Post
by Skodrinon » Thu, 09 Apr 2009 , 17:45
Erkand Qerimaj, kampion dhe nënkampion Europe
Peshëngritësi shqiptar arrin rezultatin më të mirë në historinë e pjesëmarrjeve në garat europiane
Erkand Qerimaj është shpallur kampion i Europës në stilin e shtytjes dhe nënkampion në dygarësh në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që po zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë. Peshëngritësi shqiptar ka zhvilluar dje një garë mbresëlënëse, duke qenë protagonisti kryesor i peshës 77 kg. E djeshmja ishte një nga garat më të bukura të zhvilluara nga ky sportist, ku gjatë gjithë konkurrimit ka qenë i vetmi ndër 10 pjesëmarrësit e baterisë A që ka ushtruar presion mbi konkurrentët e tjerë, çka solli rezultatin më të mirë të arritur ndonjëherë në një kampionat europian nga peshëngritja shqiptare.
E ka nisur me stilin e shkëputjes Erkand Qerimaj, ku edhe pse kishte deklaruar 149 kg, startin në fakt e ka nisur me 152 kg, duke shfaqur hapur ambicien e tij për medaljen e artë, ndërkohë që rivalët direkt të tij kishin deklaruar 151 kg. E ka ngritur me sukses 152 kg në provën e parë, duke bërë në fund dhe gjestin e tij tipik kur ngre shtangën, lëvizjen e kokës majtas dhe djathas si për t’iu treguar rivalëve që është konkurrent i fortë dhe ata nuk do ta kenë të lehtë kësaj radhe.
E në fakt u ka bërë presion gjatë gjithë konkurrimit rivalëve të tij, rusit Ivanenko, bullgarit Çerniak dhe sllovakut Guman, ku që në provën e parë, jashtë parashikimeve të rivalëve, kërkon 156 kg në shtangë, duke dashur t’i tregojë epërsinë e tij vendit të parë deri në atë moment, rusit Ivanenko, që në provën e dytë kishte ngritur 155 kg. Por fatkeqësisht Qerimaj e humb këtë provë, ndërkohë që rusi ngre 156 kg në provën e tretë, duke e ditur se, edhe nëse Qerimaj ngre 156 kg, ai ia rrëmben të artën, sepse peshon më lehtë se peshëngritësi ynë.
Qerimaj e humb dhe provën e tretë në tentativën për të ngritur 156 kg, por të pakten nxiti akoma më shumë rivalitetin kur dy rivalët e tjerë, bullgari dhe sllovaku, kërkojnë në provën e tretë të ngrenë 157 kg, por të dy dështojnë dhe rusi Ivanenko shpallet fitues i të artës në këtë stil, ndërsa dy të tjerët e ndajnë argjendin dhe arin nga “gramët” e tepërt në peshën e tyre. Kështu Qerimaj me ambicjen për medalje e humbet atë, duke u renditur i katërti me 152 kg në stilin e shkëputjes, por do të surprizonte vërtet në stilin e dytë, që është dhe stili i tij, atë të shtytjes.
Edhe në stilin e shtytjes Qerimaj ishte protagonisti kryesor i ushtrimit të presionit te rivalët, ku që në provën e parë ka kërkuar më shumë kilogramë në shtangën e tij se të gjithë konkurrentët pjesëmarrës.
Ka ngritur lehtësisht 186 kg që në provën e parë dhe, pasi kanë përfunduar te tri provat të gjithë konkurrentët, Qerimaj me synimin kryesor tashmë të artën në këtë stil, ka ngritur 190 kg në provën e dytë, duke marrë medaljen e artë në shkëputje. Por nuk është mjaftuar me kaq. Tashmë që kishte siguruar të artën në stilin e shtytjes, ai ka dashur të shkojë më tej, të shpallet kampion Europe edhe në dygarësh.
Kërkon në provën e tretë (ndërkohë që konkurrentët e tjerë e kishin mbyllur garën) 192 kg, por fatkeqësisht nuk e kam mbajtur dot lart. Nëse do të kishte ngritur 192 kg, Erkand Qerimaj do të ishte shpallur dhe kampion Europe në dygarësh me 344 kg, pasi peshonte më lehtë si fituesi i së artës në dygarësh, bullgari Çerniak.
Rezultati i arritur dje prej Erkand Qerimajt është rezultati më i lartë në historinë e pjesëmarrjeve të ekipeve tona kombëtare të meshkujve (në kategorinë e të rriturve) në kompeticionet europiane. Me konkurrimin dje Erkand Qerimaj tregoi se është një sportist jo vetëm i elitës shqiptare, por edhe i elitës europiane, duke na bërë të ndihemi krenarë teksa e shihnim në podin e fituesve të Kampionatit Europian të Peshëngritjes.