Të huajt që vijnë për të luajtur në kampionatin tonë çdo vit e më tepër po shtohen. Sigurisht që edhe Vllaznia nuk ka bërë ndryshim nga skuadrat e tjera, teksa ka bërë pjesë të saj lojtarë nga të gjithë kontinentet. Vjet ishin të preferuar gjermanë e malazezë, sivjet afrikanë dhe brazilianë. Mes tyre nuk ka shumë ndryshim: secili prej tyre vjen për të marrë paratë dhe nuk përpiqet shumë të mendojë për klubin. Pa lënë mënjanë pastaj faktin tjetër, se cilësia e tyre lë shumë për të dëshiruar. E njëjta gjë po ndodh edhe këtë kampionat me kuqeblutë. Ata aktualisht kanë pjesë të tyre një afrikan puro, siç është Simo, një afrikan të europianizuar, Delain, dhe brazilianin Leandro. Dy të fundit njiheshin për vlerat e tyre, sepse kanë luajtur edhe më parë në kampionatin shqiptar dhe mendohej të ishin të rëndësishëm për fatet e Vllaznisë. Por pas 6 javësh kampionat nuk rezulton kështu. Leandro më shumë është duke qëndruar në stol sesa duke luajtur dhe në këtë mes, përveç formës fizike, mund të ketë edhe shkaqe indiference te vetë lojtari për të mos luajtur.

Kontrata e tij është e majme dhe kuptohet që më mirë të merren dollarët pa luajtur. Delain, ndërkohë, në ndeshjet e para ka lënë shumë për të dëshiruar, sepse dukej shumë akademik në lojën e tij. I ngadaltë dhe pa një vizion të qartë për lojën, megjithatë ndaj Tiranës la përshtypjet më të mira. Pozitive është se edhe trajneri Josa e pëlqen për profesionalizmin e tij, prandaj jo më kot i dha leje këto ditë për të shkuar në Gjermani. Përveç tyre, është edhe Simo, një lojtar që mund të jetë paraqitur mirë te Luftëtari, por në Shkodër i ka rënë vlera. Ai është një futbollist punëtor, tepër luftarak, por me topin në zotërim nuk di të bëjë asgjë të mirë. Vllaznia ndërkohë është një skuadër që luan futboll teknik dhe, duke qenë kështu, afrikani ka përfunduar në stol. Në këtë mënyrë konsiderohet një blerje pa shumë frut dhe, si rrjedhojë, po ngroh stolin. Duke qenë kështu, drejtuesit e Vllaznisë kanë ndërmarrë një hap tjetër që duhet përgëzuar. Ata janë duke u kushtuar rëndësi gjithnjë e më tepër ekipeve zinxhir, prej nga mendojnë të nxjerrin elementët që do t'u nevojiten për të bërë skuadrën e nesërme. Aktualisht, në ekipin e parë janë përzgjedhur disa elementë të mirë nga të rinjtë e këtu përmendim Kepin, Perfatin, Terollin e Gocajn.

Por ajo që duhet evidentuar është kontrata e firmosur para pak ditësh me një futbollist 16-vjeçar. Ai quhet Bekim Bala dhe vlerësohet së tepërmi nga të gjithë për talentin. Duke qenë kështu, klubi shkodran nuk ka ngurruar ta afrojë tek ekipi i parë nën drejtimin e Josës dhe me të kanë nënshkruar një kontratë 5-vjeçare. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me një 16-vjeçar tjetër, Hasanin, edhe ky një lojtar me shumë vlera. Presidenti Fushaj nuk është duke ngurruar aspak të investojë për ekipet zinxhir. Futbollistët e këtyre ekipeve kanë autobusin në dispozicion për stërvitje dhe ndeshje, janë zgjedhur dy fusha të mira për stërvitje dhe ndërkohë klubi paguan edhe trajnerët. Para pak ditësh, ndërkohë kanë mbërritur edhe uniformat e reja, si ato për ndeshje, ashtu dhe kostumet e jashtme sportive me emblemën e Vllaznisë dhe ngjyrat kuqeblu dhe si rrjedhojë tashmë është kënaqësi t'i shohësh ata që nesër mund të përfaqësojnë Shkodrën në kampionatin kombëtar.

Sporti Shqiptar

Komentet