Mbrojtësi beratas, Polizoi Arbri, ende nuk dihet se çfarë do të bëjë me të ardhmen e tij. Bëhet fjalë për dëmtimin, por edhe karrierën futbollistike, e cila është e varur prej tij. Pas disa ditësh që ka qëndruar pranë familjes së tij, ditën e sotme, mbrojtësi i djathtë i kuqebluve ka mbërritur në Shkodër për të takuar dhe biseduar me drejtuesit e Vllaznisë.



Nga sa merret vesh, palët kanë rënë dakord që të ketë edhe një konsultë përfundimtare në ambientet e Spitalit “Salus”, me një ortoped të huaj dhe, nëse ai vendos se duhet ndërhyrë medoemos, lojtari do të jetë i detyruar t’i nënshtrohet një operacioni në meniskun e gjurit të majtë. Natyrisht që shpenzimet e operacionit do t’i marrë përsipër klubi “Vllaznia”, por jo vetëm kaq. Në takimin e sotëm, dy palët mësohet se kanë biseduar edhe për çështjen e kontratës së re, atë të sezonit të ardhshëm.

Vetë Arbri ka shprehur dëshirën për të qëndruar sërish në Shkodër, ku është ndier vërtetë mirë dhe ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer në aspektin personal, deri në momentin e dëmtimit. Për këtë arsye, nëse vendoset për operacion, ai do të kryhet shpejt, në mënyrë që koha e rikuperimit të nisë dhe në qershor, kur ekipi fillojë përgatitjet për sezonin e ri, në mes futbollistëve, në dispozicion të trajnerit Cungu, të jetë edhe Polizoi Arbri.

 

Komentet