Post
by Miri » Wed, 08 Oct 2008 , 11:53
Kombëtarja vijon përgatitjet, Duro dhe Salihi në pikëpyetje
Kombëtarja kuqezi vijon përgatitjet për dy ndeshjet e radhës eliminatore, me Hungarinë dhe portugalinë. Përgatitjet e kuqezinjve në Budapest kanë vazhduar të martën me dy seanca stërvitore në stadiumin e Vecsezit. Ekipit i janë bashkuar Jahmir Hyka dhe Admir Teli, por përsëri trajneri Han nuk e ka pasur grupin e plotë. Të martën, Klodian Duro, Hamdi Salihi, Debatik Curri dhe Elvin Beqiri, janë përgatitur veçmas. Nëse për mbrojtësit Curri dhe Beqiri, nuk ka ndonjë shqetësim të madh, e kundërta ndodh me mesfushorin Duro dhe sulmuesin Salihi. Këta të fundit, duke pasur parasysh se vijnë nga dëmtime jo të lehta, riaftësimi i tyre paraqet një problem për stafin teknik. Megjithatë, burime të sigurta të “Sportit shqiptar”, bëjnë të ditur se mjeku i kombëtares, Arben Çeliku, si dhe fizioterapisti belg Stijn Vandebruke, i kanë dhënë garanci trajnerit Han për riaftësimin e lojtarëve.
Tifozë shqiptarë në hotelin e kombëtares
Të martën, në rezidencën e kombëtares, ka pasur vizitorë të veçantë. Bëhet fjalë për tifozët kuqezinj, shqiptarë që banojnë në Budapest dhe në kryeqytetin austriak, Vjenë. Fotot dhe takimet me futbollistët u kanë dhuruar kënaqësi atyre. Ndërkohë, e veçanta është se edhe autobusi i vënë në shërbim të kombëtares, është në ngjyrat kuqezi, si dhe me logon e FSHF-së.
FSHF-ja i kërkon ndihmë FIFA-s për marrjen e vizave
Bllokimi i vizave nga Ambasada Hungareze në Tiranë për tifozët kuqezinj, ka detyruar institucionin e futbollit shqiptar që t’i dërgojë një notë proteste FIFA-s, si organizmi më i lartë i futbollit. Por FSHF-ja nuk është mjaftuar me kaq, pasi e njëjta notë, i është dërguar edhe Ministrisë së Jashtme të Hungarisë, si dhe Federatës së Futbollit të kësaj të fundit. “Kërkojmë një zgjidhje të këtij problemi. Shpresojmë që të mërkurën të kemi një sinjal pozitiv për zhbllokimin e kësaj situate,”- shkruhej në letrën e FSHF-së, drejtuar institucioneve të lartëpërmendura. Tashmë pritet përgjigjia, e cila do t’u hapte rrugën tifozëve kuqezinj për të parë kombëtaren shqiptare në ndeshjen e 11 tetorit me Hungarinë. Kujtojmë që kërkesa e federatës, për pajisjen me viza të tifozëve shqiptarë është bllokuar të hënën nga Ambasada Hungareze, me arsyen se nuk ka më kapacitet.