Kupa, Tirana, Besa dhe Vllaznia janë tre gjysmëfinalistet e para
Janë përcaktuar tre ekipet e para gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Tirana, Besa dhe Vllaznia siguruan nga një biletë për në katërshen më të mirë të këtij edicioni, ndërkohë që nga sfida Dinamo-Shkumbini, e cila do të luhet në orën 17:00, do të dalë edhe ekipi fundit gjysmëfinalist. Çiftet gjysmëfinaliste do të përcaktohen nga shorti i lirë që do të hidhet në ditët e ardhshme nga FSHF-ja.
Në “Selman Stërmasi”, Tirana është shfryrë ndaj Bylisit, duke shënuar plot 5 gola kundrejt një të ballshiotëve, e duke përmbysur kështu humbjen 2-1 të pësuar në Ballsh në takimin e parë. Një rezultat që i siguron bardhebluve kualifikimin për në fazën tjetër të Kupës së Shqipërisë, një trofe që mund të shpëtojë sezonin e bardhebluve. Vendasit kanë realizuar dy gola në pjesën e parë, duke treguar qartë dominimin, ndërsa kanë realizuar edhe tre të tjerë në pjesën brenda 10 minutave. Për ballshiotët goli ui ngushëllimit ka ardhur në minutat e shtesë me një penallti të realizuar nga Dimo.
Në Laç, vendasit janë mundur nga Vllaznia edhe në ndeshjen e kthimit, me shkodranët që kalojnë lehtësisht në gjysmëfinale. Shkodranët, pasi kishin fituar ndeshjen e parë 2-0, siguruan kualifikimin me një fitore bindëse 4-2. Dy gola të Sukajt kanë qenë vendimtarë, teksa kuqeblutë kanë përmbysur disavantazh fillestar për të të shënuar katër herë. Dragiçeviç realizoi golin e parë të takimit, por Vllaznia e mbylli pjesën e parë në avantazh me gola të Shubinës dhe Sukajt. Laçianët ngushtuan momentalisht shifrat me Milen që transformoi në gol një 11-metërsh, për të pësuar më pas presionin e shkodranëve që shënuan edhe dy herë të tjera.
Në Kavajë, Besa mundi të kalojë në gjysmëfinale pas barazimit, duke ndalur Skënderbeun në një barazim 2-2. Vendimtare fitorja e ndeshjes së parë të luajtur në Korçë, ku kavajasit fituan me rezultatin 3-1. Goli i Dos Santosit që ka fiksuar shifrat në 2-2 ka vulosur kualifikimin e kavajasve në gjysmëfinale. Nga ana tjetër, korçarët duket se nuk kanë qenë shumë të motivuar në këtë takim dhe këtë e ka treguar edhe mungesa e drejtuesve më të kartë të klubit në stadium.
http://www.sportishqiptar.com.al/kupa-t ... et-e-para/