Trajneri Roland Luçi nuk do të pranonte kurrsesi një rezultat tjetër veç fitores

Tashmë e ka kthyer në traditë të dalë para mediave dhe të flasë në lidhje me skuadrën që është duke drejtuar. Ndryshe nga ditët e para pas ardhjes së tij në Shqipëri, kur ndonjëherë kishte edhe probleme me gazetarët, Roland Luçi duket se tashmë është “shqiptarizuar” plotësisht. Jeta 19-vjeçare në Austri ka pasur ndikimin e vet. Ndërkohë, dje ka folur në lidhje me Vllazninë, përgatitjet e saj për ndeshjen e sotme me Shkumbinin dhe objektivin që do të ketë skuadra.

“Dy javët e përgatitjeve për këtë ndeshje jemi munduar t’i shfrytëzojmë në maksimum, sidomos në aspektin e përgatitjes fizike të sportistëve. Ndërprerja e kampionatit ka pasur të mirën e vet, por edhe të keqen, sepse nuk është normale të ndërpritet vetëm se 2 3 lojtarë janë të grumbulluar me ekipin kombëtar. Vllaznia është munduar të bëjë më të mirën gjatë kësaj periudhe dhe besoj se jemi gati për ndeshjen me Shkumbinin, të cilën mendoj se do ta kalojmë me sukses”, - shprehet Luçi. Por a do të jetë në gjendje skuadra shkodrane ta kalojë krizën aktuale ku ndodhet? Kjo është pyetja që shtrojnë të gjithë në këto momente; dhe Luçi e ka të qartë këtë gjë. Ndaj dhe është përgjigjur kështu:

“Besimi te fitorja ekziston, madje ai është i madh. Së bashku me skuadrën jemi munduar të bëjmë më të mirën gjatë kësaj periudhe dhe besoj se kthesa do të vijë. E respektojmë Shkumbinin edhe për renditjen aktuale që ka në tabelë, por ndërkohë ne na intereson më shumë suksesi ynë.” Epoka “Luçi” nis kështu, ndonëse atij nuk i pëlqen të etiketohet në këtë mënyrë, sepse ai punon së bashku me një staf të tërë. Por pyetjes nëse do të ketë emocione në takimin e sotëm, kur për herë të parë, që pas lënies së karrierës si sportist, do të përballet me tifozërinë shkodrane, ai do t’i përgjigjej: “Në këto momente nuk kam emocione, sepse vazhdoj të mendoj vetëm për punën me skuadrën.

Aq shumë jam marrë me këtë gjë këto ditë, saqë mund të them se nuk kam pasur kohë të vizitoj as të afërmit e mi. E rëndësishme është të vijë kthesa e Vllaznisë. Sa i takon emocioneve të mia, sigurisht që në ndeshje do të kem, por ndërkohë unë do t’u thoja diçka tifozëve shkodranë: Ata kur të vijnë në stadium, nuk duhet të na vënë para provës apo përgjegjësisë vetëm ne si staf dhe lojtarët. Tifozët tanë duhet të tregojnë se e duan Vllazninë edhe në këto momente të vështira, pasi kemi shumë nevojë për ta.” Në fund vjen edhe një lajm tjetër i mirë për tifozët. Skuadra e tyre shumë shpejt do të mundohet të luajë sërish futbollin e saj tradicional. U bë kohë që thuhet se ka humbur tradita e këtij futbolli.

Kjo ndoshta ka ardhur nga fakti që në radhët e saj ka pasur jo pak futbollistë “jabanxhinj” e po ashtu edhe trajnerë joshkodranë. Luçi ka nisur punën për ta rikthyer këtë gjë. Dhe po e bën në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa është konsultuar edhe me emra të mëdhenj të futbollit shkodran, të cilët kanë dhënë sygjerimet e tyre. Këtë e pranon edhe vetë trajneri i Vllaznisë, kur në fund ka thënë: “Jemi konsultuar dhe duhet të fillojmë të luajmë ashtu siç ka luajtur historikisht kjo skuadër. Nuk është normale që trajnerët e ardhur apo dhe futbollistët që kanë luajtur për këtë skuadër ta asimilojnë futbollin shkodran. Duhet që Vllaznia dhe historia e saj t’i bëjnë për vete ata, sepse vetëm kështu mund të ruhet dhe të çohet përpara ajo traditë dhe histori e bukur e krijuar në vite.”

s.shqiptar

Komentet