Vllaznia është stërvitur sërish në një ambient të mbyllur, për shkak të reshjeve të shumta të shiut, që kanë rënë ditën e sotme. Për kuqeblutë, gjithsesi, ky fakt nuk do të ndikojë në objektivin e tyre për ta fituar me çdo kusht këtë ndeshje. Trajneri Armando Cungu, në prononcimin e tij për mediat, ka bërë të ditur skuadra nuk ka asnjë alternativë tjetër veç fitores. Ai ka vlerësuar maksimalisht ekipin e Laçit, që e ka drejtuar deri para pak kohësh, por nga ana tjetër ka thënë se nostalgji ka vetëm për Vllazninë, për të cilën po mundohet të bëjë më të mirën.

“Ky është një takim i rëndësishëm, sepse na duhen shumë pikët dhe do të tentojnë t’i marrim të tria. Kam shumë respekt për ekipin e Laçit, drejtuesit, futbollistët dhe tifozët, sepse aty ia kam kaluar shumë mirë dhe kam marrë edhe dy trofe. Vllaznia ka patur disa probleme dëmtimesh, por të gjithë futbollistët duhet të marrim shembull Markun, i cili ndonëse me probleme do të sakrifikojë dhe do të jetë në fushë. Kemi dy ndeshje rresht në fushën tonë, por të them të drejtën nuk jam duke menduar fare për sfidën me Kukësin. Njëherë të kalojme Laçin,” – ka thënë ai.

Ndeshja Vllaznia-Laçi do të luhet të shtunën, në orën 13:30, në fushën sportive “Reshit Rusi”, dhe të gatshëm për trajnerin Cungu nuk do të jetë Vrapi, për arsye kartonësh, ndërsa 2-3 lojtarë të tjerë kanë ndier shqetësime të ndryshme, por pritet të jenë në fushë.

 

Komentet