Post
by Skodrinon » Thu, 28 May 2009 , 18:26
“Shqiptare, do t’ju bej krenare per kuqezinjte”
Kuzhe: Ketu jam qe tani ne atdheun tim te dyte, do punoj shume
Për të bërë një intervistë me Josip Kuzhenë, duhet të përdorësh një dredhi “miqësore” për ta nxjerrë nga “skrofulla” e dhomës nr. 124 të hotel “Rogner”, atu ku është akomoduar në ditët e para “full time”, trajneri i Shqipërisë. “Më jep vetëm 10 minuta kohë sa të bëj një dush dhe jam gati për intervistë. Jam gati t’i përgjigjem gjithçkaje”- thotë në anën tjetër të receptorit bashkëkombasi i Otos. Pak minuta më pas takohemi në hollin e hotelit “austriak”. Kuzhe i veshur thjesht. Bluze e xhinse. Mikpritës si zot shtëpie. Elegant, si një ish-futbollist e trajner. Diplomat, si një jurist. Dy dashuritë e tij më të mëdha në jetë.
...
Zoti Kuzhe, prej një jave jeni trajneri i ri i Shqipërisë. Ju jeni një lojtar i famshëm në Kroaci. Le t’iu prezantojmë për lexuesit së pari nga ky këndvështrim?
Kam luajtur shumë i ri me Dinamon e Zagrebit, një nga klubet më të famshëm nga skuadrat e ish-Jugosllavisë. Besoj se kam qenë një futbollist interesant. Të paktën mediat e atjeshme më kanë përshkruar e më kujtojnë kështu. Kur isha i ri, arrita edhe të luaja për Jugosllavinë U-21 (14 ndeshje). E përfundova karrierën time si futbollist shumë i ri, në moshën 28-vjeç për shkak të një dëmtimi, por gjithsesi nuk kam pak ndeshje në këmbë (384 takime). Ruaj shumë kujtime të mira nga jeta ime si futbollist.
Futbolli ishte në traditën e familjes suaj, apo ju dalluat cilësi të veçanta te vetja, që iu përkushtuat atij?
Jo, nuk ka të bëjë fare me këtë. Familja ime kishte në traditë diçka krejt të largët me futbollin. Im atë, Sllavko, ishte një mjeshtër muzike, ai nuk e pëlqente futbollin e nuk dëshironte që unë të bëhesha futbollist. Nga ana tjetër, unë i ndiqja ndeshjet dhe isha me të vërtetë i mahnitur pas futbollit. Natyrshëm, që futbolli ishte loja jonë më e dashur në fëmjëri, ashtu siç besoj se ka qenë dhe është edhe në Shqipëri. Duhet të kuptoni, se në kohën tonë (Kuzhe është 56 vjeç), nuk ka pasur shumë gjëra si sot. Në Kroaci kishte shumë futboll e disa sporte të tjera, si basketboll apo hendboll, ku mund të behëshe i famshëm. Në të njëtën kohë që luaja, vazhdoja edhe studimet për jurist, duke qenë i shkëlqyer në rezultate.
Të qenit jurist e trajner futbolli janë dy gjëra krejt të ndryshme në thelb. Sa të ndryshëm janë ato për Kuzhen dhe cili është pasioni juaj që peshon më shumë te ju?.
Jurisprudenca ishte dashuria im, duhet ta pohoj këtë. Pas diplomimit, unë mund të isha një jurist shumë i mirë, por unë mendoja se futbolli ishte e gjithë jeta ime. Vizioni im lidhej gjithmonë me të. Kur përfundova karrierën time si futbollist, me duhet t’i jepja përgjigje një pyetje thelbësore, do të isha përfundimisht një jurist apo do t’i përkushtohesha karrierës së trajnerit. Dhe jam tani një trajner i vjetër: 27 vjet eksperiencë (nga 1982-shi). E nisa karrierën time të trajnerit shumë suksesshëm në Australi, duke zënë vendin e parë me një ekip të quajtur “Croatia Sidnej”, një ekip që në të vërtetë nuk kishte lojtarë kroatë, por nga disa kombësi. Nuk kishte një skuadër me emrin e Shqipërisë në atë kohë
Ju keni një eksperiencë të madhe si trajner, madje keni drejtuar në katër kontinente, Europë, Afrikë, Azi e Australi. Shqipëria është skuadra e 13-të e juaja, duke përshirë edhe Ruandën e 11 ekipe të ndryshme. Si ndihet një trajner kozmopolit?
Unë jam një tip që më pëlqen të provoj shanse të reja në jetë. Përpiqem gjithmonë të krijoj një raport me vendasit. Në fakt, unë kisha shansin të drejtoja një skuadër amerikane në Florida, gjashtë muaj më parë, por tashmë që kam marrë drejtimin e Shqipërisë, ai kapitull është plotësisht i mbyllur. Kam drejtuar dy klube në Japoni. Gamba Osaka është një klub i madh dhe më paguan një shumë të jashtëzakonshme, por nuk më pëlqen të flasim për paratë. Ekzistojnë shumë thashetheme për mua për këtë (bën një gjest përbuzje). Së fundi, drejtova JEF United Tokyo. Dhe aty u pagova mirë, por qëndrova shumë pak. Në Japoni më pëlqeu mentaliteti i njerëzve, stili i jetës së tyre, por dhe dashuria gjithmonë në rritje për futbollin.
Përvoja juaj e parë në nivel ekipesh kombëtare lidhet me një ekip afrikan, Ruanda (nëntor 2007-janar 2008). Keni qenë shumë i suksesshëm atje: 6 ndeshje, katër fitore, një barazim e një humbje?
Ka qenë me të vërtetë një episod i bukur në jetën time. Në Ruandë ishte shumë nxehtë, madje e padurueshme për një evropian. Por, sinqerisht ishte një eksperiencë e këndshme. Shijova emocione të bukura. Gjithsesi, ishte një vend edhe pak i ndryshëm, thuajse beton, kur e krahasoj me Japoninë, ku është gjithçka perfekt. Ruanda ishte pak i çuditshme, por e shijova dhe krijova lidhje shumë të mira me njerëzit atje. Ne arritëm edhe në finalen e Sesafa Cup (Tanzani 2007). Kanë një ekip të mirë, madje dhe sot kanë shanse të luajnë në finalet e Botërorit. Aktualisht ruaj kontakte të ngushta me drejtuesit e Federatës. Ata më pyesin mua për gjithçka që duan të bëjnë. Edhe tani jam këshilltar i tyre, madje u kam rekomanduar trajnerin aktual, kroatin Branko Tuçak, një ish-lojtar që ka luajtur në Francë (Metz, Nansi, Angers). .
Shkolla kroate e trajningut në Shqipëri është shumë e njohur, madje tepër e respektuar. Oto Bariç, njeriu që edhe i rekomandoi me superlativa emrin tuaj presidentit Duka për stolin e Shqipërisë, është një emër mjaft i respektuar këtu. Si i keni marrëdhëniet me “Maximalen”?
Bariç ishte i rëndësishëm, ai i sugjeroi presidentit Duka emrin tim. Por, njeriu që pati kontaktet e para me federatën ishte një tjetër. Emri i tij është Iliçiç, një menaxher që punon më shumë në Gjermani e Austri. Me Bariçin njihemi mjaftueshëm me njëri-tjetrin, por nuk është se jemi miq të ngushtë. Ai është një trajner i shkëlqyer, teknik që meriton respekt. Ndihem i vlerësuar nga rekomandimi i tij dhe e ka bërë me gjithë zemër. Ai më tha: ‘Shko në Shqipëri, se Kombëtarja e atij vendi ka potencial. Ka disa lojtarë të mirë. Ju ndoshta do të bini në dashuri me skuadrën’. Pak kohë pasi kisha nisur kontaktet me Federatën tuaj, më kontaktuan nga Japonia, por iu përgjigja se kisha vendosur për të drejtuar Shqipërinë. E konsiderova këtë një mundësi speciale. Motivi im është të bëj diçka të bukur. Të fitoj. Të bëj atë që është mirë për mua dhe t’i bëj njerëzit të lumtur. Kam provuar emocione të mira gjatë këtyre ditëve të para në Shqipëri. Është si një dashuri e re për mua (qesh). Kam një ndjenjë të mirë se do të bëj një punë shumë profesionale.
Shqipëria ka një eksperiencë të suksesshme. Disa emra të mëdhenj të trajningut kroat kanë drejtuar këtu. Luka Bonaçiç, Ivan Kataliniç, Zllatko Daliç, që të tre te Dinamo, Sklavko Kovaçiç te Flamurtari e kroato-boshnjaku Blaz Slishkoviç te Tirana. A keni marrëdhenie me ndonjërin prej tyre?
Jemi një vend i vogël, pak më i madh se Shqipëria. Është normale të kem marrëdhënie me të gjithë. Jetoj me disa në të njëjtin qytet. Kam ndarë disa mendime me ta, por jo me të gjithë kam marrëdhënie të njëllojta, me dikë më të afërta. Daliçin e njoh shumë mirë, pasi jeton afër Zagrebit. Luka Bonaçiçin e njoh gjithashtu. Me Kataliniçin jemi miq të vertetë, pasi dhe ai ka drejtuar te Hajduku i Splitit.
Ju jeni trajneri i pestë i huaj i Shqipërisë në shtatë vitet e fundit, pas italianit Dosena, gjermanit Brigel, (kroatit) Bariç e holandezit Han. Brigeli ka dhënë deklaratan në median shqitare shumë të mira në lidhje me ju si trajner?
Përveç Bariçit, mik të mirë kam edhe Hans-Peter Brigelin. Me Brigelin kam qenë për dy vjet në të njëjtën Akademi trajnerësh futbolli. Ne jemi diplomuar së bashku. Jemi të së njëjtës gjeneratë. Njoh gjithashtu Morten Olsenin, trajnerin e Danimarkës (kundërshtare e Shqipërisë). Kur Brigeli fitoi kundër Greqisë e kam uruar përmes telefonit dhe jo pak herë kemi biseduar me njëri-tjetrin gjatë kësaj kohe.
Bariç gëzon ende një reputacion të pakundërshtueshëm, ndërkohë që Ari Hani dështoi me Shqipërinë. Të gjithë presin diçka të mirë prej jush?
Unë e di se cila është puna dhe përgjegjësia ime. E kam pranuar me dëshirë ofertën e bërë nga federata juaj e futbollit. Unë e dua vendin tuaj. E konsideroj një atdhe të dytë tani, pasi pjesën më të madhe të kontratës sime do të qëndroj këtu. Dua të theksoj se nuk mund të gjykohem vetëm me tri ndeshjet e para (Portugali, Danimarkë, Suedi), të gjithë e dini sa me çfarë ekipesh të super-motivuara do të përballemi. Unë do të luftoj për rezultate të mira.
Le të flasim për lojtarët shqiptarë me të cilët lidhet edhe puna juaj. Në konferencën e parë për shtyp në Shqipëri, pohuat se njihni Erjon Bogdanin?
Unë kam trajnuar Bogdanin, Skelën. Njoh disa lojtarë të viteve më parë si (Altin) Rraklli, (Igli) Tare, (Fatmir) Vata. Lojtarët e rinj nuk i njoh, por natyrisht, që tani kam mbledhur disa informacione më shumë mbi lojtarët, pasi kam parë një ndeshje në stadium ndeshjen Tirana-Vllaznia, kam parë DVD-të e ndeshjeve të Kombëtares. Gjithsesi, përshtypjet e mia të vërteta do të jenë pas stërvitjeve të para.
Portugalia vjen pas vetëm 10 ditësh. Si po e përjeton sfidën e tij të parë trajneri i ri i Shqipërisë?
Portugalia është një skuadër shumë e fortë. Ka lojtarë të shkëlqyer. Por, janë ata që kanë presionin më të madh. Kanë shumë ambicie për të fituar. Në rast se nuk e fitojnë këtë ndeshje, i thonë lamtumirë Botërorit. Dhe këta e dinë shumë qartë këtë. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, për më tepër që ata humbën pikë të çmuara me Shqipërinë në vendin e tyre. Ne do të organizohemi shumë për këtë ndeshje. Lojtarët do të jenë shumë të motivuar përballë Ronaldos me shokë. Kam besim se do të bëjmë një ndeshje të madhe. Ne kemi një motiv më shumë. Dëshirojmë të bëjmë një imazh të mirë përpara tifozerisë sonë, pse jo të habisim edhe një herë tjetër Europën
Cili është opinioni qe keni krijuar tani për Kombetaren?
Shqipëria nuk është ndër skuadrat më të mëdha në Europë, si Italia, Gjermania, Anglia, por mund të luftojë shumë fort kundër tyre, ndërkohë që objektivin e vërtetë e ka kundër ekipeve të nivelit të dytë si Hungaria apo dhe të guxojë kundër Danimarkës. Shqipëria sipas opinionit tim është një skuadër që arrin të gjejë motivimin. Ne mund të bëjmë së bashku diçka speciale, brenda objektivave tona. Unë personalisht dua që të jem i suksesshëm. Të jem krenar përballë shqiptarëve. Dua që ata të jenë të lumtur me mua. Ky është objektivi im. Dua të largohem i tillë nga Shqipëria.
S.Ekspres