“Moti i mirë shikohet nadje”, thotë një fjalë e urtë popullore në Shkodër. Dhe kjo duket se i shkon për bukuri ndërtimit të Vllaznisë së re, punë që ka nisur për së mbari. Asnjëherë si tashti nuk është parë një interesim kaq i shpejtë për futjen në kohë në merkato. Për të avancuar në ndërtimin e skuadrës, nuk është se shkodranët janë të nxitur vetëm nga fakti i pjesëmarrjes në kupën UEFA, por edhe nga përvoja jo fort pozitive në sezonet e mëparshme. Kështu, ndryshe nga veprimet e vonuara të viteve të kaluara, këtë herë tregu është duke u pulsuar më shpejt dhe në mënyrë më “agresive”, ndërsa edhe lojtarët, emrat e të cilëve janë vënë në “rreth” për t’u veshur kuqeblu, duket se janë shumë më të goditur. Njëri prej tyre është edhe tiranasi Sina, i konfirmuar për të qenë pjesë e Vllaznisë. Në fakt, së bashku me të në listë kanë qenë edhe “ish”-ët bardheblu, Vrapi e Klodian Duro, por ky i fundit, me kalimin në një skuadër qipriote bëri që emrit të tij t’i vihej “vizë”. Ndërsa për Vrapin, edhe pse për momentin nuk ka gjëra konkrete në avancimin e komunikimit me të, nga kampi shkodran thuhet se ai figuron në listën e merkatos, madje me besim se mund ta bëjnë pjesë të tyre.

Në skenë, Abraham dhe Daniel Xhafaj

Kuqebluve duket se u është shtuar shumë “oreksi” drejt “tavolinës” kryeqytetase. Pas Sinës, një tjetër ish-bardheblu ka shumë mundësi të përfundojë në radhët e Vllaznisë. Ky është Daniel Xhafaj, një emër i përhershëm në preferencën e kuqebluve për çdo sezon merkatoje. Dhe, nëse vitet e tjera tentativat kanë dështuar, këtë radhë gjasat janë që “peshku të bjerë në rrjetë”. Futbollistin në fjalë thuhet se e ka preferuar edhe trajneri Canaj, teksa, përveç vlerave të tij të padiskutueshme në vijën e sulmit, nëse do të vinte, do të çonte në dy numrin e “lebërve” te veriorët e Shkodrës, çka nuk mund të thuhet se s’do të ishte mirëpritur nga sportdashësit e kuqebluve. Por, përveç tij, një tjetër “mik” i teknikut Canaj, nigeriani Abraham, i cili jo pak ka qëndruar nën urdhërat e ish-teknikut blu, mund të përfundojë në kampin e skuadrës shkodrane. Të dy këta emra konfirmohen nga burimet pranë stafit të Vllaznisë, për të cilët thuhet se bisedat janë realizuar dhe, nëse do të flisnim me përqindje, atëherë mbi 80% ata janë kuqeblu. Gjithsesi, edhe pse stafi drejtues, me në krye zëvendëspresidentin Pjerin Fushaj, vazhdon të jetë tepër aktiv në drejtim të ndjekjes së ecurisë të merkatos, përsa i takon afrimit të këtyre dy futbollistëve, por edhe ë tjerëve që do të mësohen në ditët në vazhdim, gjithçka do të vendoset javën e ardhshme, kur në në Shkodër do të kthehet presidenti Valter Fushaj, pa firmën zyrtare të cilit nuk nënshkruhen kontratat.

Sport Ekspres

Komentet