Post
by Miri » Thu, 30 Jul 2009 , 19:29
Ferrari, akord historik,Shumaker sërish në pistë
Një lajm sensacional ka përfshirë dje Formula 1: Mikael Shumaker rikthehet në pistë pas dy vjet e gjysmë, duke zënë vendin e Felipe Masës në skuderinë Ferrari. Piloti gjerman e ka marrë këtë vendim pas një kërkese të bërë nga drejtuesit e kokëkuqes, të cilët arrijnë në këtë mënyrë një marrëveshje historike. Shtatë herë kampioni i botës mbetet ende një idhull për të gjithë dhe jo më kot lajmi i rikthimit të tij ka bërë menjëherë xhiron e mediave ndërkombëtare. Mikael Shumaker u largua në fund të sezonit 2006, në moshën 37 vjeçare dhe deri tani ka qenë konsulent te Ferrari. Rikthimi i tij në pistë pritet të bëhet që në garën e radhës në Valencia, ndërsa për gjermanin detyra do të jetë tepër e vështirë duke parë se kokëkuqja nuk ka arritur ende fitoren e parë për këtë sezon. Ai është takuar pasditen e së mërkurës me drejtorin e Ferrarit Stefano Domenikali dhe presidentin Luka di Montexemolo, një takim që ka rezultuar deciziv. Në uebsajtin e tij zyrtar, Shumi ka deklaruar se së bashku kanë vendosur të rikthehet në pistë dhe se do të përgatitet sa më mirë për të zënë vendin e Felipe Masës. "Është e vërtetë që kapitulli Formula 1 për mua ishte i mbyllur, por është gjithashtu e vërtetë se për arsye mirënjohje dhe ndershmërie karshi Ferrarit, nuk mund të injoroj një situatë të tillë, - tha Shumaker. - Unë e dashuroj garimin, kështu që mezi pres të përballem me këtë sfidë", shtoi ai. "Mikael u tregua i gatshëm që në ditët e ardhshme të ndjekë një program special përgatitjesh, të cilat do të mund të konfirmojnë rikthimin e tij në pistë, duke nisur nga Çmimi i Madh i Evropës, në Valencia", bëri të ditur Ferrari në një komunikatë zyrtare. Mikael Shumaker është padyshim piloti më i madh në historinë e Formula 1. Një kampion i padiskutueshëm brenda dhe jashtë piste, ai qëndroi për 15 vjet në këtë sport, duke qenë gjithnjë protagonist absolut. Ai numëron 250 gara në karrierë, nga të cilat ka arritur 91 fitore. Po kështu, gjermani mban edhe rekordin për pole-positione, 68 në total. Gjatë karrierës së tij me Jordan, Beneton dhe Ferrarin, ai ka grumbulluar 1369 pikë, duke qenë një rekordmen i vërtetë në këtë aspekt. Largimi i tij në fund të vitit 2006 la një boshllëk në Formula 1, pasi asnjë pilot tjetër duket se nuk gëzon të njëjtin personalitet dhe talent.