Kërkesa ultimative për Europën, dhënë nga presidenti Valter Fushaj, ka “shkundur” kuqeblutë, të cilët menjëherë kanë filluar nga puna për ndryshimin e situatës. Përveç një ndryshimi të dukshëm në mobilizimin e të gjithëve për të kryer në masën më të mirë detyrat e dhëna nga stafi teknik, ajo që vihet re është tendenca e malaziasit të pankinës shkodrane për të lëvizur diçka edhe në aspektin taktik, si dhe të vendosjes së lojtarëve në fushën e lojës. Seanca e djeshme ka zbuluar disa prej projekteve që Deda ka menduar t’i zbatojë në ditët në vazhdim. Tekniku ka eksperimentuar në një minutazh të shkurtër, përmes ballafaqimit të të dy formacioneve në fushë. Pavarësisht se nuk ka ndryshim në emra, spostimet në role janë të prekshme. Kështu, Lici, nga e majta e mesfushës, ka kaluar në anën tjetër, në të djathtë, edhe pse në fakt shquhet si mëngjërash. Në vend të tij mendohet të luajë Kotrri, që do të ketë më prapa Elvin Beqirin. Ndërkohë, veterani Osja, pasi ka kaluar eksperimentimin në disa ndeshje radhazi në krahun e djathtë, tani i është rikthyer pozicionit të tij dikurshëm në qëndër të mesfushës, zonë të cilën do ta administrojë së bashku me Hotin djathtas dhe Kapajn majtas. Ky i fundit, befasisht dje, i është rikthyer normalitetit, duke kryer nj- seancë të plotë me grupin. Vija e parë nuk duket të jetë prekur nga projekti i ri i Haxhiosmanoviçit: në të janë parë Sinani-Kaçi.
Nga e gjithë kjo, Deda kërkon që në kryeqytet, përballë bardhebluve të Tiranës, të prezantohet ndryshe, pse jo të marrë rezultatin e dëshiruar në kampionat. Njëherësh t’i japë një “mesazh të drejtpërdrejtë” kësaj skuadre, që në përqindjen më të madhe pritet të jetë përballë saj në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Edhe pse një vendosje e tillë është eksperimentuar me tepër seriozitet në një tip ndeshjeje kontrolli, që Deda e ka për zakon ta zhvillojë shpesh në pjesën e fundit të seancës, ajo nuk mund të merret krejt e mirëqenë, pasi deri në ditën e përballjes të së shtunës, mund të ketë edhe surpriza të tjera. Eksperimenti sapo ka filluar.

Lika - Sukaj, dyshja që s’premton të jetë

Pritej që edhe dje shqetësimi kryesor të ishte tiranasi Kapaj, por krejt papritur Marengleni ka lënë krevatin dhe ka marrë përsipër të jetë “i barabartë” me të tjerët në fushën e stervitjes. Madje, jo vetëm aq, por duke e bindur Haxhiosmanoviçin ta projektojë në njëmbëdhjetëshen e parë, gjë e cila, edhe kur ka qenë në rregull me shëndetin i ka munguar në periudhën e ardhjes së Dedës në krye të skuadrës. Por, shqetësimi ka dalë diku tjetër: dyshja Lika-Sukaj i rikthehet problemeve që kishin shfaqur edhe një javë më parë. Për t’u theksuar është fakti se që të dy kanë qënë prezent në ditën e parë stërvitore të javës, ndërkohë që dje janë evidentuar si të pa gatshëm për transfertën e kësaj jave me bardheblutë kryeqytetas. Lika, në pamundësi për të përballuar ngarkesën e grupit, ka kërkuar mirëkuptimin e stafit teknik për të qenë i veçuar, duke kryer vetëm vrapime të lehta rreth fushës së stërvitjes. Ndërsa Sukaj nuk është paraqitur fare në stërvitje. Madje, u tha se mund të ketë udhëtuar drejt Podgoricës për t’i bërë një kontroll kaviljes së dëmtuar ditë më parë. Në të tilla situata, Deda duket se ia ka vënë “vizën” që të dyve (të paktën për momentin) për t’i pasur në dispozicion të ballafaqimit të fundjavës.


Komentet