Pas ndeshjes së fituar nga Vllaznia të dielën, ndaj Kastriotit, vlerësime pozitive ka marrë edhe veterani Uliks Kotrri. Për lojën e tij ai është duartrokitur edhe nga publiku shkodran, sa herë që binte në kontakt me topin, si në ndërhyrjet si mbrojtës, ashtu dhe kur merrte përsipër organizimin apo mbështetjen e sulmit.
Sërish titullar - Qëndroi për një kohë të gjatë në pankinë, edhe pse asnjëherë nuk iu ndie zëri, edhe atëherë kur stafi kishte raste që e ngrinte për në nxemje, por më pas zhvillimet e lojës e detyronin të ulej në stol. Radha të luante si titullar i erdhi në përballjen me Tiranën, ku tregoi se kishte forca për të kontribuar për skuadrën. E kaloi me notë pozitive “testimin” dhe siguroi formacionin si titullar edhe në ndeshjen pasardhëse, ndaj Kastriotit, ku ka shkëlqyer në të gjitha drejtimet. Josa e ka aktivizuar në qendër të mesfushës, në vend të Delainit të dëmtuar, dhe Kotrri e ka kryer më së miri edhe këtë detyrë. Ai ka spikatur si një shkatërrues i mirëfilltë, më pas edhe në ndërtimin e aksioneve. Me ato që paraqiti në dy ndeshjet e radhës, thuhet se e ka bindur stafin teknik për ta patur në konsideratë këtë futbollist edhe në vazhdim. Për të gjitha këto, teksa provojmë t’ia evidentojmë gjatë bashkëbisedimit me të, ai tregohet modest, duke kërkuar t’u shmanget vlerësimeve që dëshironim t’ia përcillnim në emër të opinionit.
Ditët e Uliksit - Ditët shqiptare, ose më mirë me thënë shkodrane, Uliks Kotrri nuk i kalon aq shumë i qetë, sepse familjen e tij, bashkëshorten gjermane së bashku me djalin e vogël, i ka në Gjermani, atje ku ai ka nisur një jetë të re në dhjetëvjeçarin e fundit. Por, përkundër asaj që ai kishte siguruar në Gjermani, një ftesë për t’u rikthyer në qytetin e tij të lindjes ia prishi mendjen. “T’ju them të drejtën, - thotë Kotrri, - në fillim e mora pak si lehtë këtë punë, duke mos qenë krejt i bindur se ku do të kontribuoja më tepër, pasi fillimet e bashkëpunimit me presidentin Fushaj kanë qenë në rolin e menaxherit, më pas edhe të ndihmëstrajnerit, por tani ka ndërruar gjithçka, pasi dhe fusha më ka bërë për vete”. “Megjithatë, duhet ta pranoj se distanca me familjen më krijon paksa probleme. Për arsye të ndryshme familjare më duhet të udhëtoj, çka e bëj me mirëkuptimin e stafit teknik dhe të drejtuesve të klubit, për çka gjej rastin t’i falënderoj” tregon Uliksi. Tani, pasi ka riveshur pas kaq vitesh fanellën kuqeblu, Kotrri po mendon ta transferojë në Shkodër familjen, në mënyrë që deri në fund të sezonit të jetë më komod në jetën e tij sportive.

Anti-Teuta - Nëse merr përsipër të flasë, këtë më tepër Uliksi e bën kur I përmendim ndeshjen e radhës në Durrës, ndaj Teutës. “Unë mendoj, se tashmë ka ardhur koha që Vllaznia të tregojë seriozisht vlerat e saj” thotë Uliksi, teksa përmend dy ndeshjet pozitive të skuadrës shkodrane, përballë Tiranës dhe Kastriotit. “Natyrisht, në to ka patur edhe të meta, të cilat gjatë këtyre ditëve ne po përpiqemi t’i korigjojmë, por përgjithësisht punët duket se janë në vijë”, vazhdon Kotrri, ndërsa nuk vonon të kalojë te emocionet e transfertës së radhës. “Të gjithë e vler-sojnë të vështirë, qoftë edhe për atë që Teuta ka krijuar një traditë me bilancin pozitiv të viteve të fundit. Megjithatë, mua nuk më duket aq e vështirë, - shpjegon Kotrri. - Skuadra tashmë e ka marrë fizionominë e saj dhe nuk ka ndërmend të tolerojë, por do të kërkojë patjetër fitoren, arritja e së cilës e përmirëson ndjeshëm pozitën në tabelën e renditjes”, përfundon Kotrri, duke shprehur besimin se edhe në këtë ndeshje do të jetë titullar.

Sport Ekspres

Komentet