Formacioni: Kthehet Salihi, Junior pushim

Ketu ndodhet te gjithe ato tema, te cilat jane te vjetra apo ne te cilat nuk diskutohet.
Post Reply
Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Formacioni: Kthehet Salihi, Junior pushim

Post by Admin » Tue, 01 Feb 2005 , 14:27

Në stërvitjen e djeshme, trajneri Bici ka aplikuar një ndeshje kontrolli për 60 minuta. Në këtë lojë të zhvilluar, natyrisht që është parë edhe formacioni, me të cilin kuqeblutë do të përballen nesër me bardheblutë. Detyra e tyre kuptohet është shumë e vështirë. Mbi të gjitha, për të fituar dhe për të treguar se diferenca e pikëve në renditje nuk është ajo realja, që i ndan këto dy ekipe. Pastaj, edhe për t'i ndalur kryesuesit e kampionatit e për t'i dhënë më tepër bukuri kampionatit. Pastaj, fitorja për Vllazninë është edhe detyrë, sepse është takimi i tretë mes këtyre dy ekipeve në këtë sezon dhe deri më tani ata nuk kanë arritur të marrin asnjë pikë në ballafaqimet mes tyre. Përgjegjësia tek ata që do të luajnë do të jetë e madhe, sepse tifozëria shkodrane kërkon tripikëshin në këtë ndeshje. Nga ajo çfarë u pa në ndeshjen e djeshme të kontrollit, Salihi, pas kthimit nga Greqia, do të jetë sërish në formacion për të bërë punën e tij. Nga ana tjetër, ndërsa pritej që braziliani Junior, i sapoardhur te Vllaznia, të ishte menjëherë në formacion, sipas trajnerit Bici, nuk rezulton të ndodhë kështu. "Me aq sa e pamë në këtë ndeshje kontrolli, nuk mund të them se ai është gati të luajë që të mërkurën. Forma e tij e vërtetë nuk mund të shfaqej që sot, prandaj na duhet të presim të paktën një javë për të parë vlerat e tij të vërteta. Pastaj edhe terreni sot nuk ishte shumë i përshtatshëm për të parë mirë vlerat e lojtarëve. Megjithatë, e sigurt është që Juniori nuk do të jetë në formacion kundër Tiranës," - ka thënë trajneri i Vllaznisë. Duke qenë kështu, mbrojtja shkodrane edhe këtë herë do të jetë e ndërtuar me treshen Teli-Kraja-Alcani. Në mesfushë do të luajnë Lici në krahun e djathtë, Gjokoviç dhe Belisha në qendër dhe Salihi para tyre. Nga ana tjetër, në krahun e majtë nuk do të luajë si zakonisht Doçi, i cili gëzimin e golit ndaj Egnatias e ka shoqëruar edhe me marrjen e një kartoni të verdhë. Ky ishte i treti për të dhe për rrjedhojë nuk mund të luajë nesër. Në vend të tij, Bici duket se ka planifikuar Ahin. Ndërsa dyshja sulmuese do të jetë, si gjithnjë, e përbërë nga Sinani dhe Abilio. Përgjegjësia e të gjithëve, megjithatë, do të jetë shumë e madhe, sepse të mundësh kampionët nuk është e lehtë, por as e pamundur dhe për këtë Bici, edhe para stërvitjes së djeshme, u ka folur lojtarëve të tij, duke u thënë se nuk është çudi sikur Tirana të thyhet.

Post Reply