Post
by jeti » Thu, 24 Jul 2008 , 09:37
Bishani, portieri që paraljmëron divorcin
Olti Bishani është pjesëtari më i ri i formacionit të kuqebluve të Vllaznisë. Ndonëse 20?vjeçar, ai ka një karrierë të pasur sportive, teksa, përveç portës së kuqebluve, atij i është besuar të mbrojë edhe atë të përfaqësueses së të rinjve dhe të U?21. Bishani është konsideruar si një e ardhme e sigurt e portës shkodrane, ndërsa sezonin e kaluar, duke qenë rezervë e Grimës, luajti në disa ndeshje si titullar. Edhe pse Grima e mbylli sezonin e kaluar duke ngritur lart kupën e Shqipërisë, të fituar nga Vllaznia, rrethanat e rivendosën Bishanin sërish titullar në mbrojtje të portës edhe në ndeshjen e parë të kupës UEFA. Bishani ishte pjesë e formacionit kuqeblu, që fitoi ndaj Koperit 2?1. Në pjesën e parë, që u mbyll 2?0, ai u vlerësua për pritjet mjeshtrore, duke e shpëtuar skuadrën nga gola të sigurt. Por një gol, i pësuar në pjesën e dytë, ka bërë që rreth tij të krijohet një klimë mosbesimi prej stafit teknik. Kjo nuk ka kaluar pa u ndjerë nga 20?vjeçari i portës shkodrane, Olti Bishani, çka e ka shfaqur edhe në prononcimin për “Sport Ekspres”.
Përgjegjësia e golit të pësuar
“Askush nuk dëshiron që skuadra, me të cilën luan, të pësojë gol, aq më tepër portieri, i cili në një farë mënyre është përgjegjësi kryesor, kur topi kalon përtej vijës “fatale” për në rrjetë”, ka thënë për gazetën tonë Bishani, që nuk ishte aspak e vështirë ta dalloje, se vazhdonte të vuante akoma peshën e asaj çka ndodhi në stadiumin në Nova Gorica, në momentin e pësimit të golit. “Jam ndierë me të vërtet keq, kur kam dëgjuar komentet, që ka bërë trajneri Canaj, si dhe shprehjet e përdorura në adresën time, pasi topi i gjuajtur nga sulmuesi slloven ka përfunduar në rrjetë”, rrëfehet portieri, që në fakt, përpos asaj që goli u pësua në rrethanat e një konfuzioni përpara portës, ku edhe mbrojtja dhe të tjerët kishin pjesën e tyre, ai pranon edhe përgjegjësinë e tij. Sipas Bishanit, situata nuk duhet të shkojë deri në atë pikë, sa kontributi i tij në këtë ndeshje të errësohet nga goli i pësuar, në një kohë që ai ka shpëtuar raste të tjera, sidomos në pjesën e dytë, kur skuadra pati një tërheqje të dukshme për të mbrojtur avantazhin.
Sinjalet e largimit
“Nëse trajneri nuk më do, unë mund të largohem nga Vllaznia”, vazhdon prononcimin e tij për “Sport Ekspres”, portieri i ri Bishani, gjithnjë i bindur që klima rreth tij nuk është aspak inkurajuese për vazhdimësinë e bashkëjetëses me stafin teknik atual të kuqebluve. Sipas Bishanit, ai dallon se nuk është aspak në preferencën e teknikut Canaj dhe për këtë thotë se “kur një trajner nuk ka besim te ti, nuk ka arsye të qëndrosh më në atë skuadër”. Bishani shpjegon se mosbesimin Canaj e ka shprehur hapur edhe në intervistat, që ai ka dhënë përpara dhe pas ndeshjes me Koperin, çka nuk e kanë bërë të ndiehet mirë nga ana psikollogjike. Por ndikim negativ, për Bishanin dhe kolegët e tij të portës, Ndoja dhe Grima, kanë patur edhe ardhjet e disa portierëve për provë, që nga Mali i Zi, Kroacia dhe deri nga Amerika. Gjithsesi, për këto raste Bishani nuk është ndierë inferior, sepse vetë fakti që ata u kthyen andej nga kishin ardhur, tregon që niveli i tij ka qenë më i mirë se i tyre, përderisa e vendosën dhe në formacion për ndeshjen e parë të kupës UEFA?s. Ndërkohë, që nga dita e ndeshjes në Slloveni, kur Canaj lëshoi ato pakënaqësi publike ndaj portierit, duke u dëgjuar qartë jo vetëm nga lojtarët në fushë dhe në pankinë, por edhe nga tifozët në tribunë, tekniku nuk është ndalur më në asnjë rast për këtë problem. “Gjatë këtyre ditëve kemi vijuar normalisht seancat stërvitore, duke u përgatitur për ndeshjen e kthimit, por me trajnerin nuk kam pasur asnjë kontakt për këtë problem”, thotë Bishani, ndërkohë që saktëson se edhe analiza e ndeshjes së parë akoma nuk është bërë. Megjithatë, ai po vazhdon të stërvitet me shumë reriozitet për ndeshjen e kthimit me Koperin, ndërkohë që, në mbyllje të prononcimit të tij për gazetën tonë, ai deklaron se ndiehet i pasigurt në përbërje të Vllaznisë.