Një portier dhe një sulmues serb do të jenë në provë te kuqeblutë, priten të tjerë

Stërvitjet e ekipit shkodran për sezonin e ri futbollistik kanë nisur dje pasdite. Ajo që ka rënë në sy në dallim me sezonin e shkuar kanë qenë lëvizjet e shumta tek ajo. Janë larguar shumë lojtarë, ndërkohë që kanë ardhur të tjerë, të cilët kanë firmosur dhe të tjerë që do jenë në provë për disa ditë. Seanca e djeshme, e para pas përfundimit të aventurës europiane, është shoqëruar me disa të reja. Janë parë të jenë në këtë seancë përpara stafit drejtues edhe disa futbollistë të rinj. Ka rënë në sy Enkel Alikaj, blerja më e fundit e Vllaznisë. Lojtari ka firmosur ditët e fundit një kontratë njëvjeçare me kuqeblutë dhe për rrjedhojë dje ka zhvilluar seancën e parë me ta.

Përveç tij, kanë mbërritur dhe dy futbollistë serbë. Në fakt pritej të ishin dy sulmues, por ata që kanë qenë dje në stërvitje ishin një portier dhe një sulmues. Portieri quhej Millosh Tomaniç, 26 vjeç dhe 1.88 m i lartë. Karriera e tij ka qenë e përqendruar vazhdimisht në Serbi, teksa ka luajtur me ekipin OFk Beograd, më pas me Hajdukun dhe Mladi Radnik. Ndërkohë, sulmuesi quhej Dushan Popoviç. Ishte 28 vjeç dhe 1.84 m i gjatë. Gjatë karrierës së tij kishte luajtur me Timok Zajeçar pastaj me Admira Vaker në Austri, Volyn Lutsk në Ukrainë dhe së fundit me Modrica në Bosnjë.

Të dy ata do jenë në provë për disa ditë te skuadra shkodrane dhe në fund të kësaj prove do të jetë trajneri Lika ai që do të vendosë për ta. Përveç këtyre dy lojtarëve serbë, dje i pranishëm në stërvitjen e Vllaznisë ka qenë edhe një futbollist shqiptar që ka luajtur në ligat amatore të Italisë. Bëhet fjalë për Andi Demja, 23 vjeç, që luan si mesfushor i krahut të djathtë. Edhe ky futbollist do të jetë në provë për disa ditë dhe pas kësaj prove do të vendoset edhe për të. Skuadra shkodrane kësisoj ka filluar të plotësohet dhe gradualisht ky proces do të vijojë edhe në ditët në vazhdim.

Në seancën e djeshme kanë qenë prezent të gjithë futbollistët që kanë qenë të federuar në Ligën Europiane, me përjashtim të Bashiç. Ka qenë i pranishëm edhe Bala, një lojtar për të cilin u tha se do shkojë për disa ditë në provë në Turqi, por deri më tani, ai nuk është larguar. Stërvitja e Vllaznisë deri në fund të kësaj jave, mbase edhe në ndonjë ditë të javës tjetër, do të vazhdojë të zhvillohet në Shkodër.

Më pas drejtuesit e klubit kanë menduar ta dërgojnë diku jashtë vendit, por ende nuk është përcaktuar se ku. Janë duke u parë disa variante të mundshme dhe në ditët në vazhdim do përcaktohet kjo gjë. E rëndësishme është që stërvitjet e këtij ekipi kanë nisur me shumë të reja. Ardhjet e fundit në skuadër pritet ta forcojnë ndjeshëm atë, por megjithatë është ende herët për të folur për to. Në ditët në vazhdim do jetë mundësia më e mirë për t’i vëzhguar dhe për të thënë sesa do jenë të vlefshëm për Vllazninë.


Pritet një mbrojtës nga Mali i Zi

 

Në serinë e të ardhurve në merkaton kuqeblu pritet të shtohet edhe një tjetër mbrojtës nga Mali i Zi. Nuk jepen shumë detaje në lidhje me emrin e tij, por merret vesh se bëhet fjalë se një lojtar 23-vjeçar që luan në një nga skuadrat më të njohura të shtetit fqinj. Ai luan në qendër të repartit të mbrojtjes, por në rast nevoje edhe në krahun e djathtë të tij.

Në fakt ky lojtar duhej të kishte mbërritur dje në Shkodër për të nisur stërvitjen me ekipin, por nuk ka ndodhur kështu për një arsye. Vetë presidenti Fushaj nuk ka qenë dje në Shqipëri dhe si rrjedhojë është shtyrë për sot ardhja e mbrojtësit nga Mali i Zi, sepse ai pritet të firmosë menjëherë me Vllazninë. Të paktën kështu është thënë dje, ndërkohë që duhet pritur dita e sotme për të parë nëse do të konkretizohet firmosja e kësaj kontrate apo jo. Mbrojtësi që pritet të vijë mendohet të luajë në vend të Beqirit, gjithnjë duke e marrë të mirëqenë largimin e tij drejt Francës.

Komentet