Humbja e thellë në transfertën ndaj Tiranës, të shtunën e kaluar, ka krijuar një klimë aspak të mirë në mjedisin sportiv të qytetit verior. E njëjta situatë shfaqet edhe në kampin kuqeblu, si në skuadër, ashtu dhe te drejtuesit e klubit Vllaznia, të cilëve mesa duket akoma nuk u ka kaluar goditja e rëndë, që morën nga Tirana. Edhe në seancën e djeshme stërvitore është ndjerë jo pak pesha e humbjes, kur futbollistët janë rreshtuar të zymtë përpara stafit teknik, në fushën sportive të Shtojit. Siç ndodh zakonisht në të tilla raste, asnjëri nuk e ka për qejf të flasë me gazetarët, megjithatë kemi mundur të shkëpusim një prononcim prej sulmuesit Xhehahir Sukaj.

“Ishte një turp!”

Xhevoja është futur drejtpërdrejt e në temë, duke bërë një analizë të asaj, që skuadra shkodrane paraqiti në përballjen me Tiranën. “Nuk di ç’të them, vetëm se ishte një turp për të gjithë ne, që ishim në fushën e lojës”, thotë Sukaj, duke përfshirë edhe veten, megjithëse ai ishte autor i të vetmit gol, që shënoi Vllaznia në këtë ndeshje. Sipas sulmuesit shkodran, i cili në fakt ka sakrifikuar jo pak për të qenë pjesëtar i formacionit në këtë ndeshje, pasi ishte i dëmtuar në kavilje, lojtarët titullarë ishin jashtë forme dhe gjatë ndeshjes nuk bënë asnjë gjë të mirë për skuadrën. “Në këto kushte, Tirana përfitoi dhe dominoi në të gjitha drejtimet, pasi ne ishim në ditë të zezë”. Pa dashur t’i japë shumë vend, sepse sipas tij kjo humbje nuk ka asnjë justifikim, Sukaj thotë se edhe fati, në një farë mënyre, nuk ka qenë me Vllazninë. Sipas tij, nëse do të ishin realizuar rastet dhe topi do të kishte përfunduar gol, kur është goditur shtylla, ndërsa Tirana udhëhiqte vetëm me një gol, rezultati mund të barazohej dhe Vllaznia nuk do të ishte aq konfuze në fushën e lojës. “Megjithatë, futbolli i njeh edhe këto rezultate”, thotë Sukaj, i cili kujton se një fat i tillë i ndoqi tiranasit tre muaj më parë në Shkodër, kur Vllaznia fitoi thellësisht 4-1.

Vendi i tretë, përsëri në fuqi

Xhevahir Sukaj, 21-vjeçari i cilësuar si një ndër lojtarët më të rëndësiëshëm të formacionit kuqeblu, shprehet optimist për vendin e tretë. Edhe pse raportet në renditje kanë ndryshuar në disfavor të Vllaznisë, për Sukajn asgjë nuk ka mbaruar në lidhje me pretendimet për të marrë vendin e tretë në kampionat. “Mos harroni se kemi dy ndeshje radhazi brenda, njëra me rivalen direkte, Besën, dhe tjetrën me Skenderbeun modest, në të cilat ne do të përpiqemi të marrim gjashtë pikë, që mund të na ngrejnë sërish në atë pozicion”, thotë Sukaj.

Dinamo, vlerësim maksimal

Për Sukajn, por edhe për të gjithë skuadrën, ndeshja e nesërme përballë Dinamos, në gjysmëfinalen e kupës, nuk do të jetë thjesht një shëtitje. Në vazhdim të prononcimit të tij për “Sport Ekspres”, sulmuesi shkodran thekson seriozitetin që do të tregojë Vllaznia në këtë ndeshje. “Pavarësisht se çfarë planesh do të ketë Dinamo, skuadra e jonë e ka vlerësuar edhe këtë ndeshje, që duhet kaluar me sukses. Kemi fituar thellësisht (4-0) në ndeshjen e parë dhe normalisht që duhet të jemi më të qetë për kalimin në finale. Megjithatë, futbollit nuk i dihet, mjafton të kujtojmë humbjen tonë të fundit me Tiranën. Pasi ta kalojmë këtë ndeshje e të sigurojmë kualifikimin, atëherë do të mendojmë për finalen, që do të kërkojë një trajtim krejt tjetër në të gjitha drejtimet. Finalja luhet vetëm me një ndeshje dhe ajo ka sekretet e veta në fushën e lojës”, ka përfunduar prononcimin Sukaj.

Komentet