Të gjithë i kanë të qarta detyrat e veta, dikush të mbrojë portën, dikush tjetër të organizojë lojën dhe të tjerë të shënojnë. Në këtë pikën e fundit nuk është se te Vllaznia gjërat kanë shkuar mirë. Madje goli i parë erdhi vetëm në javën e katërt të kampionatit dhe autor i tij është pikërisht sulmuesi gjirokastrit, ndërkohë që për sulmuesit gjërat nuk kanë shkuar dhe aq mirë deri tani. Nëse Kaçi një ditë më parë shprehej se ai dhe kolegët e tjerë të sulmit kanë humbur shënjestrën, Arlind Nora mendon më ndryshe. Për të, thjesht topat e gjuajtur prej tyre nuk kanë shkuar në portë dhe vetëm kaq. "Secili ka mendimin e vet që nuk kemi shënuar aq sa duhet. Për rrjedhojë, nuk mund të themi se kemi humbur shënjestrën, por thjesht topat e gjuajtur prej nesh kanë devijuar nga porta dhe nuk kanë përfunduar në rrjetë. Por besoj se nuk ka për të ngjarë për shumë kohë kështu, pasi kemi për të dalë te goli,"   ka thënë 27-vjeçari gjirokastrit, që luan për herë të parë me Vllazninë.
I bashkuar që në qershor me këtë skuadër, Nora fitoi menjëherë simpatinë e tifozërisë shkodrane me dy ndeshjet e Kupës Intertoto kundër NK Zagreb, teksa me dy golat e tij në të dy takimet i kualifikoi shkodranët për në turin e dytë të këtij kompeticioni. Ndërkohë, në kampionat ka shënuar deri tani vetëm një herë, në ndeshjen ndaj Shkumbinit, gol që është duartrokitur shumë gjatë nga ana e të pranishmëve, pasi vlerësuan së tepërmi mënyrën e ekzekutimit të tij. Sakaq, më shumë rëndësi se kush do të shënojë dhe se kur do të dalin te goli sulmuesit, rëndësi ka që Vllaznia të vazhdojë të grumbullojë pikë sa më shumë, në mënyrë që të ngjisë gradualisht shkallët e renditjes. Vetë Nora është i mendimit se skuadra ka forca për ta bërë këtë gjë, prandaj shton: "Në tri ndeshjet e fundit nuk kemi humbur, teksa kemi marrë 5 pikë, por e mira do të ishte që këto pikë të ishin 9. Megjithatë, rëndësi ka që ekipi po del gradualisht te loja e tij dhe paraqitja ndaj Tiranës e vërteton më së miri këtë gjë. Gjithsesi, paraqitja e mirë nuk mjafton, sepse ato që duhen janë pikët. Tifozët tanë presin shumë prej nesh, prandaj duhet të bëjmë çmos t\'i gëzojmë ata, por edhe veten e presidentin, që ka shpenzuar shumë për këtë skuadër." Ndërkohë, në javët në vazhdim shorti duket tepër i përshtatshëm për kuqeblutë, teksa deri në fund të fazës së parë, ndër 5 ndeshjet që janë për t\'u luajtur, 3 prej tyre janë në "Loro Boriçi". Arlind Nora, pavarësisht nga kjo, nuk e ka mendjen shumë te kalendari. Për të e rëndësishme është që Vllaznia ta vlerësojë në maksimum çdo ndeshje. "Personalisht nuk jam aspak i mendimit se kalendari është i lehtë. Çdo ndeshje është e vështirë, aq më tepër kur edhe vetë nuk je në maksimumin e mundshëm. Ndeshjet duhen vlerësuar të gjitha njëlloj, duke filluar nga kjo e kësaj të shtune me Kastriotin dhe për të vijuar me të tjerat radhazi,"   ka thënë në fund të prononcimit të tij futbollisti i Vllaznisë, Arlind Nora.

Sporti Shqiptar

Komentet