Post
by Miri » Thu, 08 May 2008 , 14:27
Bajerni i Mynihut blen 17-vjeçarin Florenc Keri
Bajerni i Mynihut duket se ka filluar të dashurohet me futbollistët shqiptarë. Në preferencat e merkatos së kampionëve të Gjermanisë, disa herë janë përfolur edhe emrat e Lorik Canës dhe Valon Behramit. Gjithsesi, interesimi ka mbetur vetëm në planin mediatik. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për talentin shqiptar, Florenc Keri, që tashmë është pjesë e gjigantëve bavarezë. 17-vjeçari, i cili militonte me skuadrën e të rinjve të Verias në Super Ligën Greke, ka nënshkruar për 4 vjet me Bajernin. Me transferimin në klubin e Bundesligës, djaloshi i lindur më 17 shtator 1990 nga prindër shqiptarë, që për shkak të gjendjes ekonomike emigruan në Greqi, do të përfitojë afro 450 mijë euro. Shifrat e Florenc Kerit janë të jashtëzakonshme në sezonin aktual. Ai ka shënuar 14 gola dhe ka dhënë 22 asist me skuadrën U-19 të Verias. Një mesfushor me nuhatje të pazakontë goli, por që mbi të gjitha tregon shumë personalitet në fushë për moshën që ka. Kjo kishte bërë që në gjurmët e 17-vjeçarit të viheshin edhe Arsenali i Arsen Venger, por edhe shumë klube të rëndësishme helene si Olimpiakos, AEK e Iraklis i Selanikut. Në Greqi e thërrasin me përkëdheli "Lori", ndërkohë për mediat njihet ndryshe edhe me nofkën "elinoalvanos" (shqiptaro-greku). Në vendimin e futbollistit për të zgjedhur Bajernin e Mynihut, mësohet se ka ndikuar familja e tij, ndërkohë që firma është hedhur pak ditë më parë.