Duka fiton raundin e parë me bojkotuesit

Me dy avokatë profesionistë në krah (të dy me mbienrin Hicka), presidenti i FSHF-së, Duka, doli fitues në raundin e parë me presidentët e klubeve bojkotuese. Do të luhet futboll ditën e dielë, por më shumë se kjo pas një shtyerje (me marrëveshje), në krizën që ka mbërthyer futbollin e varfër shqiptar, i fituari (ende jo 100 %) doli presidenti Duka, edhe pse përfaësuesit e shtatë klubeve të mëdha (kanë mbledhur në total 21 firma presidentësh) bojkotuan ditën e shtunë kampionatin. “E mbledh Asamblenë kur të doni ju, mos e kini atë merak”, - tha me ton triumfatori Duka. “Nëse ju ka thënë Pango se kërkoni zgjedhje, atëherë shkojmë në zgjedhje, por sipas FIFA-s e statutit”, - ironizoi jo pak herë gjatë takimit Duka, duke i vënë jo pak herë në siklet presidentët e klubeve. 

15 DITË AFAT

“Të caktohet data e Asamblesë së Jashtëzakonshme brenda 15 ditë nga presidendi Duka për mbledhjen e dhe për zgjidhjen përfundimtare të krizës me FIFA-n e UEFA-n për pezullimin e Shqipërisë, përndryshe do të vazhdojmë bojkotimin e kampionatit”, - tha pak para fillimit të mbledhjes Komitet Ekzekutiv-“Shtatë klubet rebele”, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, pasi kishte ratifikuar për herë të fundit edhe qëndrimin e përfaqësuesëve të gjashtë klubeve që shpallën të premten bojkotimin e kampionatit deri në shpalljen e datës së Asamblesë së Jashtëzakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit.

JO ME PRESION POLITIK

“Një mbledhje Asambleje në presion të politikës, për një ndryshim statuti nën urdhërat e ministrit nuk e shpejeton anëtarësimin e Shqipërisë në FIFA, por përkundrazi e largon më tepër”, - tha presidenti i FSHF-së, Armand Duka, gjatë debatit të gjatë të zhvilluar në selinë e federatës. “E para, ne do të tregonim një imazh të keq në sytë e opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar, që ne nuk jemi më të pavarur. Ministri (Pango) nuk dëshiron të miratojë një fjalë apo 15 të tilla, dhe sa hërë të dojë ai ne do të rrimë e do të ndryshojmë ato. E dyta, të gjithë jemi të bindur dhe të gjithë e dimë shumë se nuk duhet ta banalizojmë problemin me një togfjalësh, por duhet të që të kemi vërtet pavarësi”, - theksoi numri një i federatës.

SHTËPIA E PËRBASHKËT

“Nuk e kërkon presidenti, nuk e kërkon as Komiteti Ekzekutiv, por institucioni i Federatës Shqiptare të Futbollit, shtëpia jonë e pëbashkët. Nëse do të bëjmë veprime të tilla ne do të demostrojmë se nuk jemi të pavarur, por nuk do të bindim as FIFA-n e UEFA-n, që jemi të tillë. Do të demostrojmë që jemi një institucion shumë i varur”, - argumentoi bosi i FSHF-së përpara përfaqësueseve të klubeve. Të pranishëm ishin Fushaj i Vllaznisë, Bizhdili i Besës, Çërraga i Elbasanit, Ismaili i Shkumbinit, Tomori i Partizanit, Merlika i Kastriotit e disa orë më pas mbërriti edhe përfaqësuesi i Skëndërbeut. “Unë nuk mund të paguaj 500-600 mijë euro në vit për të luajtur me Trebeshinën, por secili nga ne paguan nga 40-50 mijë euro në muaj për të luajtur në Europë”, - tha presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili.

DIPLOMATI DUKA

I mësuar prej kohësh në koridoret e mëdha zvicerane, ku dhe luhet politika ndërkombëtare e futbollit botëror e atij europian, Duka bën diplomatin dhe sfiduesin: “Personalisht jam i gatshëm të zbatoj çdo nen të statutit të FSHF-së. Nëse ai parashikon mbledhje të Asamblesë të Jashtëzakonshme jam i gatshëm ta thërras, nëse parashikon ndryshime nenesh apo rregulloresh jam i gatshëm. Ta dini mirë, nuk më tremb kjo gjë. Jam i predispozuar ta bëj këtë, por nuk mund të ndërmarr veprime që nuk kanë të bëjnë as me futbollin e luajtur. Të jeni të bindur se nuk do ta ndrushojë asnjë togfjalësh pavarësinë apo varësinë tonë”. Edhe një këshillë prej një njeriu gjakftohtë dhe tipike biznesmeni (për ndryshim çmimi tregu): “Unë u këshilloj të rishikoni edhe njëherë qëndrimin tuaj. Në qoftë se ne kemi detyra nga FIFA për t’i zbatuar le t’i përmbushim”.

KU QËNDRON E KEQJA?

Kreu i FSHF-së drejton prej pesë vjetësh (nga 2003) shtëpinë e futbollit shqiptar. “Unë mendoj se e keqja te mënyra jonë e drejtimit të gabuar, por ajo qëndron gjetiu. Nëse doni ta thellojmë të keqen, është mënyra më e gabuar”. Duka, si një zyrtar që është mësuar me ligjet (ekonomist me profesion), kërkon respektimin e shtetit. “Nëse ministri (Pango) nuk bindet nga argumetat tona, atëherë kemi ne detyrë të mbledhim komunitetin tonë, të bëjmë maksimalen që ta bindim atë. Unë nuk shoh se keni nevojë të sqaroheni se ju jeni të tillë. Ju doni ta dhunoni këtë institucion dhe nuk mund ta bëni këtë në mënyrë individuale. Do të dhunoni veten tuaj, futbollin tuaj.

Komentet