Rudi Vata: “Skocezët jo më te talentuar se shqiptarët”
EKSKLUZIVE (Intervistë)- Menaxheri më aktiv shqiptar me licencën e FIFA-s, ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata, në një intervistë të posasçme të dhënë për “Albania-sport.com”, menjëherë pas ndeshjes Dinamo-Besa, rrëfen punën e tij si menaxher futbolli, ndryshimet midis futbollit skocez dhe atij shqiptar, pse ai beson se Xhevair Sukaj është një ndër talentet e mëdha të futbollit modern shqiptar. Vata pohon se Kombëtarja është pjesë e gjithë shqiptareve dhe ka nevojë për ndryshime thelbësore.
* * *
Vata, një vizitë shumëplanëshe në Shqipëri.
- Unë do ta përkufizoja pak më gjerë përcaktimin. Gjithsesi është në kuadër të një vizite të mirëpërcaktuar deri në detajet më të parëndësishme dhe në kuadër të punës sime, si me ato që kanë të bëjnë me karakterin familjar të ardhjes në Shqipëri, por dhe të vëzhgimit nga afër dhe profesional të disa lojtarëve cilësorë në dy-tre skuadra që marrin pjesë në Kategorinë Superiore të futbollit shqiptar. Synimi im ka qenë vëzhgimi në aksion i elementëve të rinj që në gjykimin tim i përkasin dhe perspektivës jo vetëm të futbollit shqiptar por dhe të vlefshëm për futbollin e kampionateve cilësorë në Europë.
Rudi, ndoqët “live” takimin Vllaznia-Partizani (1-0, 21 shkurt) dhe në komentin tuaj për Radio Tiranën veçuat me nota maksimale sulmuesin e ri Xhevair Sukaj, një lojtar i thirrur së fundi edhe nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Oto Bariç në ndeshjen miqësore kundër Maqedonisë (0-1, 7 shkurt).
- Xhevairin e kam kontaktuar disa herë gjatë muajve të fundit. Për mendimin tim është një ndër futbollistët më cilësorë të kampionatit shqiptar. Duke parë vlerat që ai reflekton për moshën e tij, e konsideroj pa më të voglin dyshim se posedon cilësi shumë të mëdha. Mendoj se Sukaj ka fizionominë e një futbollisti modern, ku spikasin agresiviteti, shpejtësia dhe teknika e lartë, të gërshetuara këto dhe me luftën në ajër. Xhevairi ka një malore të madhe për të përshkuar dhe për t’ia dalë me sukses duhet të kryejë një punë të madhe. Duhet të qendrojë me këmbë në tokë dhe, nuk duhet të influencohet nga vlerësimet pozitive apo negative të medias. Maja e suksesit të tij varet nga ai, por dhe nga manaxhimi i tij. Unë shpresoj atij do t’i qendrojnë afër njerëz që e kuptojnë futbollin dhe do të japin atij këshillat e duhura.
Mund ta konsiderojmë Sukaj në “listën Vata”?
- Së pari e vlerësoj si shkodran, si lojtar i Vllaznisë. Gëzohem jashtë mase që Vllaznia prodhon talente të fuqishme që spikasin edhe në skuadra të tjera të kampionatit shqiptar si Sinani te Tirana, skuadra me e mirë e kampionatit shqiptar. Këshillat e para Sukaj ia jap si ish-lojtar i Vlaznisë, por dhe si manaxher. Xhevairi natyrisht që do të bëjë zgjedhjen e vet, se cilin manaxher do të zyrtarizojë për t’i besuar të ardhmen e tij jo vetëm në Europë por dhe në Shqipëri.
Vata jeni një nga manaxherët më aktivë shqiptarë që gëzojnë licencën e FIFA-s, edhe pse keni më pak kohë se shumë të tjerë. Ku shtrihet gjeografikisht influenca e Rudit?
- Në të vërtetë unë jam i ri në këtë profesion dhe më duhet një periudhë disa vjeçare për të qenë në të njëjtin rang me manaxherë që kanë shumë kohë në këtë lloj aktiviteti. Unë kam filluar biznesin tim nga “A”-ja, që do të thotë më thjeshtë përqendrimi te elementi i ri, që ka të bëjë jo vetëm me futbollistët premtues që aktivizohen në vendet europiane apo në Shqipëri, por dhe futbollistë të huaj që aktivizohen në kampionate të ndryshme. Dëshira ime është të punoj me djem të rinj që aktivizohen në klubet e Norvegjisë, Finlandës, Suedisë, Gjermanisë apo dhe Francës, të cilët militojnë në kampionatet maksimale por dhe në nivelet e dyta dhe të treta. Shpresoj se në një të ardhme dy-tre vjeçare këta futbollistë të më dhurojnë dhe kënaqësinë profesionale.
Si ia keni arritur të manaxhoni një kampion bote si Pier Litbarski, të cilin ia ofruat edhe Federatës Shqiptare të Futbollit, për postin e trajnerit.
- Pier Litbarski dhe Rudi Vata kanë patur midis tyre vetëm marrëdhënie pune serioze. Litbarski ma ka shprehur jo pak herë se ka parë te mua vlerat profesionale që duhet të gëzojë një manaxher që mund t’i besojë drejtimi e karrierës së tij si trajner.
Rudi, mund të na përmendni disa emra lojtarësh të njohur apo jo për publikun shqiptar që janë transferuar nga shqiptari Rudi Vata.
- Në verën vitit të kaluar, portieri i kombëtar të Zvicrës, Paskal Zuberbuler nga FC Basel te West Bromuich në Angli, ku trajneri ishte i mirënjohuri Brajan Robson. Zuberbuler ishte i vetmi portier që nuk pësoi gol në Kampionatin e fundit Botëror Gjermani 2006, pasi Zvicra u eliminua me penallti nga Ukraina. Një nga transferimet më të bujshme në Britaninë e madhe ishte kalimi i Gario Konar i Skocisë te Lokomotiva e Moskës. Kam marrë pjesë në transferime të futbollistëve të tjerë të futbollistëve jo të njohur në Shqipëri si hungarezë, letonezë të transferuar në kampionatin gjerman apo atë anglez.
Vata keni kontakte me agjenci manaxhimi lojtarësh në Europë...
- Unë bashkëpunoj me shumë manaxherë të ndryshme në Europë, ku spikasin lidhjet e forta me ata që kanë në “mbikqyrje” kampionatet e vendeve skandinave. Kam bashkëpunime reciproke me menaxherë anglezë, gjermanë, francezë e zvicerianë. Shpesh herë frutet e punës sonë janë të përbashkëta.
Ju ndoqët nga afër takimin Dinamo-Besa (0-2) për Kupën e Shqipërisë. Me syrin e manaxherit a spikati ndokush për Vatën?
- Besa duhet përgëzuar për lojën kolektive dhe sidomos për organizimin taktik të saj. Unë mendoj se atë takim kishte dy-tre elementë, por me një vështrim të ndeshjes nuk mund të përcaktosh dhe vlerat që posedojnë realisht lojtarët për të cilat mbajta edhe shënime. Shqipëria prodhon futbollistë dhe kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Por ajo që duhet të veçoj është mungesa e infrastrukturës bazë, e cila është e padiskutueshme në vendet europiane. Mendoj se duhet parë me shumë kujdes nga Federata Shqiptarë i trajnimit të trajnerëve të rinj shqiptarë jashtë shtetit për të fituar më shumë njohuri nga futbolli modern, por dhe një edukate profesionale në drejtim të trajnimit.
Vata, ju jetoni prej disa vitesh në Skoci. A mund ta përkufizoni ndryshimet e futbollit të atjeshëm me atë shqiptar?
- Mendoj që ndoshta krahasimi nuk mund të jetë i goditur, pasi futbolli në Skoci është më shumë agresiv, shumë i ashpër. Në Shqipëri me ndeshjet që kam ndjekur në vitet e fundit agresiviteti rezulton në parametra të ulët. Në Skoci, ndoshta elementët nuk janë më të talentuar se futbollistët shqiptarë, por përsa i përket luftës në lojë është një karakteristike e futbollit skocez, që është i thjeshtë dhe i shpejtë. Agresiviteti është një nga elementët që i mungon futbollit shqiptar si dhe veprimet e shpejta pa të cilat nuk mund ta kuptosh futbollin e sotëm.
Si i ruan kontaktet Vata me futbollin shqiptar?
- Unë kam ardhur shpesh në Shqipëri dhe jam përherë në kontakte edhe me drejtues ekipesh. Por, sot ka shumë mundësi për të ndjekur në vazhdimësi zhvillimet e futbollit shqiptar pasi media televizive shqiptare është e pranishme në satelit, rubrikat sportive me kronikat e ndeshjeve, pa haruar faqet e internetit, një ndër të cilat është edhe “Albania-sport.com”, ku ka informacionet më të fundit nga kampet e skuadrave të kampionatit shqiptar apo Kombëtares.
Marre nga
www.albania-sport.com