E kishin menduar ndryshe, por përfundimi ka qenë krejt i paparashikueshëm nga të gjithë, pjesëtarë të kampit kuqeblu dhe fansat e zjarrtë shkodranë, që nuk munguan ta mbështesnin skuadrën e tyre edhe në Shijak. Ajo, çka paraqitën kuqeblutë në ndeshjen ndaj Kastriotit, nuk kishte asnjë lidhje me Vllazninë, të paktën me atë që mbylli vitin e kaluar në mënyrë spektakolare, përmes fitores së bujshme ndaj Tiranës. Por, të shtunën pasdite, skuadra e Josës është shkatërruar keqas përballë një skuadre, e cila mbijetesën në superiore e quan sukses, dhe pikërisht ky fakt “djeg” më shumë në Shkodër.

“Po ia nis nga vetja”

- Në bisedën që kemi zhvilluar dje, me kapitenin e kuqebluve, Armir Grima, bën përshtypje fakti se ai e fillon nga vetja, edhe pse humbja nuk është “faturë” e paraqitjes së tij. Në të vërtet, Grima fillimisht ndalet te konfrontimi me sulmuesin e Kastriotit, Renato Kalari, pas të cilit u ndëshkua me karton të verdhë. “Jo vetëm tani, kur jam krejt i qetë në gjykim, por edhe në momentin e ngjarjes kam qenë i ndërgjegjshëm që nuk duhej të ndodhte kurrsesi ai veprim, që tashmë është parë nga të gjithë” thotë portieri i kuqebluve. Sipas Grimës, shfajësimi është i tepërt, megjithatë ai kërkon të sqarojë atë që ka ndodhur. “Në momentin e zotërimit të topit, gjatë plonzhonit tokazi, kam marrë një goditje tepër të rëndë nga sulmuesi i Kastriotit, që m’u duk e qëllimshme, ndaj vrapova drejt tij. Kur i jam afruar, e kam ndalur hovin dhe vetëm e kam kapur për qafe, ndërsa ai u rrëzua” ka rrëfyer Grima, i cili ngul këmbë se nuk e ka goditur, çka shikohet edhe nga kaseta filmike. Kapiteni e përforcon këtë, kur thotë se vetë Kalari i ka kërkuar falje për goditjen në fytyrë. Portieri shton se dëshmitar i skenës ka qenë edhe gjyqtari, që ishte krejt afër, ndaj dhe është mjaftuar vetëm me kartonin e verdhë dhe jo me masën ekstreme.

“Nuk funksionoi asgjë”

- Duke kaluar te ndeshja, Grima është i mendimit se humbja ka ardhur si rezultat i një shthurjeje totale të skuadrës, që luajti krejtësisht jashtë detyrave taktike. “Me përjashtim të Sinanit, i cili u përpoq të vinte nën presion skuadrën kundërshtare, gjë që e bëri në një rast edhe me marrjen e penalltisë dhe realizimin e saj, të gjithë të tjerët ishin larg imazhit të tyre”, thotë kapiteni shkodran. Sipas tij, në fushën e lojës nuk funksionoi asgjë, duke mos justifikuar aspak përgatitjet serioze që janë bërë në Ulqin e Shkodër. “Megjithatë, asgjë nuk është e paarritshme”, thotë Grima, duke shpehur besimin se Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për t’u kthyer në lojërat e saj rezultative. Dhe kthesa, sipas kapitenit, do të realizohet patjetër në ndeshjen e ardhshme, që do të luhet në “Loro Boriçi” përballë Teutës, ku ai vetë do të mungojë, për shkak të tre kartonave të verdhë.

Sport Ekspres

Komentet