Sulmuesi uruguajan, Sebastian Soza, prej 5 ditësh ndodhet në Itali dhe ende nuk është kthyer në Shkodër, për t’u bashkuar me ekipin e Vllaznisë në stërvitje. Lojtari kishte marrë leje nga drejtuesit e klubit ditën e premte, për të udhëtuar drejt vendit fqinj me idenë e kryerjes së disa vizitave mjekësore dhe kishte premtuar se do të kthehej ditën e hënë. Por, në fakt, nuk ka ndodhur kështu. Deri më sot ai nuk është paraqitur në stërvitje dhe me shumë të ngjarë nuk do të kthehet më.

soza vllaznia

Soza ka shfaqur pretendime sa i takon qëndrimit tek Vllaznia dhe pak kohë më parë doli në skenë edhe një mundësi e lëvizjes së tij drejt Tiranës, në merkaton e janarit, por kuptohet që kontrata, të cilën ka firmosur me kuqeblutë, nuk e lejon një gjë të tillë. Ndërkohë, po sipas kësaj kontrate, ai në janar mund të largohet kudo jashtë vendit, megjithatë drejtuesit e Vllaznisë mësohet se nuk kanë ndërmend ta lënë të ikë krejt kollaj.

SOZA NE SHKODER

Ata duket se kanë bërë gati një gjobë në adresë të lojtarit dhe do ta dërgojnë atë në federatë dhe nuk përjashtohet mundësia që, nëse lojtari të vazhdojë të mos paraqitet në stërvitje, edhe ta bllokojnë atë duke mos qenë në gjendje të lëvizë në asnjë skuadër tjetër. Në fakt, u mendua se me ardhjen në formë të këtij lojtari, Vllaznia e gjeti sulmuesin e duhur. Soza arriti të shënonte tre gola në ndeshjet që luajti pikërisht ndaj Tërbunit, Bylisit dhe Skënderbeut, por dëmtimi dhe këto problemet e tjera që ai po shfaq, kanë bërë që skuadra të mos ketë shërbimet e tij.
 

Komentet