Post
by vllaznia1919 » Sun, 16 Apr 2006 , 11:08
Valbona triumfon në finalen e parë
Valbona - Vllaznia 100-60 (1-0)
(24-15, 14-14, 29-13, 33-18 )
VALBONA: Bilali (21), Stevoviç (13), Kasmi (17), Shima (23), Skanja (7) / E. Karaj (12), Madani (2), Gjonaj (5) / Byberi, Sh. Llazani, Gaçi. Trajner: A. Muhametaj
VLLAZNIA: Halili (8 ), Bërdica (19), Nexhimi (15), Gjeçaj (7), Myselimi (8 ) / Omi, E. Llazani, Taraboshi (3), Hadëri / Tevija, Dibra. Trajner: E. Milla
Gjyqtarë: Sh. Bekteshi, D. Bardhi
Valbona fiton 100-60 ndaj Vllaznisë në finalen e parë të play-off-it në basketboll për meshkuj, duke hedhur hapin e parë drejt titullit të katërt radhazi kampion. Një fitore e lehtë e skuadrës kampione, 40 pikë diferencë, që flasin qartë për diferencat mes dy ekipeve në fushë, ndonëse finaliste. Valbona luajti me ritmin e saj të zakonshëm, ndoshta duke mos i shpenzuar të gjitha energjitë. Por ajo që zhgënjeu ishte Vllaznia, e lodhur nga takimet gjysmëfinale, duke mos dalë në lojën e saj dhe duke bërë shumë gabime. Kjo e lehtësoi punën e skuadrës tropojane, e cila gradualisht mori masat dhe u shkëput gradualisht, duke mos i dhënë mundësi Vllaznisë që të rivalizojë. Te shkodranët dje mungoi trajneri Osmani dhe ekipi u drejtua nga ndihmësi i tij, Milla, ndërsa Erkand Karaj, megjithëse jo në formën më të mirë, u aktivizua në pjesën e dytë.
Kështu, Valbona e nisi ndeshjen me Skanjën në vend të Karajit, Shimën, Bilalin, Kasmin e Stevoviç. Ndërsa asnjë "surprizë" në formacionin fillestar të Vllaznisë, me Gjeçajn, Halilin, Bërdicën, Myselimin e Nexhimin. 5 minutat e para të lojës janë të shkodranëve, që arrijnë të luajnë mirë në mbrojtje dhe shkëputen 4-9. Por këtu loja e miqve ngec dhe Valbona shënon 16 pikë radhazi, shkëputet 20-9 dhe situata përmbyset krejt. Perioda e parë përfundon 24-15 për Valbonën, ndërkohë që në periodën e dytë niveli lë shumë për të dëshiruar. Skuadrat gabojnë shumë dhe pjesa e parë përfundon 38-29, duke mërzitur edhe ata pak tifozë të pranishëm, ndonëse ishte një finale. Por gjuajtjet e sakta nga distanca në periodën e tretë nga lojtarët e Valbonës e rritin diferencën, 55-38, 64-40. Bilali, Shima e Kasmi janë të saktë, ndërkohë që Gjeçaj duket i lodhur, ndërsa Nexhimi e Bërdica bëjnë pak. Perioda e tretë përfundon 67-42 për Valbonën, që në 10-minutëshin e fundit krijon shkëputjen më të madhe, 95-52, pra 43 pikë. Kasmi shënon një 3-pikësh në fund, që e çon Valbonën në kuotën e 100 pikëve, duke sigluar këtë takim, që fitohet nga kampionët 100-60. Të martën takimi i dytë final, në Shkodër.
Thanë pas ndeshjes
Adem Muhametaj, trajner i Valbonës: "Ishte një ndeshje e bukur, e kishim vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. E zgjidhëm shpejt ndeshjen dhe më pas monitoruam gjithçka. Falënderoj të gjithë djemtë, pasi luajtën shumë mirë. Takimi i ardhshëm është në Shkodër dhe natyrisht është një sfidë më e vështirë, pasi Vllaznia mund të bëjë të papriturat e saj dhe di të luajë shumë bukur. Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Gjithsesi, mendoj se sot (dje) kemi hedhur një hap përpara drejt titullit kampion."
Ermal Milla, zv.trajner i Vllaznisë: "Nuk mund të themi shumë për këtë takim, pasi humbëm duke mos luajtur shumë mirë. Mendoj se gabuam shumë dhe skuadra nuk ishte në nivelin që pritej. Ndoshta këtu ndikoi edhe lodhja, duke humbur shumë terren ndaj kundërshtarit. Shpresojmë që në takimin e ardhshëm, në Shkodër, skuadra të dijë të reagojë më mirë dhe të rivalizojë siç duhet, pasi luajmë në fushën tonë."