Post
by fpjalmi » Thu, 04 Dec 2008 , 01:09
Futboll
“Kundër Gallatasarajit ishte një tjetër Baku me gjyqtarët”
3 Dhjetor Teli: më dhanë një të kuq idiot, e pabesueshme
“Deja vu”. Nga Azerbajxhani në Turqi, nuk ka shumë ndryshim. Arbitrim “për të qarë hallin” në Baku, gjykim për të vënë duart në kokë në “xhamine” 25.000 vendeshe, Ali Sami Yen, të Stambollit. Skuadra e “shqiptarëve” Haxhetepe ishte kundërshtare për t’u ndeshur këtë fundjavë që kaloi me Gallatasaraj, njërën prej skuadrave pretendente të Super Ligës. Për skuadrën e Haxhetepe, i vetmi nga 3 shqiptarët që u aktivizua si titullar ishte, Admir Teli. Kur rezultati ishte mbërthyer në shifrat 1?1, mbrojtësi shkodran në minutën e 56?të ndëshkohet me karton të verdhë, për kapje të topit me dorë. Një gabim katastrofik i gjyqtarit, pasi nuk ishte Teli që e kapi topin me dorë.
“Unë thashë se me gjykimin në Azerbajxhan mori fund arbitrimi “karagjoz” i gjyqtarëve, por e paskam pasur gabim, sepse ndeshja ndaj Gallatasaraj ishte një replikë e asaj që ndodhi në Azerbajxhan, kur Shqipëria luajti si kundërshtare e skuadrës vendase. Gjykim absurd, me stopime të pafundme dhe plotësisht favoritizëm të njëanshëm”, u shpreh futbollisti Admir Teli në një bisedë ekskluzive për Albaniasoçer.com, duke analizuar atë çfarë ndodhi ndaj tij dhe gjithë skuadrës në Stamboll.
“Të gjithë e kundërshtuan gjyqtarin për kartonin që më nxori, i cili përpara atij akti na kishte dhënë një karton të kuq në disfavor, tek kishte nxjerrë mbrojtësin e skuadrës sonë Tozo jashtë loje dy minuta, pasi ne kishim shënuar golin e avantazhit. Por ishte e kot, pasi ai nuk pranonte të ndryshonte vendimin e gabuar. Menjëherë pas saj vjen rasti tjetër i kontestuar, akordimi i penalltisë, e cila habiti edhe vet futbollistët e Gallatasaraj, të cilët po tërhiqeshin në mbrojtje (mund të shikosh pamjet filmike të ndeshjes), kur shikojnë gjyqtarin që akordon një 11?metërsh. Skandal. Ajo i vuri kapak gjithçkaje. Azerbajxhan numër “2” po luhej në Stamboll”, theksoi Teli, i cili deri në ato momente po bënte një paraqitje shumë dinjitoze, jo vetëm ai, por e gjithë skuadra.
“Ne po luanim shume mirë edhe duke pasur parasysh që po luanim me një lojtar më pak, po dominonim lojën ndaj Gallatasaraj që po luante vetëm me emër. Këtë nuk e them unë, por të gjitha stacionet Radio e televizion dhe raportet e paraqitura nga të gjitha mediat. Kur ka një gjykim të atillë kundra ekipit tënd, nuk është e lehtë që të përqendrohesh kur ke gjithçka në disfavor. Luan jashtë fushe, karshi një ekipi me emër të madh që përkrahet nga një tifozeri e zjarrtë, padyshim që ana psikologjike dobësohet”, vazhdon mbrojtësi 27?vjeçar i skuadrës Haxhetepe komentin e tij rreth gjykimit të njëanshëm të kryesorit Süleyman Abay. Më pas vendasit shënuan edhe golin e tretë me anë të Barros, që rekordoi tripletë në këtë takim. Pesë minuta më vonë mbrojtësi shqiptar kryen një ndërhyrje të parregullt ndaj sulmuesit Lincoln dhe gjyqtari i tregon kartonin e dytë të verdhë, duke e përjashtuar nga loja me karton të kuq.
“Rasti i goditjes së lirë, ishte i drejtë dhe kartoni i verdhë ishte i mundshëm, por po mos kisha kartonin e parë, atëherë unë do të isha në lojë. Falë atij gabimi ka shumë mundësi që ndeshja të përsëritet, pasi ishte një veprim teknik i padrejtë i gjyqtarit kryesor”, vazhdoi Admiri, skuadra e të cilit aktualisht ndodhet në vendin e fundit dhe javën që vjen do të luajë në fushën e vet ndaj Gençlerbirligi, një nga ekipet rivale në konkurrencën direkte për të qëndruar në Super Lig. “Të dielën do të luajmë ndaj Gençlerbirligi, që ndodhet një vend sipër nesh, me dy pikë më shumë. Është një takim të cilin duhet ta fitojmë patjetër, por unë për arsye të kartonit të kuq ka shumë mundësi që të mos luaj, vetëm nëse merret një vendim tjetër nga Komisioni i Disiplinës për të ri luajtur takimin ndaj Gallatasaraj.