Problemi ende i pazgjidhur mes FSHF-së dhe MTKRS- së dhe për më tepër pezullimi Shqipërisë nga ana e organizmit më të lartë të futbollit, FIFA, ka sensibilizuar drejtuesit më të lartë të futbollit në vendin tonë, që momentalisht janë presidentët, të cilët në rastin e klubeve tona janë vetëm donatorë. Ndër të parët që ka ndërmarrë një nismë në emër të këtyre presidentëve, për të zgjidhur sa më shpejt situatën kaotike në futbollin shqiptar, ka qenë presidenti i Vllaznisë, z. Valter Fushaj, i cili duket se ka iniciuar në një farë mënyre edhe atë mbledhje të 6 presidentëve të klubeve tjera të futbollit, që i vunë fillimisht ultimatum Armand Dukës. Mirëpo, mesa duket presidenti i klubit kuqeblu, Fushaj, kësaj here do të ketë një tjetër nismë. Përmes zëdhënësit për shtyp të klubit, Fushaj mësohet se ka vendosur që skuadra e Vllaznisë të mos marrë pjesë në takimin me Kastriotin në Kavajë nëse deri ditën e sotme nuk do të fillojë të marrë një zgjidhje çështja e pezullimit të futbollit shqiptar nga të gjitha aktivitetet ndërkombëtare. Nga sa mësohet, presidenti Valter Fushaj këtë vendim e ka marrë në orët e vona të mbrëmjes, pasi është njohur me lajmin se ka rezultuar një dështim, takimi mes drejtuesit më të lartë të MTKRS-së, Ylli Pango dhe vetë presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Kërcënimi i Fushajt për një mosparaqitje të ekipit të tij në Kavajë përballë Kastriotit, pritet që më parë të shoqërohet me një protestë të ekipeve të grup-moshave të Vllaznisë dhe ekipit të parë të tij para dyerve të FSHF-së. Ndërkaq, për këtë iniciative presidenti i ekipit kuqeblu kërkon që të mbështet nga drejtuesit e klubeve të tjera te Kategorisë Superiore, por edhe të qarkut të Shkodrës dhe qyteteve të tjera të veriut të Shqipërisë. Mesa duket, Fushaj kërkon të jetë ndër të parët presidentë që të kontribuojë me mënyrën e tij në zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj çështjeje, që është e përmasave kombëtare dhe tepër e rrallë.

Panorama Sport

Komentet