Skuadra lezhjane edhe në sezonin e ri duket se do të jetë e bazuar te shkodranët. Për më tepër që edhe në pankinë do të ketë një të tillë, Kreshnik Krepin. Pasi është bërë e mundur marrja e Alis Bacit, dyshja Noka-Krepi po kërkon të mbushë skuadrën edhe me katër futbollistë të rinj të këtij qyteti. Burime pranë tyre bëjnë të ditur se po insistohet marrja e Denis Dycës, Ambroz Kapaklijës, Mateo Zefit dhe Samet Hebajt.

 

Dy të parë janë pjesë e Vllaznisë aktualisht, sepse vijnë nga ekipi U-19 i Akademisë së saj, ndërsa dy të tjerët janë duke u testuar nga ana e trajnerit Zmijani dhe për ta akoma nuk është dhënë vendimi nëse do t’i mbajë apo jo. Lezhjanët në fakt janë duke i pritur krahëhapur këta dy futbollistë. Kjo edhe ngaqë trajneri Krepi, sidomos dy të fundit, i njeh mire, sepse Zefin e ka patur tek Ada pak kohë më pare, ndërsa Hebajn e ka drejtuar te Veleçiku

Trajneri Krepi ka një simpati të madhe edhe për dy mesfushorët e tjerë, Dycën dhe Kapaklijën dhe për këtë arsye tashmë i duhet të presë vendimin e drejtuesve kuqeblu nëse do t’i lënë të lirë apo jo. Nga skuadra e Besëlidhjes ditët e fundit ka patur largime të disa futbollistëve, si Malo, Manuka e Hoxha dhe kuptohet që ata duhen zëvendësuar. Drejtuesit e klubit po bëjnë çmos për plotësimin e skuadrës jo vetëm me lojtarë me përvojë, por edhe me të rinj të talentuar që do kenë mundësi të tregojnë vlerat e tyre të vërteta te kjo skuadër.

Komentet