Xhevahir Sukaj është vetëm 20 vjeç, madje i ka mbushur ato tri javë më parë, më 5 tetorin që kaloi. Lojtar i përfaqësueseve shqiptare të të rinjve dhe U-21, madje, kohë më parë edhe kandidat për kombëtaren e parë. Një nga talentët më të spikatur të Vllaznisë sezonin e kaluar, në këtë kampionat po kalon një “krizë”. “Alarmi” për të ka kohë që është dhënë, qoftë nga drejtuesit e ekipit, por edhe nga mediat, duke u cilësuar si një nga lojtarët jashtë formës sportive. Nga një titullar i padiskutueshëm i formacionit kuqeblu deri pak kohë më parë, në javët e para të këtij kampionati ai është kthyer në një lojtar stoli. Mund të ketë madje dhe nga ata, që thonë se “kaq e pati Xhevahiri”, në një kohë që aq shumë qe folur për perspektivën e tij. Por, në intervistën me të, për gazetën “Sport Ekspres”, mëson një qëndrim krejt ndrysh rreth asaj çka po ndodh.

- Sukaj, shumë probleme në këtë sezon...

- Fizikisht, mendërisht dhe në të gjithë treguesit e tjerë sportivë jam shumë më lart se sezonin e kaluar, pavarësisht se nuk po më jepet mundësia të shprehem në fushë. Drejtuesit e dinë vetë më mirë këtë punë, por unë personalisht nuk ka pse mos ta them, që gëzoj një formë shumë të mirë sportive. Këtë e them me plot gojën, pasi unë jam në gjendje ta shoh veten. E rëndësishme është që stervitem nga dy herë në ditë, duke bërë më tepër individualisht se me ekipin.

- Sa ju shqetëson fakti që imazhi i Sukajt ka filluar të bjerë në opinion?

- As unë nuk e kuptoj pse ndodh kështu. Por, për aq sa arrij të informohem nga miqtë e mi, tifofëzët mendojnë se “Sukaj është mendjemadh” dhe “nuk është duke i dhënë vedit për më lart”, apo gjërë të tjera. Por ata nuk e dinë si qëndron e vërteta.

- Atëherë, cila është e vërteta?

- Nuk e di, atë duhet ta thonë të tjerët.

- Kush, për shëmbull, duhet ta shpjegojë një gjë të tillë?

- Ka boll aty në skuadër. Ata duhet të flasin më hapur ndaj problemit tim, sepse jo gjithçka që thuhet në opinion është e vertetë. Nëse mund të flasim me përqindje, vetëm 10-20 për qind prej atyre që më akuzojnë mua qëndrojnë. E verteta është se kam patur një kontradiktë me profesor Armandon (ndihmëstrajnerin), pas ndeshjes së parë te turit të dytë të Intertotos, me Trabzonsporin në Turqi, por gjithçka u sqarua, ndërkohë që opinionet rreth meje, për tekat e njërit apo të tjetrit, nuk janë aspak reale. Një gjë dëshiroj ta saktësoj në lidhje me replikat me publikun, pasi këtu e shoh se ka interpretime të ndryshme. Në dy momente, që më ka ndodhur diçka e tillë, i kam shkëmbyer vetëm me një person në prizmin personal, pasi me të tjerët, përfshirë edhe njerëzit e mi që janë mes tyre, kam shumë respekt. Megjithatë, edhe kjo nuk do të ndodhë më me mua.

- Si pjesë e kombëtares U-21, të martën e kaluar luajtët në Baku, ndaj Azerbajxhanit. Si shkuat?

- Si unë, ashtu dhe shoku i skuadrës, Lika, shkuam mjaft mirë. Luajtëm 90 minuta dhe unë personalisht pata tre raste për gol, por fati nuk desh, ndërsa edhe arbitri na dëmtoi shumë.

- Keni qenë shumë pranë ofertës “Bariç”, tashmë dukeni në hije dhe tepër larg kombëtares...

- Nuk është taman kështu. Shumë shpejt, ndoshta që nga grumbullimi i ardhshëm, unë mund të jem pjesë e kontigjentit kuqezi. Këto ditë kam patur një bisedë me trajnerin Oto Bariç dhe ai më sqaroi se më ka patur në projekt për grumbullim, por i kishin thënë që jam i dëmtuar, kur e vërteta nuk është ashtu. Nga kombëtarja nuk heq dorë kollaj. Jam 20 vjeç dhe do të sulmoj me ego drejt kombëtares, por edhe në një skuadër jashtë vendit, sipas projektit që kemi me menaxherin Rudi Vata, çka mund të ndodhë edhe në janar. Por, gjithsesi, edhe nëse bëhet realitet një gjë e tillë, nuk do të dëshiroja të largohesha pa lënë gjurmë te Vllaznia, gjë të cilën do të përpiqem maksimalisht ta bëj deri në fund të vitit, me aq mundësi sa do të më jepet për të luajtur.

- Mendoni se keni bërë pak në kampionat, për të shkuar deri atje ku thoni ju?

- Po, kjo është e vertetë. Vetëm një gol në këto javë, kur jam aktivizuar vetëm një herë titullar, ndaj Dinamos, kurse në të tjerat si zëvendësues, vërtet është pak, por ju kujtoj se edhe vjet në këtë kohë kam shpërthyer. Konkretisht, me ardhjen e trajnerit Josa, që në ndeshjen e parë nën drejtimin e tij në Gjirokastër, ku shënova dy gola, për të qenë pastaj vazhdimisht në vëmendje, derisa e mbylla me nëntë gola kampionatin dhe tre për kupë.

- Duke u kthyer te skuadra, ju tremb rivaliteti brenda saj?

- Jo, aspak. Unë do të vazhdoj të bëj punën time. Madje, nëse do të jem pjesë e skuadrës, edhe në qoftë se vijnë 2-3 sulmues që përfliten, aq më mirë, sepse rivaliteti do të jetë edhe më i madh. Kam shumë besim në forcat e mia, sepse jam në formë. Moralisht jam lart, pasi kur i di forcat reale të mia nuk më bën përshtypje çfarë mendojnë të tjerët.

Komentet