Post
by fpjalmi » Mon, 19 Jan 2009 , 12:00
Presidenti Duka u vë “notat” trajnerëve të kombëtares
Autori: editor
Data: 18/01/2009
Version Print
Gjatë intervistës së tij në emisionin në fjalë, presidenti i FSHF-së Armand Duka, është ndalur dhe ka folur edhe për trajnerët e huaj të kombëtares, të cilët kanë qenë një preferencë personale e “epokës” së tij në krye të FSHF-së. Pyetjes, se çfarë impresionesh i ka krijuar puna e trajnerëve të huaj, të emëruar në krye në kuqezinjve deri tani, presidenti Duka iu përgjigj pa ngurrim. Përgjigja, në njëfarë mënyre, ishte edhe një “notë” për punën dhe performacës së tyre, në drejtimin dhe orientimin e kuqezinjve tanë të futbollit, gjithnjë sipas optikës së presidentit të FSHF-së. “Shkurtimisht mund të them që Dosena ka qenë një specialist i mirë, një etalon disipline, por i ndërlikuar në aspektet kontraktuale. Brigeli, një trajner shumë i mirë, elastik, e donin në këtë skuadër dhe që rezultatet nuk i munguan. Bariç? Profesori me një të kaluar të madhe në shpinë dhe që e infiltroi edhe në kombëtaren shqiptare, vendimtar, kurajoz, guximtar në fushë. Për trajnerin aktual? Të themi të vërtetën, deri tani ka marrë më shumë pikë se paraardhësit e tij, por është trajner i kombëtares dhe që po punon shumë mirë”, - përfundon “skanimi” i tij presidentit të futbollit, Arman Duka për trajnerët e huaj të kombëtares kuqezi.
“Fitorja me Greqinë, më e bukur se pika me Portugalinë”
Eshtë fillim viti dhe presidenti Duka kthehet të rrëfejë në lidhje me futbollin shqiptar pozicionin e tij, ekipin kombëtar dhe gjithçka tjetër që lidhet me futbollin në vend. Në rrëfimin e tij për emisionin “Skaner”, të gazetarit Gerti Çarçani, presidenti, duke lënë në “fuqi” ato që preku në konferencën për shtyp, tregon ndoshta edhe më gjerë, shfaqet me optimist në lidhje me atë që quhet “paqe” projektesh me shtetin, lë të hapur portën për një trajner vendas në krye të kuqezinjve, në një kohë, që në lidhje me UEFA‑n, Johansonin e cilëson një njeri të madh. Një pjesë të këtij “soft”-i intervistues, gazeta “Sporti shqiptar” e ka zbardhur për lexuesit e saj.
‑ Zoti president, gjatë vitit 2008, kombëtarja dhe kampionati, sipas jush, kanë ecur paralelisht në aspektin trajtues nga ana e institucionit që ju drejtoni?
‑ Me bindje them që po. Sikurse e keni parë, është mbyllur vjet një kampionat me finale, me titullin të vendosur në fund. Ky vit ka sërish ngushtime në klasifikim, loja dhe gara është bërë edhe më interesante, në një kohë që mund të them fare mirë që edhe skuadra kombëtare, nga ana tjetër, ka dhënë jo pak. Jo vetëm pika në Portugali, por edhe pikët në tërësi deri tani, në një kohë që jemi përpara një sfide shumë të vështirë, me Maltën. Le të themi të ëndërrojmë, por me Maltën do të jetë shumë e vështirë. Në këtë aspekt, FSHF ka mekanizmat e saj për t’i qëndruar afër në trajtim dhe organizim si kampionatit ashtu dhe ekipit kombëtar në nivele konstante. Nuk mund të them që ka kontrast, them se kanë shkuar paralelisht.
‑ Prekët në konferencën për shtyp shuarjen e konflikteve me shtetin. Tjetër erë marrëdhëniesh…?
‑ Mund të them erë projektesh dhe linjë bashkëpunuese. Ajo që ndodhi gjatë vititi 2008, në tërësi evidentoi edhe një herë faktin që përgjithësisht shteti duhet ta lërë të paprekur autonominë e federatave, jo vetëm të futbollit. Për të mos instaluar precedentin e ndërhyrjes në çdo moment, pa bazë ligjore në një forum të zgjedhur, por duke qëndruar strikt zbatueshmërisë së ligjeve të shtetit shqiptar.
‑ Cili ka qenë momenti më delikat, zoti Duka, gjatë kësaj periudhe që flasim, në kohën kur ju dhe federata ishit nën objektivin e ashpër të shtetit?
‑ Ka qenë një periudhë përgjithësisht e ngarkuar dhe shumë intensive me zhvillime. Por ajo që më ka lënë shije të keqe dhe aspak të mirë, ka qenë ajo që një grup njerëzish janë përdorur për të manipuluar qëllimisht situatën dhe për të krijuar një tymnajë pa argument. Ata njerëz, të cilët nuk kam dëshirë t’i lakoj tani me emra, janë përdorur, dhe për këtë më vjen keq, për ta çuar federatën deri në përjashtimin e përkohshëm nga FIFA dhe UEFA, që ka qenë një goditje e rëndë. Pastaj, momentet e tjera ishin një aksion paralel, ku federata në çdo moment nuk ka luajtur kokëfortin, por thjesht ka penguar interferimin joligjor dhe jostatutor nga shteti.
‑ Mund të thuhet, zoti Duka, që ishte presidenti Topi ai që e zgjidhi këtë situatë?
‑ Jo vetëm. Ai ka luajtur një rol më se deciziv, ka qenë një interlokutor, dashamirës i sportit dhe që në një moment delikat evitoi të gjitha, mund të themi, ato “sebepe” që vinin nga ministria. Por nuk dua kurrsesi të mohoj këtu edhe kontributin e komunitetit të futbollit, ku bashkarisht zgjidhëm një çështje të tillë. Të mos keqkuptohemi, roli i zotit Topi ka qenë në momentin e duhur shumë aktiv dhe pozitiv, por në tërësi situata kaloi edhe me vullnetin e përbashkët të komunitetit të futbollit. Megjithatë, nuk dua t’i kthehem më asaj periudhe, që e konsideroj të errët, por fatmirësisht të kaluar tashmë.
‑ Kthehemi te një tjetër periudhë bezdisëse. Nervozizmi juaj në Azerbajxhan me gjyqtarët…?
‑ Shiko, ne kishim udhëtuar 2000 km për të bërë një miqësore në atë vend dhe roli dhunues i arbitrit nuk çoi në qëllimin e miqësores sonë, për të parë disa elementë‑kandidatë për në ekipin kombëtar, sepse rrjedha e lojës nuk e lejoi këtë gjë. Edhe vetë arbitrit të ndeshjes, në prani edhe të homologut tim nga Azerbajxhani, i thashë pikërisht këtë gjë: “Kemi udhëtuar dhe nuk mund të dhunosh një ndeshje të tillë, miqësore dhe në atë formë. Kurrsesi.” Lojtarët ishin shumë të irrituar dhe duhet të kuptoni edhe gjendjen e tyre, që me vështirësi dhe pasi panë e mësuan atë që ndodhi, vendosën të hyjnë në fushë. Në fakt, nuk ishte e lehtë të superoje atë moment, por mbi të gjitha të luanin një pjesë të dytë, të dhunuar nga e para.
‑ Zoti Duka, është një temë e lakuar së shumti, por, për sa kohë do të jeni president, e keni të mbyllur pistën e trajnerit vendas për pankinën e kombëtares?
‑ Absolutisht jo, aspak. Nuk ka qenë ndonjëherë e mbyllur. Unë thjesht kam bërë zgjedhjet e mia të huaja, por shanset dhe mundësitë janë edhe për trajnerë vendas, të cilët ne nuk është se nuk i kemi si kontigjent të aftë për të drejtuar një skuadër kombëtare. Po kështu, mund të them që ka edhe ish‑lojtarë, sikundër edhe në shumë vende të botës, që kanë hyrë në këtë rrugë dhe mundësitë në një të ardhme të afërt mund t’i kenë.
‑ Presidenti Duka, fitorja me Greqinë, apo pika në Portugali kanë qenë momentet më pikante të kësaj kombëtareje…?
‑ Do të thosha fitorja me Greqinë. Një situatë elektrizuese, një stadium që gëzonte atje dhe një Shqipëri që festonte nëpërmjet ekranit, pasi kishim mundur skuadrën kampione Europe në fuqi. Mund të them që deri tani është momenti më fantastik. Ka edhe ndeshje të tjera, përfshi edhe pikën me 10 futbollistë në Braga, apo edhe ndeshje të tjera. Por fitorja me Greqinë, deri tani, për mua nuk mund të zëvendësohet. Kombi u skuq kuqezi, me një fitore të merituar.
‑ Diçka, zoti Duka, nga momenti i zgjedhjes së Platinisë në UEFA dhe kontrasti me zgjedhjet në Shqipëri, ato sportive…?
‑ Për kontrastin nuk do të zgjatem, për të mos thënë që nuk ka nevojë. Zgjedhjet në UEFA? U fituan me vetëm 2 vota, humbi një burrë i madh i futbollit, si Johanson, ku në garë mund të them fare mirë që ishin dy presidentë. Shtrëngim duarsh, garë e fortë dhe etalon i jashtëzakonshëm i përcjelljes së stafetës. Johanson, edhe pse u mund me 2 vota, ishte një njeri i madh i futbollit europian dhe botëror. Një kolos.
‑ Zoti Duka, e keni menduar ndonjëherë largimin nga posti i presidentit të FSHF‑së, ose më saktë në ndonjë moment para zgjidhjes së krizës, e keni menduar këtë gjë?
‑ Jo për t’i anashkaluar pyetjes, por për të qenë më i qartë, unë jam munduar gjatë gjithë jetës dhe punës sime të respektoj impenjimet e ndërmarra së bashku, pasi puna është tërësisht në grup. Nuk kam lënë në asnjë moment hapësirë për të prishur një punë të nisur. Bashkarisht kemi nisur një punë me komunitetin e futbollit me shprehjen e vullnetit të tij dhe atë besim nuk mund ta ndërpres.