Post
by Skodrinon » Sat, 16 May 2009 , 01:37
Paulin Ndoja: Jeta ime i përket Vllaznisë dhe portës
Paulin Ndoja, një nga pjestarët e skuadrës së 90 viteve. Kënaqësi për ju personalisht?
- Sigurisht që është kënaqësi e madhe sepse është një vlerësim për kontributin tim për këtë skuadër. Unë vlerësoj të gjithë
ata që kanë luajtur në portë gjatë këtyre 90 viteve të Vllaznisë sepse ka dhënë secili kontributin e tij. Për të qenë i sinqertë, ndihem i vlerësuar meqë më kanë votuar ish-futbollistë, trajnerë, specialistë e gazetarë. Njëkohësisht edhe sportdashësit të cilët duhen vlerësuar maksimalisht që na
rritën dhe na vlerësuan gjithë jetën, pse jo gjithë sportdashësit shqiptarë që na kanë duartrokitur në çdo fushë ku kemi luajtur.
Keni qenë fitues edhe në anketën e zhvilluar para 10 vjetësh me rastin e 80 vjetorit të klubit Vllaznia. Duket se vlerësimet për ju nuk do të mungojnë kurrë apo jo?
- Po, edhe në anketën e zhvilluar me rastin e 80 vjetorit kam qenë pjesë e 11-shes. Por më duhet ta pranoj se anketa për
90 vjetorin ka qenë shumë më e veçantë. Gjej rastin këtu të falenderoj edhe gazetën tuaj “Vllaznimi Sportiv” e cila ka bërë një anketë vërtetë serioze dhe prandaj kënaqësia ka qenë më e madhe me këtë rast.
Mund të ishte dikush tjetër në vendin tuaj?
- Për 90 vjet kanë dhënë kontributin e tyre për Vllazninë shumë portierë duke nisur nga Dodë Tahiri, Ahmet Nuti, Sheuki
Boshnjaku, miqtë e mi Met Metani e Mihal Shkodra, për të vazhduar me Jonuz Telin, Zija Danin, Pjetër Dushajn, Huso Haxhija, Ahmet Metën, Genc Boshnjakun, Isa Sukajn, Gjergji
Kushen, Agim Maliqatin, Julian Gjeloshin e për të vazhduar me nxënësit e mi Avenir Dani, Armir Grima, Pjerin Martini, Hektor
Dani, Arjon Mustafa, Gaspër Ndoja,Ideal Lekiqi, Elis Dervishi e Olti Bishani. Ata kanë dhënë secili kontributin e vet për Vllazninë dhe i vlerësoj e respektoj por vlerësimi ka qenë për mua dhe sigurisht që ndjehem mirë teksa jam në këtë 11-she.
Karriera juaj ka filluar herët, më 1964 në mos gaboj?
- Po, ka qenë viti 1964 kur kam debutuar me të rriturit. Vija prej ekipit të të rinjve me trajner Xhelal Jukën. Më duhet të
ndalem tek ky njeri. Ai ka punuar me plot përkushtim për mbi një vjet me mua dhe ishte pikërisht professor Xhelali ai që duke më njohte mirë edhe ngaqë vetë vinte nga një familje të persekutuarish si familja Juka, më përkrahu dhe duke parë edhe aftësitë e mia, më motivoi në rrugën time për t’u bërë portier. Unë i jam shumë mirënjohës dhe borxhli këtij njeriu dhe pikërisht sukseset e mia ia dedikoj atij. Fillova në nëntor të vitit 1964 të stërvitesha me të rriturit me të cilët merrja edhe trajtimin ushqimor dhe në janar të vitit 1965 nisa të luaja.
E mbani mend ndeshjen e parë?
- Po ka qenë një ndeshje ndaj ekipit të Durrësit. Sëbashku me Sabah Bizin ishim grumbulluar nga trajneri Jareci për të qenë
me skuadrën. Në pjesën e dytë të asaj ndeshjeje, zëvendësova portierin Jonuz Teli i cili kishte vite që luante me Vllazninë. Ka qenë shumë e vështirë për mua ajo periudhë dhe s’ka shumë nevojë për komente por unë isha në delir. Dua të them fjalët më të mira këtu për Skënder Jarecin, trajnerin që ndonëse punoi pak në Shkodër la gjurmë në futbollin e këtij qyteti. Sidomos në përkrahjen që na dha ne elementit të ri.
Aktivizimi në atë ndeshje ndaj Lokomotivës së Durrësit erdhi kur unë isha 19 vjeç. Mu duk sikur mu hap qielli. Kisha realizuar një ëndërr të madhe time. Përsëri falenderoj trajnerin Jareci për besimin që më dha dhe njëkohësisht edhe ndihmësin e tij Rifat Rusin i cili më njihte mirë. Pasi mora
besimin e tyre, u futa në fushë dhe që atë ditë dhe derisa lashë futbollin besoj se kam bërë gjëra të mira.
Aq sa të gjithë të ju vlerësojnë ende edhe sot apo jo?
- Falenderoj në rradhë të parë tifozët, ata më kanë dashur dhe më duan sërish prandaj dhe Paulin Ndoja jo pa qëllim është një futbollist shumë popullor.
Njiheni edhe si pritës i mirë i penalltive. Sa e vërtetë është kjo?
- Shumëkush mbase mban në mend finalen e kupës së vitit 1972 kur ndaj Besës Rragami shënoi 7 penallti ndërkohë që në krahun tjetër, unë ndihmova që Vllaznia të fitonte këtë trofe. Por të mos harrojmë se penalltitë e para që kam pritur kanë qenë në vitin 1965. Ka qenë ndeshja gjysmëfinale e kupës. Luanim në Shkodër me Gjirokastrën. 90 minutat dhe më pas edhe shtesat u mbyllën në barazim. U gjuajtën 11-metërshat dhe unë prita tre
penallti duke e çuar Vllazninë në finale që më pas do ta fitonte atë trofe pas fitores me Skënderbeun me gol të Selami Danit.
I përkisni një brezi të shkëlqyer futbollistësh. Sa rol ka patur ky brez në karrierën tuaj?
- Në vitin 1965 kur debutova me Vllazninë, sëbashku me mua u afruan në ekip edhe disa futbollistë të tjerë të rinj si Bizi, Z.Basha, Puka, Rragami ishte pak më i madh se ne ndërkohë që në skuadër gjetëm edhe lojtarët me përvojë si S.Zmijani,
Çapalikun, K. Gjonin etj. Alternimi i mirë i këtyre brezave bëri që Vllaznia pas plot 19 vjetësh të fitonte një trofe. Njëkohësisht bëmë edhe kthesën e madhe për futbollin shkodran i cili në atë periudhë nuk po kalonte momente të mira. Pas vitit 1965, ekipi gjithnjë renditej në tre-katër vendet e para derisa mbërritëm në sezonin 1971-72 kur morëm kupë e kampionat. Ndodhi një mrekulli. ishin thuajse po ato lojtarë me Ndojën, Rragamin, Bizin, Zhegën, Pukën, Z.Bashën, Rakiqin, M.Dedjen, Koçobashin, Lekën, Hoxhën etj. Ndodhi ajo që nuk
kishte ndodhur asnjëherë më parë, të fitohej brenda një sezoni kupë e kampionat sëbashku nga një skuadër. Vllaznia ende edhe sot nuk e ka arritur kurrë më një gjë të tillë.
Çfarë kishte të veçantë ky sukses?
- Të veçantë kishte dy trofetë. Pastaj e veçanta tjetër më e madhe ishte se triumfuam ndaj Dinamos së Ministrisë së Brendshme dhe Partizanit të Ministrisë së Mbrojtjes. Dy skuadrave që kishin pushtet të plotë edhe në futbollin shqiptar falë faktit se tifozë të tyre ishin disa gjeneralë të mëdhenj. Dhe Vllaznia që gjithnjë kishte vuajtur nga këto dy ekipe, gjeti momentin të festonte.
Po tjetër, çfarë ka patur të veçantë viti 1972 për Paulin Ndojën?
- Më prekët pikërisht tek dhimbja ime e madhe. Ky vit më kujton grumbullimin tim me kombëtaren e Shqipërisë. Ishim
grumbulluar për të luajtur një ndeshje zyrtare në Finlandë. Përpara se të shkonim atje, zhvilluam një miqësore në Tiranë
ndaj ekipit kinez. Unë isha në portë në atë ndeshje. Për një muaj e gjysëm grumbullim, isha duke përjetuar një ëndërr të stërvitesha nga Loro Boriçi dhe të luaja përkrah Panajot
Panos, Sabah Bizit, Ramazan Rragamit, Skënder Hykës, Astrit Ziut, Bujar Canit etj. Shpresoja të isha edhe në Finlandë por
kisha gabuar. Ëndërra ime mori fund këtu. Më përjashtuan nga ekipi kombëtar për shkak të biografisë dhe pas 7-8 muajsh më
larguan edhe nga Vllaznia.
Në çfarë moshe ishit atëherë?
-Në kulmin e formës, në kulmin e pjekurisë, 28 vjeç.
E prisnit një largim të tillë?
-Edhe e prisja por fakti që unë grumbullohesha në ekipin kombëtar kur nuk lejohej asnjë futbollist tjetër, më mbante me shpresë se mbase mua më kishin harruar por kisha gabuar. E kuptova se ato grumbullime vinin ngaqë opinioni bënte presion për të ftuar në kombëtare ngaqë i dinte vlerat e mia.
E vuani ende atë largim nga futbolli?
-Nuk do ta harroj derisa të vdes. Janë momente që edhe po të duash, nuk të hiqen lehtë nga mendja.
Po çfarë ishte ajo biografi që ju solli gjithë këto pasoja?
-Unë vija nga një familje e mesme qytetare, padiskutim me bindje antikomuniste dhe pikërisht këto bindje i pagova tek karriera ime në futboll. Por diskriminimi ndaj familjes sonë nuk do mbetej me kaq. Vëllai im Fredi ishte portier me të rinjtë e Vllaznisë ndërsa vëllai tjetër Franci me fëmijët dhe kishte për trajner Muhamet Dibrën. Pasi më kishin përjashtuar mua, rregjimi i asaj kohe, do ta vazhdonte hakmarrjen. i përjashtojnë të dy nga klubi Vllaznia. Kujtoj këtu me respekt
Muhamet Dibrën që u pat shprehur: Ka qenë momenti më i keq i jetës sime kur më thanë se duhej të përjashtoja nga skuadra
vëllezërit Ndoja madje ata nuk kishin të drejtë të merrnin as një fanellë të Vllaznisë. Deri këtu shkoi persekutimi i familjes sime.
Ka qenë e vështirë për ju të qëndronit larg futbollit, larg Vllaznisë?
-Secili që është në moshën time apo dhe 10-15 vjet më i ri, besoj se e ka parasysh se çfarë gjendje shpirtërore po kaloja në atë periudhë. Nga një idhull për shumëkënd, u shndërrova në një hiç sepse kështu donin njerëzit e pushtetit. Megjithatë e
përballova atë situatë duke vazhdu me e dashtë futbollin, tuj u lidh përjetësisht me këtë sport.
Megjithatë vite më vonë u rikthyer sërish në klubin tuaj të zemrës, tashmë si trajner portierësh apo jo?
-Po ka qenë viti 1985. Astrit Hafizi në atë kohë kishte marrë drejtimin e Vllaznisë. Megjithëse unë kurrë nuk kisha luajt futboll me të, pra nuk kisha ndonjë afrimitet, këmbëngul përpara Komitetit të Partisë dhe megjithë kundërshtimet e shumta të inspektorëve që s’ka nevojë t’i përmend me emra sepse jam një person që nuk merrem me të shkuarën, këmbëngul dhe arrin që të marrë në ekip si trajner portierësh. Për rrjedhojë jam i pari trajner portierësh në
Shqipëri sepse asnjë ekip tjetër, madje as kombëtarja nuk kishte një njeri që stërviste portierët. Dhe e dini cili ka qenë pozicioni im në organikën e klubit? Trajner pingpongu. Po, është mëse e vërtetë. Falë dashamirësisë edhe të Hivzi Bushatit që mbulonte pingpongun dhe paguhesha me një pagë qesharake: 700 lekë të vjetra në muaj. Por për mua nuk kishte rëndësi paga. isha i kënaqur se u ktheva sërish në klubin tim të zemrës.
Tani një mendim tuajin për secilin nga pjestarët e tjerë fitues të anketës së “11-shit më të mirë të 90 viteve”.
E fillojmë me Hysen Zmijanin…
-Lojtar mbrojtës. E njoh shumë mirë, e vlerësoj për cilësitë e tij, gjakëftohtësinë, teknikën dhe qetësinë.
Muhamet Dibra…
-Në fillim e kam pasë si trajner. Nuk e kam pa duke luajt por vlerësoj bisedat dhe ato çfarë kam dëgjuar nga të tjerët për të si mbrojtësi i hekurt dhe me vlera. Si njeri, do thoja i mrekullueshëm.
Fatbardh Jera…
-Kam qenë bashkë me të në ekip si trajner. i fuqishëm,i përkushtuar dhe taktik.
Ramazan Rragami…
- Jo pse kam luajt me të, por e thonë të gjithë. Ka vlera të jashtëzakonshme. Një mesfushor i kalibrit të lartë.
Sabah Bizi…
- Më i madhi i mesfushës shqiptare. Më rrënqethet trupi edhe tani kur mendoj ndeshjet e tij në fushë.
Ferid Rragami…
- I hekurt, i disiplinuar dhe njeri i sakrificës.
Luan Vukatana…
- Lojtar teknikisht mirë, i domosdoshëm për ekipin.
Loro Boriçi…
- Se kam pa tu luajt por nuk ka dyshim. Shkodra duhet me u krenu me të ashtu si Shqipëria.
Medin Zhega…
- Sulmues, virtuoz në kuptimin e vërtetë të gjuhës italiane. Që në moshën 13 vjeçare jam me të në ekip. Teknikisht i përsosur, i veçantë në lojën me kokë.
Vioresin Sinani…
- Kam kënaqësinë më të madhe që të flas sot si trajner i tij dhe vazhdoj të punoj me të. Të flas për një golashënues, vlerat e të cilit i tregojnë më së miri golat e shumtë që
ka shënuar. Vllaznia rrallë do ketë më një sulmues-golashënues si ai.
Dhe së fundi trajneri Xhevdet Shaqiri…
- Një trajner, një burrë i pastër dhe i ndershëm. Pati fatin të punonte me një brez të shkëlqyer lojtarësh dhe fitoi më
shumë nga të gjithë trofe.