Ish-tekniku malazez i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç, do të jetë përsëri pjesë e ekipit shkodran
edhe për këtë sezon. Pavarësisht se malazezit nuk iu dha një besim për të drejtuar ekipin shkodran për sezonin e ri si trajner i parë i saj, përsëri ai në sezonin e ardhshëm, do të jetë pjesë e rëndësishme e stafit të këtij ekipi. Dje pasdite është mësuar se malazezi do të jetë pranë ekipit që ka tanimë në zemrën e tij. Nga burime shumë të sigurta “Deda”, do të jetë në drejtim të specialistëve që do të merren me përzgjedhjen e elementit të ri pranë ekipit kuqeblu.
Pavarësisht se presidenti Fushaj nuk i ka dhënë teknikut që arriti të sjellë me ekipin e tij kupën pas 21 vitesh në Shkodër, besimin që të jetë në krye të tij, përsëri ai i ka afruar atij një post që ka lidhje direkt
me të ardhmen e këtij ekipi. Nga burime pranë ish-trajnerit, mësohet se ai do të jetë që sot në Shkodër, për të qenë një ndër trajnerët që do të merret me përzgjedhjen dhe seleksionimin e elementit të ri pranë ekipit kuqeblu. Ajo që duket është se drejtuesit ekipit shkodran po krijojnë një staf që kërkon të seleksionojë elementin e ri shkodran, i cili duhet thënë se në këtë qytet është me shumicë. Vetë vendosja në krye të këtij organizmi shumë të nevojshëm për këtë ekip, të një tekniku që nuk ka asnjë lidhje me këtë qytet, përveç dëshirës dhe tre titujve të fituar është tepër domethënëse. Drejtuesit e ekipi shkodran kërkojnë që të eliminojnë deri në maksimum çdo hatërmbetje që mund të sjellë një seleksionim nga drejtuesit e sportit të futbollit në këtë qytet. Vetë përzgjedhja e “Dedës” në krye të këtij organizmi duket se tregon edhe një herë se malazezi ka lënë një emër të mirë në këtë qytet, ashtu siç ka lënë shijet më të mira ky qytet tek vetë
malazezi, gjë që është shprehur shumë prej tij. Ndoshta atë që vetë tekniku i ekipit të parë të Vllaznisë, Canaj, e ka bërë para pak ditësh me elementin e ri, të njëjtën gjë do ta bëjë tani malazezi Dervish Haxhiosmanoviç, i cili do të kontribuojë për Vllazninë në një mënyrë tjetër, për t’i shërbyer me sa më
shumë elementë të rinj këtij ekipi. Pavarësisht se deri tani nuk ka asnjë lajm zyrtar, pranë ekipit kuqeblu po bëhen përpjekjet që të gjendet emri i drejtorit teknik të këtij ekipi, i cili duhet thënë se mungon prej
shumë kohësh. Një nga emrat më të përfolur për këtë post është tekniku aktual i U-17- vjeçarëve të Akademisë Vllaznia, z. Kujtim Shaba. Vizioni i Shabës dhe puna e tij që u kurorëzua me shpalljen kampion
pas shumë vitesh të ekipit të U-17-vjeçarëve e bënë Shabën, një nga kandidatët kryesorë të këtij ekipi për postin e drejtorit teknik.

Komentet