Vllaznia është në përgatitjet e saj të fundit për ndeshjen me Tiranën dhe, kur u duk se gjithçka po shkonte mirë, stafin teknik dhe atë mjekësor po e shqetëson gjendja shëndetësore e mbrojtësit Antonio Marku. Prej disa kohësh 23-vjeçari është duke ndjerë shqetësime në gjurin e tij të majtë dhe mjekët kanë konstatuar një dëmtim të pjesshëm të meniskut. Por pikërisht për faktin se ai është i nevojshëm për skuadrën në këto momente, edhe në ndeshjen e kaluar me Tërbunin, Marku ka luajtur me gjilpëra. Kështu duket se do të ndodhë edhe për ndeshjen e radhës me Tiranën.

Stafi mjekësor po bën çmos ta mbajë në gjendjen e duhur këtë futbollist, ndërkohë që trajnerët janë bërë me “dhimbje koke” nga kjo gjë. Arsyeja është se me këtë futbollist dhe me Cicmil stabilizuan qendrën e mbrojtjes, e cila pati shfaqur probleme në ndeshjet e para. Marku, në fakt, e ka nisur kampionatin si mbrojtë i majtë, por ai preferon të luajë edhe në qendër dhe, për këtë arsye, ka dhënë maksimumin në ndeshjet që është aktivizuar në këtë pozicion. Stafi teknik dhe ai mjekësor po e vëzhgojnë me sukses lojtarin dhe natyrisht mbesin me shpresë që dëmtimi i tij të mos avancojë edhe më shumë, çka do ta linte atë jashtë skuadrës.

Kjo do të krijonte problem, sepse edhe alternativa tjetër për qendrën e mbrojtjës, Denis Pjeshka, edhe ai ka pësuar një dëmtim dhe është i pamundur për të luajtur. Ndërkohë, stafi thuajse ka hequr dorë nga kosovari Haxhaj, që ka luajtur më parë në qendër të mbrojtjes, duke mos e patur fare në pankinë në takimet e fundit. Për të gjitha këto arsye, sytë janë fokusuar tek Antonio Marku dhe shpresohet që ai t’ia dalë të luajë sërish me sukses. Ai është i vetmi problem aktual, ndërkohë që të gjithë futbollistët e tjerë janë të gatshëm për sfidën e së dielës me bardheblutë.


telesport.al ©

Komentet