I lehtësuar natyrisht nga fitorja e arritur ndaj Tërbunit, trajneri Armir Grima është i bindur se kjo skuadër mund të bëjë gjëra edhe më të mira. Duke folur në lidhje me fitoren e arritur ndaj Tërbunit, njeriu që aktualisht mban dy funksione në klubin shkodran, ka thënë: “Ne kishim shkuar për ta fituar këtë takim . Kemi punuar për këtë ndeshje gjatë gjithë këtyre ditëve. E rëndësishme është që ana psikologjike e djemve të ishte e qetë. Ne e sulmuam kundështarin që nga minuta e parë dhe ia dolëm. Jemi munduar ta mbajmë larg larg ekipin nga ajo situatë e ditëve të funndit dhe të fokusohemi te takimi I sotëm me Tërbunin. E rëndësishme është që kemi marrë këtë fitore dhe të shohim përpara.”

Grima beson te kontigjenti aktual që ka Vllaznia. Ndoshta sepse duke drejtuar këta futbollistë, në tri ndeshje që e ka bërë këtë gjë, njeh dy fitore (ndaj Tërbunit për kampionat dhe ndaj Pogradecit për kupë) si dhe një barazim (atë ndaj Kukësit). Ish-portieri, tashmë me tutat e drejtorit- trajner, ka besim se sukseset mund të vazhdojnë, megjithatë, nuk e di nëse do të vazhdojë të jetë ai sërish në pankinë dhe këtë e ka pranuar edhe para mediave, kur ka shtuar:

“Nuk e di nëse do të jem unë tekniku që do të drejtoj ekipin e Vllaznisë në vazhdimësi. Kjo i takon tjetërkujt. Unë jam një tifoz me Vllazninë, çdo detyrë që të më jepet te Vllaznia, do ta bëja me shumë qejf, edhe punëtor fushe. Unë falënderoj edhe Hasanin, Krajën e Legatën. Nuk di çfarë të them për trajnerët se kush do të vijë pas nesh, nuk di çfarë të them në këtë drejtim”.

E veçanta e ndeshjes së sotme ka qenë futja në lojë për herë të parë e sulmuesit malazez Paviçeviç, i shumëpërfolur edhe në raportin e auditit, megjithatë “guximi” i Grimës u shpërblye. I pyetur në lidhje me këtë lojtar, ai ka thënë: “Ne futëm në lojë Paviçeviçin që të bëjë gol dhe ai bëri detyrën e vet”. Një çështje e shumëpërfolur e ditëve të fundit ka qenë edhe një raport paraprak i auditit të bashkisë.

I pyetur sesa ka ndikuar ai te skuadra auditi, Grima është përgjigjur: “Auditi sigurisht që ka trazuar ujërat, por unë nuk e di në interes të kujt janë këto gjëra. Nuk e di kujt i intereson të ekzagjerohet dhe të fryhet nga kulisat e bashkisë e gjithë kjo gjë. Fjalët e shumta janë fukarallëk dhe të gjithë duhet të mendojmë për të mirën e Vllaznisë dhe jo për të keqen e saj. Për ne, është e rëndësishme që të marrim pikë, në mënyrë që ekipi të mos jetë në këto vende”.

Komentet