Post
by vllaznia1919 » Wed, 14 Feb 2007 , 14:53
Drejtori i "2K Group", Endri Puka, tregon mënyrën çnjerëzore të marrjes së futbollistëve nga policia 14-02-2007
Policia rrëmben brazilianët e Apolonisë
Eduard Ilnica
Një akt i paprecedent është shënuar në fushat e futbollit shqiptar. Askush nuk mund ta kishte menduar që katër futbollistë të merreshin nga fusha e stërvitjes dhe me rrobat gjithë baltë të qëndronin brenda komisariatit të policisë së Fierit. Por ja që në Shqipëri, duke dashur të sulmohet politikisht dikush, mund ta pësojnë këta katër futbollistë brazilianë, të cilët nuk i përkasin asnjë lloj bindjeje në vendin tonë, por thjesht janë për të luajtur lojën magjike të futbollit.
Pas këtij akti të turpshëm të policisë së Fierit, drejtori i përgjithshëm i "2K Group", Endri Puka, dha një konferencë për shtyp, duke e denoncuar këtë akt dhe e quajtur barbar.
"Ka qenë një akt i pashembullt në futbollin shqiptar, madje barbar do të thoja të policisë, e cila ka marrë katër futbollistë brazilianë të Apolonisë nga fusha e lojës. Futbollistët janë Renato Da Silva, Rosha, Zhunior dhe Uashington, të cilët pa asnjë lloj të drejte janë futur në furgonin e policisë dhe janë mbajtur për tri orë në ambientet e policisë, ashtu siç ishin në fushën e lojës me rroba stërvitjeje. Dhe tani që flasim janë dërguar drejt aeroportit të Rinasit, siç duket për t'i dëbuar jashtë vendit tonë. Futbollistët në fjalë kanë ardhur nga kategoria e dytë braziliane dhe janë të pajisur me dokumentacionin përkatës nga federata braziliane. Mbi këtë bazë ata janë federuar nga federate shqiptare dhe kanë kontrata 3 4 vjeçare me klubin e Apolonisë. Dy prej tyre kanë qenë pjesë e ekipit edhe vitin që kaloi, ndërsa dy të tjerët janë afruar në janar. Këta futbollistë kanë hyrë ligjërisht në vendin tonë në mesin e muajit janar dhe tri ditë më vonë pasaportat e tyre janë çuar pranë komisariatit të policisë së Fierit, për të aplikuar për rezidencën e tyre në këtë qytet. Ne jemi interesuar se në çfarë faze ishte aplikimi i tyre, por nuk kemi asnjë përgjigje, madje pasaportat e tyre ishin dërguar në Tiranë, edhe pse rezidenca kërkohej në Fier. Ne jemi të bindur që ky akt është i Ministrisë së Brendshme konkretisht, e cila për të ndikuar në politikat editoriale të grupit tonë mediatik, kryesisht të gazetës "Shekulli", që ka qenë tejet kritike me qëndrimin e ish ministrit të brendshëm, aktualisht kandidat për Bashkinë e Tiranës, i cili në mënyrë shumë të ulët sulmoi kundërshtarin e tij politik. Për këtë gazetat tona dhe Televizioni A1 mbajtën një qëndrim kritik, ndërsa për të ndikuar te mediat tona, segmente të caktuara shtetërore na kanë bërë presione të ndryshme gjatë kësaj jave, e cila kulmoi me shoqërimin e turpshëm të futbollistëve brazilianë."
Ndërkohë, zoti Puka ka përmendur edhe sensibilizimin për akt precedent, teksa ka deklaruar: "Për këtë veprim, klubi Apolonia do të vejë në dijeni UEFA n dhe FIFA n, ndërkohë që FSHF ja është informuar për këtë ngjarje. Ndërkaq, ne do të vemë në dijeni edhe organizatën botërore të gazetarëve, që besojmë se do të kenë një qëndrim të ashpër ndaj këtij akti çnjerëzor. Dua t'u them zotërinjve që inskenuan këtë akt, se edhe nga qeveri të tjera të ndryshme kanë bërë presione për të ndikuar, por mediat tona do të vazhdojnë ta informojnë opinionin publik, pavarësisht sulmeve dhe presioneve që bëjnë qeveritarët, konkretisht pushtetarët e Ministrisë së Brendshme."
I pyetur për kontratat që kanë këta futbollistë me klubin e Apolonisë, Puka u shpreh: "Kanë kontrata 3 4 vjeçare dhe marrin deri në 25 mijë euro në sezon. Pra, janë një pasuri, një aset i klubit, për të cilët kemi investuar shumë. Shumica e pagesës është dhënë me parapagim. Nuk e dimë se kush do t'i kompensojë këto dëme që bëhen pas këtyre veprimeve arbitrare. Me qëllim këto çështje mbahen pezull, për t'i përdorur pastaj sipas dëshirës, duke vënë gjoba politike. Kur u interesuam në Fier për këtë gjë, na thanë që kishin urdhër nga lart. Ndërsa për futbollistët e tjerë të huaj që janë aktualisht tek Apolonia, drejtori i "2K Group" tha: "Aktualisht ne kemi edhe tre futbollistë të tjerë të huaj, por ata janë sjellë nga një menaxher, i cili i ka pajisur vetë me lejeqëndrim. Janë edhe dy futbollistë maqedonas, por ata nuk kanë këto probleme."
Ndërkohë që futbollistët brazilianë po shoqëroheshin drejt Rinasit, Endri Puka në fund të deklaratës së tij theksoi: "Shpresojmë që këta njerëz të mos i shkojnë marrëzisë së tyre deri në fund. Por nëse ndodh, atëherë do të informojmë të gjitha institucionet, madje dhe ato ndërkombëtare, për këtë veprim barbar."
Qfare skandalit!Veq ne Shqipni nodhin kta gjana.Turp i madh.