Post
by Man in Redblue » Sat, 09 Oct 2010 , 03:33
Shqipëria nuk thyhet. Kuqezinjtë shërojnë Kuzhenë
Shqipëria regjistroi rezultatin e tretë pozitiv rresht në eliminatoret e Kampionatit Europian 2012, duke treguar pjekuri dhe vazhdimësi.
Kjo Shqipëri nuk thyhet. E ideuar dhe udhëzuar me celular nga trajneri Josip Kuzhe nga një dhomë e Spitalit Amerikan, e përpunuar taktikisht në bankinë nga ndihmësi i tij, Xhemal Mustedenagiç dhe e ekzekutuar në mënyrë përfekte nga lojtarët e udhëhequr nga kapiteni Lorik Cana në fushë, Shqipëria mori një barazim të çmuar me Bosnjën (1-1), falë një kryevepre të Klodian Duros dhe një shtylle të Hamdi Salihit.
Goli i Vedad Ibeshiviçit dhe dy shtylla të Miralem Pjaniçit për Bosnjën. Por, mbi të gjitha sërish në vend të parë, të paktën për 24 orë në pritje edhe të rezultatit të ndeshjes Francë-Rumani (luhet të shtunën).
Shqipëria regjistroi rezultatin e tretë pozitiv rresht në eliminatoret e Kampionatit Europian 2012, duke treguar pjekuri dhe vazhdimësi. Barazimi 1-1 me Bosnjën ishte i dyti me këtë rezultat, pas atij me Rumaninë në Pietra Neamnt, ndërkohë që e vetmja fitore është ajo me Luksemburgun, që nga ana e tij barazoi pa gola me Bjellorusinë.
Për Shqipërinë kjo ishte ndeshja e tetë pa humbur, përfshirë tre ndeshje zyrtare dhe pesë miqësore, dhe nuk humbet qysh nga 14 tetori i vitit 2009. Nga ana tjetër, Shqipëria arriti rezultatin e tretë pozitiv rresht me Bosnjën, duke futur në këtë llogari dhe dy ndeshjet miqësore, një fitore dhe një barazim.
E gjithë skuadra luftoi fort në këtë ndeshje, duke e rritur në vazhdimësi forcën goditëse, e duke pasur në prapavijë një Beqaj absolutisht të sigurt, një Lorik Canë, digë e vërtetë dhe një finalizues si Klodian Duro, në golin e tij të pestë me Kombëtaren.
Një rezultat pozitiv edhe për trajnerin Xhemal Mustedenagiç, në ndeshjen e tij të parë si trajner i një Kombëtareje, e për më tepër kundër atdheut të tij, Bosnjës, e dhëndrit të tij, Mjuzhda.
“Faleminderit Xhemo!”, kjo do të jetë fraza që do të ketë thënë Kuzheja nga dhoma e tij në spitalin amerikan. Për festë nuk ka kohë, pasi të martën kuqezinjtë i pret sfida me Bjellorusinë në Minsk.
Takimi filloi me një surprizë për Shqipërinë, pasi trajneri i komanduar Xhemal Mustedanagiç la në stol Ervin Skelën, ndërsa shiritin e kapitenit e pati Lorik Cana.
Minutat e para ishin jo shumë të qarta për Shqipërinë, pavarësisht mbështetjes së jashtëzakonshme të tifozerisë së pranishme në stadiumin “Qemal Stafa”, madje Klodian Duro ekzekutoi keq një goditje të lirë nga rreth 25 metra në minutën e 5-të.
Pas disa përpjekjeve të zbehta, Bosnja ndërmori një aksion të rrezikshëm nga krahu i majtë, Kristi Vangjeli nuk arriti të frenojë kundërshtarin, ku i fundit krosoi në zonë, dhe aty Vedad Ibisheviç i Hofenhajimit, duke parë dhe daljen jo të mirë të Canës dhe Agollit, realizoi një gol të mrekullueshëm në minutën e 21-të, duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi Arjan Beqajt. Goli i dytë i pësuar nga Shqipëria në eliminatoret e Euro 2012-s pas atij të pësuar në Rumani.
Një minutë më pas boshnjakët u shfaqën rrezikshëm, por pa rezultat. Në minutën e 26-të, sulmuesi Bogdani goditi në mënyrë të gabuar nga një distancë e largët, por që shërbeu për të nxitur ekipin për të parë më shumë nga porta boshnjake e mbrojtur nga Kenan Hasagiç.
Erjon Bogdani lëshoi një top të gjatë në thellësi për Hamdi Salihi, ky i fundit ekzekutoi në ecje e sipër duke lëshuar një silurë që goditi shtyllën horizontale. Një Super-Salihi në minutën e 31-të, por i pafat.
Gjergji Muzaka, autori i golit të barazimit të Shqipërisë në Rumani, tentoi të godasë portën në minutën e 44-t, por pa rezultat.
Në minutën e 45-të, Mravac, në tentativë për të bllokuar Bogdanin për të mos zotëruar një top që po i drejtohej zonës boshnjake e ndali sferën me dorë, duke u ndëshkuar me kartonin e verdhë. Nga një diagonale prek 17 metrash, Klodian Duro ekzekutoi në mënyrë perfekte duke e pushuar topin në rrjetën e boshnjaku Hasagiç. Minuta e 47-të. Shqipëri-Bosnjë 1-1. Lojtarët në delir. Bankina në delir. Tifozët në delir. Tribuna “Vip” në delir.
Një pjesë e parë e merituar të mbyllej në barazim.
Pjesa e dytë nisi me zëvendësimin e sulmuesit Erjon Bogdani - nuk shënon qysh nga ndeshja me Danimarkën, më 6 shtator 2009 – me fantazistin Ervin Skela. Edhe trajneri i Bosnjës e nisi me dy ndryshime: në vend të portierit Hasagiç (fajtor në golin e Duros) hyri Begoviç dhe në vend të Mravac (lojtari që preku topin me dorë) hyri Pandzha.
Shqipëria zhvilloi në 15 minutat e parë të pjesës së dytë një presing të jashtëzakonshëm, duke e detyruar Bosnjën të tërhiqet në gjysmëfushën e saj e duke zhvilluar një nga lojërat më të mirë të dhjetë vitet e fundit.
Misimoviç goditi në minutën e 61-të, por Beqaj devijoi më këmbë topin në goditje këndi. Një minutë më pas, Hamdi Salihi një top për Muzakën, por mesfushori i Dinamos goditi shumë mbi traversë duke shpërdoruar një mundësi të mirë.
Pjaniç ekzekutoi një goditje të lirë, por për fat topi preku shyllën horizontale, e pak sekonda më pas u anulua edhe një gol i boshnjakëve për pozicion jashtë loje. Golat 1-1. Shtyllat po 1-1.
Trajneri Mustedanagiç hodhi në fushë Gilman Likën në vend të Gjergji Muzakës, jo në ditën e tij më të mirë.
Andi Lila rrëmbeu një top, mbrojtësi i Tiranës lëshoi një top në zonë, por mbrojta boshnjake arriti ta shmangë rrezikun më të madh të saj në 25 minutat e parë të pjesës së dytë. Mund edhe të kishim shënuar golin e dytë.
Portieri Arjan Beqaj pati shumë punë, duke dhënë gjithçka nga përvoja e tij mëse 18 vjeçare në futboll, e shpëtuar Shqipërinë nga disa momente delikate para portës, ndërkohë që kapiteni Lorik Cana ishte një tjetër hero i kuqezinjve, edhe pse luajti nga minuta e 75-të me gjurin e dëmtuar.
Mesfushori i Olimpikut të Lionit, Miralem Pjaniç, tregoi klasin e tij duke goditur shtyllën horizontale në të minutën e 88-të, shtylla e dytë e tij.
Trajneri Safet Sushiç largoi nga loja sulmuesin Edin Dzeko i dorëzuar para mbulimit perfekt të Dallkut, në kombinacion me Lorik Canën. Kapiteni i Shqipërisë e kishte thënë para ndeshjes. “Kam luajtur kundër lojtarëve më të mirë se Dzeko”. Dhe pati tëe drejtë. Cana ishte fituesi. Një mesazh edhe për trajnerin e Gallatasarajit, Frenk Rajkard. Një ndeshje perfektet e “ambasadorit të futbollit shqiptar”, por dhe të UNICEF-it dhe “Alo 166”.
ELIMINATORET E EURO 2012
Shqipëri-Bosnjë 1-1
Shënues: Duro 45’+2 /Ibisheviç 21’
E premte, 8 tetor 2010
Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, Tiranë
SHQIPËRIA: Beqaj, Vangjeli, Dallku, Cana, Lila, Bulku, Agolli, Duro, Muzaka (66' Lika), Salihi (85' Hyka), Bogdani (46’Skela).
Trajner: Xhemal Mustedanagiç
BOSNJA: Hasagiç (46' Begoviç), Spahiç, Mravac (46' Pandzha), Rahimic, Pjaniç, Misimoviç, Dzeko (Ibriçiç), Ibisheviç, Medunjanin, Luliç, Mjudzha.
Trajner: Safet Susiç
Gjyqtar: Kristin Xakobsen (Islandë)
Kartonë të verdhë: Bogdani, Dallku/ Luliç, Mravac