Nuk ka zgjatur shumë dhe, pa u mbyllur java, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ka vendosur për drejtuesin e ri të pankinës shkodrane. Ai është i shumëpërfoluri Agim Canaj, një preferencë e kahershme e kampit shkodran dhe personalisht e Fushajt. Kësisoj, ka rënë poshtë automatikisht kandidatura e malaziasit Dervish Haxhiosmanoviç, me të cilin nuk u realizua takimi i tretë, sikurse ishte thënë. Në fakt, dukej qartë se marrëdhëniet Fushaj-Haxhiosmanoviç ishin mbyllur që në mbrëmjen e së enjtes, kur bisedimet mes tyre nuk kanë qenë frytdhënëse. Megjithatë, gjatë prezantimit të trajnerit të ri, Fushaj nuk ka munguar të flasë me respekt e të vlerësojë punën e bërë në krye të Vllaznisë nga Dervish Haxhiosmanoviç.

Optimizmi i presidentit

Nuk ishte e vështirë ta kuptoje kënaqësinë e presidentit shkodran, për vendimin, kur ka vendosur në drejtimin e skuadrës, që ai financon, një nga trajnerët e njohur dhe mjaft punëtorë të kampionatit shqiptar, vlonjatin Agim Canaj, karriera e të cilit me uniformën blu të Dinamos është e mbushur me trofe si futbollist, por edhe si trajner. Fushaj është shprehur optimist se me Canajn në pankinë, Vllaznia do të jetë dinjitoze dhe do të synojë të fitojë trofetë kryesorë të futbollit shqiptar. “Unë e falënderoj trajnerin Agim Canaj që pranoi të jetë pjesë e Vllaznisë, pasi ai ka pasë edhe disa oferta të tjera. Ne kemi qenë në kontakt me të edhe përpara disa muajsh, por për arsye të ndryshme atëherë nuk u vendos, ndërsa tani jam shumë i gëzuar që i erdhi dita të drejtojë Vllazninë”, është treguar entuziast presidenti Fushaj. “Canaj i ka të gjitha mundësitë të drejtojë mjaft mirë Vllazninë, sepse e njeh skuadrën tonë, po ashtu edhe kampionatin shqiptar”, ka theksuar presidenti Fushaj, ndërkohë që ka bërë të ditur se kontrata e firmosur mes tyre është me afat njëvjeçar, duke nisur me përgatitjet për ndeshjet e Kupës UEFA. Duke dashur të bëjë një krahasim mes dy kandidaturave, Haxhiosmanoviçit dhe Canajt, Fushaj ka thënë se “Dervishi, që duhet falënderuar për punën e bërë, e njeh shumë pak kampionatin shqiptar. Por Vllaznia ka nevojë për përforcime nga merkatoja verore me lojtarë nga kampionati shqiptar, prandaj kam më tepër besim te Canaj, edhe për faktin se ishte ai që ndërtoi Dinamon e këtij sezoni, e cila fitoi titullin kampion”. Presidenti i ka mëshuar edhe faktit se me Canajn do të jetë më komod edhe komunikimi me lojtarët, çka për të është një faktor i rëndësishëm. Jo vetëm kaq, sepse Fushaj ka shtuar se “një tjetër arsye, që më shtyu të vendos për të emëruar Canajn në krye të Vllaznisë, ishte fakti që, në bazë të një konsultimi me specialistët e futbollit, rezultoi se Canaj ka më tepër vlera në aspektin taktiko-teknik se Dervishi”.

Canaj: Do ta justifikoj

Pas hedhjes së firmës në kontratë, trajneri i ri i Vllaznisë, Agim Canaj, ka falënderuar presidencën shkodrane për besimin që treguan ndaj tij, duke i besuar drejtimin e një skuadre, e cila ka pretendime e ambicie për të qenë në epiqendrën e elitës së futboolit shqiptar. Canaj ka siguruar se “me punë, seriozitet dhe përkushtim, do të përpiqemi t’ia arrijmë qëllimit për të ndërtuar vllazninë pretendente. Tekniku ka shpjeguar se atij nuk i ka pëlqyer ta merrte skuadrën në mes të rrugës, ndaj tani ndien përgjegjësinë e plotë për të ardhmen e Vllaznisë. Canaj është shprehur optimist se do të arrijnë të përmbushin dëshirat dhe kërkesat e presidencës, por edhe të tifozerisë shkodrane, duke filluar nga Kupa UEFA, ku objektivi është të paktën kalimi i një turi, për të vazhduar në sezonin e ri me fitimin e titullit kampion. Trajneri i ri ka bërë të ditur se do të vazhdojë të punojë me stafin teknik ekzistues. Duke folur për ndërtimin e Vllaznisë së re, Canaj ka thënë se i duhet të ketë në dispozicion disa ditë, që të mendojë më qetësisht, por edhe për të kontaktuar “kokë më kokë” me secilin prej futbollistëve, që mbyllën sezonin me uniformën kuqeblu. “Dëshira e ime është që të flas më mirë në fushën e stërvitjes dhe atë të lojës, së bashku me futbollistët, që do të kemë në dispozicion”, ka përfunduar për “Sport Ekspres” trajneri i ri i Vllaznisë, Agim Canaj.

Komentet