Post
by Skodrinon » Sat, 11 Apr 2009 , 20:47
Boks/ Evropa e ringut zbret të dielën në kryeqendrën e veriut shqiptar, në Shkodër
‘Memorial Vllaznia 2009’, gati starti
Trajneri Zef Gjoni kërkon që boksierët tanë të marrin medalje në këtë veprimtari
Prej mëse gjashtë vitesh në kryeqendrën më të madhe të veriut shqiptar, Shkodër, zhvillohet turneu ndërkombëtar
i boksit i quajtur “Memorial Vllaznia 2009”. Ky aktivitet është në respekt të disa figurave të këtij sporti në Shqipëri, të cilët nuk jetojnë më, por që kanë dhënë shumë për “dorezat” kuqezi. Rreth gjashtë vite më parë ka qenë një iniciativë personale e trajnerit të boksit të Vllaznisë, Zef Gjoni, që është aktualisht edhe trajnerit i ekipit tonë kombëtar, për ta zhvilluar këtë veprimtari. Më pas gjithçka është mbështetur nga Federata Shqiptare e Boksit, klubi
shumësportësh “Vllaznia”, si dhe Bashkia e Shkodrës, kështu që ky turne u bë traditë. E për rrjedhojë hyri dhe në kalendarin e aktiviteteve evropiane. Ndonëse në vitet e parë të organizimit të këtij memoriali, boksierët pjesëmarrës
ishin të një rrethi disi më të ngushtë, kryesisht nga Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja, apo ndonjë vend tjetër ballkanik,
me kalimin e kohës u rrit interesi për të. Kjo duket fare qartë në turneun e sivjetshëm, ndërsa më 12 prill, në pallatin e sportit të Shkodrës “Qazim Dervishi” do të zbresin boksierë të fuqive evropiane në këtë sport. Kështu, duke filluar nga e diela, për tri ditë me radhë do të matin forcat për të shpallur më të mirët e këtij turneu të përvitshëm gati 72
boksierë. Vendi ynë do të përfaqësohet me 6-7 pesha, ku, pas një seleksionimi të javës së kaluar, janë përzgjedhur boksierët më të mirë të Kombëtares shqiptare në boks. Si zakonisht edhe kësaj radhe klubi shumësportësh “Vllaznia”,
Bashkia e Shkodrës, por edhe FSHB-ja kanë dhënë mbështetjen maksimale për këtë aktivitet, i cili tashmë ka kaluar çdo parashikim. Gjoni kërkon marrjen e medaljeve Sigurisht, që këtë vit konkurrenca në “Memorial Vllaznia 2009” është shumë e madhe, dhe këtë e tregon qartë pjesëmarrja e shteteve me shumë traditë në këtë sport. Këtë e pohon për gazetën “Panorama Sport” trajneri i ekipit tonë kombëtar, Zef Gjoni, i cili, pas përzgjedhjes që i është bërë
ekipit tonë kombëtar, synohet që të futen në zonën e medaljeve. “Siç e dini, në këtë turne marrin pjesë shumë
shtete me emër e me traditë në boks, që në përbërje të tyre ka kampionë olimpikë, kampionë kontinenti etj.
Megjithatë, shpresojmë që një apo dy boksierë nga të tanët, të marrin medalje ari. Edhe për të tjerët jam i bindur
se do të bëjnë paraqitje dinjitoze, edhe nëse nuk do të arrijnë të futen në zonën e medaljeve. Memoriali i boksit
në Shkodër, që po zhvillohet prej kaq vitesh, po merr rëndësinë e duhur, aq më tepër në këto përmasa”, ka deklaruar trajneri Zef Gjoni.