike, që evidentoi një këputje të shkallës së dytë të muskulit të kofshës së majtë. Sipas parashikimeve të para të mjekëve juventinë, sulmuesi 35-vjeçar duhet të qëndrojë pushim rreth 30-40 ditë. Probleme ka pasur edhe për Tiagon. Mesfushori portugez që ka luajtur pak raste në këtë sezon, nuk është ndjerë mirë dhe ka braktisur stërvitjen para shokëve.
Problemi
Roben dëmtohet, rikthimi pas një muaji
Përveç zemërimit për rezultatin barazim ndaj Juventusit në Champions, trajneri Luis van Gal ndihet i mërzitur edhe për dëmtimin e sulmuesit Arjen Roben gjatë ndeshjes në “Arena”, duke e lënë fushën para kohe. Ish-fantazisti i Realit të Madridit pësoi një goditje të fortë në gju, që duhet ta detyrojë të qëndrojë jashtë fushave të lojës për rreth një muaj. Një lajm i keq për trajnerin Van Gal, i cili kishte nisur të merrte frytet e punës së tij pikërisht falë dyshes Riberi-Roben të paktën në kampionat. Madje dalja nga fusha e holandezit sikur i dha më shumë frymë Juventusit nga krahu i djathtë.