Shqiperi - Ukrahine 9shkurt 2005

Ketu ndodhet te gjithe ato tema, te cilat jane te vjetra apo ne te cilat nuk diskutohet.
Post Reply
futbollist
Tifoz nderi
Tifoz nderi
Posts: 523
Joined: Fri, 26 Nov 2004 , 23:37
Skuadra: Vllaznia, Bayern
Location: Rus-Maxharr

Shqiperi - Ukrahine 9shkurt 2005

Post by futbollist » Mon, 17 Jan 2005 , 21:05

Ndeshja e shume pritur Shqiperi - Ukrahine e cila do zhvillohet ne stadiumin Qemal Stafa te Tiranes do te transmetohet drejt per drejt ne oren 19:40 nga kanali satelitor gjerman DSF.


FORZA KOMBTARJA!
:::::::::::FORZA VLLAZNIA :::::::::::FORZA SHQIPERIA::::::::

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Wed, 19 Jan 2005 , 14:47

Kuqezinjtë, akomodimi në hotelin "Adriatik"

Ekipi kombëtar shqiptar, për sfidën e radhës me Ukrainën ka vendosur të ndërrojë vendqëndrimin. Kështu, shefi i sektorit të ekipeve kombëtare në FSHF, Besnik Çela, është shprehur dje se kombëtarja, për ndeshjen e 9 shkurtit, do të grumbullohet në hotelin "Adriatik" të Durrësit, duke u larguar nga hoteli i zakonshëm i kuqezinjve, "Dyrrahu". Grumbullimi i lojtarëve do të fillojë më 6 shkurt. Ndërkohë, stërvitjet do të zhvillohen në Durrës ose në Kavajë, gjithmonë në varësi të kushteve të stadiumeve. Të hënën, më 7 shkurt, pritet të zhvillohen 2 stërvitje, ndërsa të martën vetëm një stërvitje në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa". Po sipas shefit të sektorit të ekipeve kombëtare, tashmë janë dërguar 30 ftesa për ndeshjen me Ukrainën. Por vetëm 22 në fund do të jenë në listën e trajnerit Brigel për ndeshjen e 9 shkurtit. Nga ana tjetër, trajneri i kombëtares, Hans Peter Brigel, nga datat 31 janar 1 dhe 2 shkurt do të zhvillojë "zborin" e radhës me lojtarët e kampionatit shqiptar. Vetëm pas "zborit" pritet të dalë lista përfundimtare e atyre që do të jenë të gatshëm për Ukrainën. Për momentin, shqetësime janë dëmtimet e Hasit dhe Dallkut si dhe mungesat e Elvin dhe Ardit Beqirit.

vllaznia1919
ANTI TIRANSI
ANTI TIRANSI
Posts: 9630
Joined: Sat, 27 Nov 2004 , 01:13
Location: Italia

Post by vllaznia1919 » Thu, 27 Jan 2005 , 14:41

Brigeli, sytë te Vllaznia-Tirana

Afrimi i javës së 22-të të kampionatit shqiptar të futbolit duket se ka i modifikuar disi planet e trajnerit të kombëtares shqiptare, Hans Peter Brigel, në prag të sfidës me Ukrainën. Gjermani ka vendosur që të ndryshojë datën e "zborit" para ndeshjes me Ukrainën, pasi më 2 shkurt, që do të ishte dita e fundit e "zborit", do të luhet java e 4-t e fazës së tretë. Ky fakt është bërë dje publik nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kështu, në vend që "zbori" të zhvillohej më 31 janar, 1 dhe 2 shkurt, sektori i ekipeve kombëtare, me pëlqimin e trajnerit Hans Peter Brigel, e ka spostuar për datat 3, 4 dhe 5 shkurt. Gjermani, praktikisht me këto spostime të datave të zborit, grumbullimin për ndeshjen me Ukrainën do ta nisë që më 3 shkurt, ashtu si edhe ukrainasit, që po atë ditë fillojnë përgatitjet në Antalia të Turqisë. Ndryshimi i datave të "zborit" gjithsesi nuk i ka ndryshuar planet e trajnerit për mbërritjen e tij në Shqipëri. Gjermani do të jetë në Tiranë më 29 janar, i shoqëruar nga ndihmësit e tij, Aksel Ros dhe Akim Bulinger. Një ditë para fillimit të "zborit", gjermani ka planifikuar të shohë nga afër një ndeshje të kampionatit shqiptar. Burime zyrtare konfirmojnë se Brigeli ka zgjedhur për të ndjekur takimin Vllaznia-Tirana, i cili pritet të zhvillohet në stadiumin "Loro Boriçi". Për sa i përket listës së "zboristëve" dhe 22 lojtarëve që do të grumbullohen për ndeshjen me Ukrainën, burime zyrtare në federatë kanë konfirmuar se do të publikohen vetëm pas mbërritjes së gjermanit në Shqipëri. Siç është bërë e ditur edhe më parë, grumbullimi i lojtarëve që luajnë jashtë Shqipërisë pritet të fillojë më 6 janar. Ndryshime në datat e grumbullimit pritet të ketë edhe në kampin e ekipit Shpresa. Kështu, trajneri i kësaj përfaqësuese, Hasan Lika, ka konfirmuar që, me të gjitha gjasat, edhe kjo skuadër do të grumbullohet më shpejt. "Meqenëse kampionati u spostua, mendoj se edhe ne do të grumbullohemi më parë. Ndoshta që më datë 3 shkurt. Për sa i përket ekipit, mund të konfirmoj se deri tani nuk kemi ndonjë të dëmtuar. Shpresojmë që deri në ditën e ndeshjes të mos kemi ndonjë problem," - është shprehur dje trajneri i ekipit Shpresa, Hasan Lika. Ekipi i 21-vjeçarëve pritet të grumbullohet në Ulqin, ku do të zhvillojë përgatitjen për ndeshjen mes skuadrës sonë dhe asaj U-21 të Ukrainës, e cila do të zhvillohet më 8 shkurt në Shkodër, në stadiumin "Loro Boriçi.

Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Kombëtarja kuqezi pëson humbjen e dytë radhazi në shtëpi

Post by Admin » Fri, 11 Feb 2005 , 16:37

Kombëtarja kuqezi pëson humbjen e dytë radhazi në shtëpi, çka tregon se tashmë i jemi kthyer avazit të vjetër



Strategjia e Oleg Bllohinit triumfoi mbrëmë në "Qemal Stafa", në ndërkombëtarin tonë të veshur anekënd kuqezi. Ukraina duhet thënë se mundi "paqësisht", pa zhurmë e pa bujë kombëtaren shqiptare, me një Shevçenko që ngjasonte më shumë me një turist në fushë, i cili sikur kishte për qëllim të shuante dëshirat e shqiptarëve për të bërë foto me të dhe për t'u dhënë autografe, ndërkohë që kjo e fundit shënon humbjen e dytë radhazi në shtëpi. Diçka që jo vetëm shqetëson, por tregon se i jemi rikthyer avazit të vjetër.
Pas një gjysmorëshi lojë në zotërimin tonë, vjen e para zbritje e rrezikshme e miqve, të cilët fitojnë goditjen e parë nga këndi. Fatkeqësisht, por edhe për dobësi të rreshtimit në mbrojtjen kuqezi, topi i harkuar në zonën e Strakoshës nuk largohet dot nga tanët, por pushon në këmbët e një mbrojtësi ukrainas, që i ardhur në ndihmë të sulmit të tij, nuk e ka të vështirë ta dërgojë në rrjetë. Kjo do të ishte edhe goditja psikologjike për skuadrën tonë, që deri në ato momente po luante mjaft mirë dhe e zotëronte plotësisht mesfushën (mbase edhe ngaqë ukrainasit po prisnin në gjysmëfushën e tyre me forca të përqendruara).
Pjesa e dytë nis sërish në sulm për kuqezinjtë, ndërkohë që miqtë mendojnë më shumë të ruajnë golin e epërsisë dhe të kundërsulmojnë me anë të dy sulmuesve të tyre, Voronin dhe Shevçenko, që duhet thënë se nuk ishin në ditën e tyre më të mirë, ose më saktë nuk ishin rrezik serioz për mbrojtjen tonë. E kemi zhvendosur sërish lojën përpara, kemi krijuar edhe raste për gol (si ato të Canës), por jemi ndëshkuar si në rastin e golit të parë. "Vrasësit" e shpresës së kuqezinjve, për ta baraspeshuar rezultatin nuk kanë qenë as Shevçenko dhe as Voronin, prej të cilëve jemi druajtur aq shumë, por sërish një mbrojtës, i cili ka shfrytëzuar një goditje standarde. Mbrojtja jonë, tashmë e mbetur pa Çipin e dëmtuar, nuk është sa duket efikase në spastrimin e zonës së saj, kështu që miqtë shënojnë pa ndonjë vështirësi të madhe golin e dytë dhe të nokautit për tanët. Është minuta e 60-të e ndeshjes dhe gjërat rrokullisen për keq në skuadrën tonë. Trajneri Brigel mundohet të ndryshojë diçka, por është vonë. Bën dy ndërrime në sulm, ku Tare i dëmtuar ia lë vendin Bogdanit, ndërsa Bushi zëvendësohet nga Myrtaj, por sërish në finalizim vuajmë shumë. Në fakt, edhe pas golit të dytë të Ukrainës, kemi krijuar disa raste për shënim, sidomos me anë të Bogdanit dhe Skelës, por goditja përfundimtare, që mund të na çonte te goli, ka qenë tepër e dobët. Minutat kalojnë, ndërkohë që në radhët e futbollistëve tanë, veç konfuzionit psikologjik, si pasojë e dy golave të pësuar, vihen re edhe shenja të lodhjes fizike. Mundësia e vetme "e rëndë" për të shënuar golin e nderit ishte ajo e Skelës, i cili ekzekuton mjeshtërisht një goditje dënimi, por trau i portës ukrainase i thotë "jo" atij. Minutat ecin dhe gjyqtari anglez, Benet, vërshëllen, duke i dhënë të drejtë të gëzojë Ukrainës, që tashmë hedh një hap të sigurt drejt finaleve të Botërorit 2006. Ndërsa në kampin tonë, por edhe te trajneri Brigel, natyrshëm ka pllakosur hidhërimi. Ndeshja e mbrëmshme ka treguar se gjërat nuk shkojnë edhe aq mirë në kampin kuqezi. Nëse deri dje gjithçka i kanë mbuluar fitoret, të paktën në ndeshjet në shtëpi, humbja e dytë radhazi është shoqëruar edhe më pakënaqësi të ndonjë lojtari. Pra, sikurse duket, përtej trishtimit të një humbjeje me skuadrën e parë në grup, ajo çka e bën të pakapërdishme disfatën e mbrëmshme me Ukrainën është rënia e mitit të pathyeshmërisë së kuqezinjve para atij publiku të zjarrtë e të mrekullueshëm në "Qemal Stafa". Më shumë se te mungesat e rëndësishme, një nga arsyet e dështimit lypset ta kërkojmë edhe te forma sportive dhe mosaktivizimi sa duhet i disa lojtarëve në klubet ku luajnë. Rrjedhojat e tjera erdhën vetvetiu, sipas logjikës së ftohtë të zinxhirit shkak-pasojë. Nëse kishim gjëra që mund t'i parandalonim, por që s'e bëmë, pas ndeshjes së mbrëmshme, shumëkush mund të mendojë se po na shfaqet sërish "syri i keq". Edhe mundet. Megjithatë, nuk mendojmë se është vonë që të reflektojmë e të ndërrojmë diçka në "çelësin e punës". Duke nisur nga ndeshja me Greqinë në Athinë muajin tjetër. Sepse, pas këtij 90-minutëshi, feksja e zgjedhjeve "autentike" të trajnerit kuqezi, pas dështimit të dytë radhazi në shtëpi, ngjajnë tamam me shembjen e "kështjellës brigeliane". Që do të thotë se edhe pse matematikisht jemi në lojë, ëndrra për të na dërguar si finalistë në botërorin që do të zhvillohet vitin tjetër në atdheun e tij, mbeti sërish në sirtar. Ukraina në Tiranë bëri pak shaka dhe mori tri pikë!

Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Protagonistët e ndeshjes së mbrëmshme shprehen

Post by Admin » Fri, 11 Feb 2005 , 16:39

Protagonistët e ndeshjes së mbrëmshme shprehen
Kuqezinjtë: Gabuam në goditjet standarte



Foto Strakosha "Në pjesën e parë luajtëm mirë, ndërsa në pjesën e dytë keq. Na kujtuan vitet që pësonim gola me goditje standarde. Për sa i përket botërorit, dua të them se duhet të qetësohemi një herë nga kjo humbje. Jo sepse humbëm 3 pikë, por nga mënyra sesi u mundëm, na djeg të gjithëve. Asnjë nuk është i qetë në këto momente që flasim për të dalë në konkluzione. Ndonjëherë në futboll nuk fitojnë vetëm ata që e meritojnë. Ndoshta si ekip, si emër dhe si histori ata mund ta fitonin, por jo ndeshjen e sotme. Këtë fitore nuk e meritonin." Klodian Duro "Ne dhamë maksimumin në fushën e lojës dhe ishim në dispozicion të ekipit. Besoj se deri në momentet që pësuam golin e parë ishim mjaft mirë, ashtu siç e kishim menduar para takimit. Nuk mund të sulmonim një Ukrainë, e cila ka një kundërsulm shumë të rrezikshëm dhe më të mirin në grup. U ndëshkuam nga dy goditje standarde. Ky është futbolli. Sot ishte radha e Ukrainës, edhe pse dhamë maksimumin në fushën e lojës." Lorik Cana "Ishte një humbje vërtet zhgënjyese. Më vjen keq që këtë herë dolëm të humbur nga stadiumi, ku patëm edhe përkrahjen e fuqishme të tifozerisë. Loja ka qenë e barabartë, prandaj them se meritonim të paktën një barazim. Kundërshtari ka luajtur shumë mirë në mbrojtje. Fitorja atyre u erdhi më shumë prej fatit sesa për lojën që zhvilluan në fushë. Ukraina nuk shënoi për shkak të presingut, por ngaqë shfrytëzoi mirë goditjet e këndit. Megjithatë, kjo humbje na ka prishur punë. Tani, pas këtij takimi, na mbetet të mendojmë për ndeshjet e tjera. Unë them se ëndrra nuk është mbyllur pas humbjes me Ukrainën. Shqipëria ka akoma shanse, sepse deri në fund janë edhe 7 ndeshje të tjera. Pra, nëse rikuperojmë diçka në takimin e ardhshëm, mund të ngjitemi në tabelë." Alban Bushi "U ndëshkuam rëndë. Për fat të keq, kjo humbje erdhi nga dy goditje standarte e jo nga loja e mirë e kundërshtarit. Ukraina nuk luajti më mirë se Shqipëria. Përkundrazi, ekipi ynë zhvilloi më shumë volum loje. Por futbolli i parashikon të gjitha. Ne bëmë përpjekjet më të mëdha, ata na ndëshkuan nga dy goditje të papritura. Goli i parë erdhi në fund të pjesës së parë, duke na dhënë një goditje të rëndë. Jam vërtet i dëshpëruar nga kjo humbje, sepse e meritonim qoftë edhe një gol në fund të fundit." Altin Lala "Na ndëshkoi fati. Pësuam dy gola nga goditjet standarte. Goli i parë e theu pak ekipin tonë në lojën sulmuese. Edhe terreni jo shumë i mirë ndikoi në lojën tonë, duke qenë se Shqipëria ishte më ngulmuese në sulm. Ukraina u mbyll në mbrojtje, pasi shënoi një gol nga këndi dhe për pasojë fusha i erdhi disi në ndihmë. Një faktor tjetër ishin mungesat e disa lojtarëve. Megjithatë, ne humbëm vetëm një ndeshje futbolli. Shqipëria duhet të fitojë në të ardhmen, sepse ka edhe shumë takime të tjera. Të gjithë lojtarët kanë dhënë për Shqipërinë. Tani mendoj se duhet të japim maksimumin në takimet e mbetura." Adrian Aliaj "Jam i lumtur që i jam rikthyer formacionit të parë, sepse kam disa kohë që nuk luaj. Megjithatë, më vjen keq që jam rikthyer me një humbje të tillë. Ne kishim mundësi për më shumë. Ukraina nuk e bëri diferencën me Shevçenkon dhe Voroninin, siç pretendohej para ndeshjes. Ata luajtën një futboll kryesisht kompakt, madje me karakter mbrojtës. Golat erdhën nga goditjet standarte dhe jo për meritë të ndonjë lojtari të veçantë. Ne sot vuajtëm edhe mungesat e disa lojtarëve titullarë. Për shembull, mungesa e Hasit, një lojtar me eksperiencë, na dëmtoi shumë." Altin Haxhi "Sot kemi humbur një ndeshje nga goditjet standarte. Këto ekipe e mëdha kështu e kanë. Shfrytëzojmë rastet në maksimum. Sot nuk kishim edhe fatin me vete. Normalisht, si rrjedhojë e kësaj humbëm edhe ndeshjen. Për sa i përket botërorit, them se ne në çdo ndeshje kemi hyrë për ta fituar. Edhe në takimin e sotëm, synimi ynë ishte fitorja. Kemi besoj edhe pak kohë në dispozicion për të rikuperuar këtë tripikësh që humbëm sot në fushën tonë. Çdo gjë është e mundshme. Gjithçka është në dorën tonë. Të shohim në të ardhmen." Armend Dallku "Kemi zhvilluar një ndeshje të mirë, edhe pse kemi humbur me rezultatin 2-0. Gjithsesi, duke i lënë jashtë të gjitha, humbja ishte në anën tonë. U ndëshkuam nga dy gabime naive, njëri gjatë një goditjeje këndi dhe tjetri pas një goditjeje të dënimit. Gabimet nuk janë vetëm të një individi, por të të gjithë skuadrës, edhe pse dua të them se u munduam të luanim mirë në pjesën e parë. Për sa i përket debutimit me ekipin kombëtar, mendoj se nuk duhet të jem unë ai që duhet të jap një vlerësim. Publiku duhet ta bëjë një gjë të tillë." Erion Bogdani "Jam rikthyer në kombëtare me humbje. Me të vërtetë që më erdhi keq. Në më të shumtën e kohës ndeshjen e pashë nga stoli i rezervave. Ishte një takim i barabartë dhe mund të mbaronte fare mirë 0-0. Ata i shfrytëzuan mirë dy rastet sporadike që patën gjatë 90 minutave. Nuk bënë asgjë më tepër. Shënuan me dy lojtarë që u gjendën të lirë në zonën tonë dhe na ndëshkuan rëndë. Nuk di çfarë të them tjetër, por jam mërzitur për këtë humbje." Florian Myrtaj "Sot, kundër Ukrainës gabuam dy herë dhe u ndëshkuam po kaq nga lojtarët e saj. Pra, gabimet tona i shfrytëzoi shumë mirë kundërshtari, që i ndihmuar edhe nga fati shënoi dy gola. Që të dy golat ishin tepër të befasishëm për ekipin tonë. Për mua, nga loja që u zhvillua në fushë, kjo ndeshje duhej të ishte mbyllur në barazim pa gola, ashtu siç edhe nisi në fillim. E them këtë me bindje të plotë, sepse në përgjithësi loja ishte e barabartë, madje ekipi ynë ka qenë në presing gjatë të dyja pjesëve të këtij takimi. Nga ana tjetër, ishim të pafat, sepse rastet që krijuam nuk i shfrytëzuam mirë." Edvin Murati "Ishte një ndeshje pa fat për ne. Me të vërtetë gjynah. Ukraina me gjysmë shansi arrin të shënojë gol. Edhe ne kemi pasur rastet tona. Skela gjuan shtyllë, kemi luajtur mirë, por nuk fituam. Por kështu e ka futbolli, nuk fiton gjithmonë më i miri. Shpresojmë që të mos demoralizohemi nga kjo humbje e dytë rresht në shtëpi."

Admin
Webmaster
Webmaster
Posts: 5601
Joined: Wed, 24 Nov 2004 , 03:41
Skuadra: Vllaznia
Location: Loro Boriçi
Contact:

Vlerësime për protagonistët kuqezinj

Post by Admin » Fri, 11 Feb 2005 , 16:47

Vlerësime për protagonistët kuqezinj


"Skaner"

Foto Strakosha: Kapiteni veteran i kombëtares kuqezi nuk është se pati shumë punë gjatë ndeshjes së djeshme. Të dy golat e pësuar erdhën si rezultat i vendosjes së gabuar të mbrojtjes sonë dhe portieri Strakosha nuk mund të fajësohet, sepse në të dy rastet, lojtarët që shënuan u gjendën të lirë brenda zonës së 16-shes. Ndoshta portieri ynë mund të kishte bërë diçka më shumë, duke i udhëzuar më mirë lojtarët gjatë ekzekutimit të goditjeve standarte. Gjithsesi, humbja e djeshme nuk erdhi kurrsesi për fajin e tij.
Geri Çipi: Qendërsulmuesi shtatlartë i Tiranës dhe i kombëtares sonë ishte i saktë me ndërhyrjet e tij në shumicën e rasteve. Një pjesë e parë e mirë për të, por dëmtimi që pësoi nuk e la ta përfundonte ndeshjen. Për aq sa luajti u duk se ishte ai Çipi i zakonshëm i skuadrës sonë përfaqësuese. Por, me sa duket, mungesa e përgatitjes i shkakton dëmtime që nuk po e lënë rehat vlonjatin.
Armend Dallku: Debutimi i mbrojtësit kosovar që luan në kampionatin shqiptar me Elbasanin mund të quhet pa frikë i suksesshëm. Rasti i aktivizimit të mbrojtësit Dallku na kujton ndeshjen me Rusinë në Shkodër, ku Elvin Beqiri u afirmua si titullar. Ashtu siç u shpreh trajneri i kombëtares sonë, Hans Peter Brigel, Dallku luajti mirë 75 minuta, ndërkohë që në fundin e ndeshjes shfaqi shenja lodhjeje, që u reflektuan në pasimet dhe krosimet e gabuara. Megjithatë, mund të themi pa frikë se kemi fituar një lojtar të rëndësishëm, i cili, pasi të ketë fituar përvojën e duhur, mund t'i shërbejë së tepërmi skuadrës sonë.
Adrian Aliaj: Jemi mësuar ta shohim shpesh emrin e tij në listën e golashënuesve të ekipit tonë, por këtë radhë, ndonëse e provoi disa herë, nuk arriti ta mposhtte portierin Shovkovskij me të majtën e tij potente. I rëndësishëm edhe në fazën mbrojtëse, por më parë duhet të themi se mbrojtësi i Oberhauzenit në kampionatin gjerman nuk kishte në 100% të mundësive të tij, për shkak të dëmtimit që kishte pësuar. Vetëm në momentet e fundit u vendos për aktivizimin e tij, kështu që nuk mund të prisnim më shumë nga Aliaj.
Altin Haxhi: Trajneri Brigel kishte deklaruar se Haxhi do të ishte një titullar i padiskutueshëm dhe aktivizimi i Aliajt e kaloi gjirokastritin në mesfushë. Një pjesë e parë mjaft e mirë për këtë futbollist, që gëzon formë të mirë sportive, por minutat e fundit mbeti thuajse i izoluar në krahun e majtë. Për t'u admiruar teknika e tij e lartë.
Klodian Duro: Lojë konstante e mesfushorit elbasanas, por që asnjëherë nuk u ngrit në nivelin e duhur. Duhen përmendur një inkursion i bukur i këtij lojtari gjatë pjesës së parë, por do të kishte qenë më mirë nëse do të kishte pasuar saktë për Taren apo për Bushin. I dha më tepër ndihmë mbrojtjes, ndërkohë që harkimet në drejtim të zonës kundërshtare ishin të pakta dhe jo shumë të sakta.
Altin Lala: Si gjithmonë, një nga lojtarët më aktivë në mesfushën tonë, duke ndihmuar shumë mbrojtjen, por edhe duke organizuar në raste të caktuara manovrën sulmuese. Pjesa e parë shfaqi një Lalë mjaft punëtor dhe të saktë, por nuk ndodhi kështu në pjesën e dytë, kur shumë pasime të mesfushorit të Hanoverit, nuk shkonin në adresën e duhur.
Lorik Cana: Ndoshta më i miri në pjesën e parë. Gjithmonë në luftë për topin e parë, të cilin e fitoi në shumicën e dueleve me kundërshtarin. Përveç aftësive mbrojtëse, për të cilat mesfushori kosovar dallohet më tepër, në takimin e djeshëm u panë dhe shumë dalje të tijat në drejtim të sulmit. Pati një mundësi mjaft të mirë në pjesën e parë, por nuk gjeti shënjestrën e duhur. Provoi ta gjente kuadratin nga distanca edhe në pjesën e dytë, por pa rezultat.
Ervin Skela: Roli i tij është shumë i rëndësishëm në lojën e skuadrës tonë, pasi të gjitha aksionet sulmuese kalojnë nëpërmjet këmbëve të Skelës, që u përpoq të shërbente për dyshen Tare-Bushi. Ndoshta nuk ishte në ditën e tij më të mirë, por ishte me të vërtetë i pafat në rastin kur traversa e portës kundërshtare i mohoi golin mesfushorit vlonjat. Igli Tare: Ka zhvilluar lojën e tij të zakonshme, duke marrë pjesë në të gjitha dyluftimet ajrore për të ulur topin e parë. Ishte i suksesshëm në pjesën më të madhe të lojës, ndërkohë që dëmtimi i tij e detyroi trajnerin Brigel ta zëvendësonte. Mbetet një nga lojtarët kyç në lojën e skuadrës tonë, pasi shërben mirë për partnerin e tij të sulmit, por në takimin e djeshëm nuk mundi të merrej vesh dhe aq mirë me Bushin.
Alban Bushi: E filloi mirë ndeshjen dhe u duk se do të ishte rreziku kryesor për portën ukrainase, por më pas loja e tij u zbeh disi. Duhet të kishte qenë më i vëmendshëm në dy-tri raste, kur Tare e uli bukur topin brenda zonës, por golashënuesi më i mirë i kombëtares sonë nuk ishte në pozicionin e duhur. Në pjesën e dytë, edhe pse u përpoq me të gjitha mënyrat, nuk arriti t'i shpëtonte dot mbrojtjes vigjilente të Ukrainës.
Erion Bogdani: Me të vërtetë impresionues sulmuesi shtatlartë i Veronës gjatë minutave që u aktivizua. E kemi parë edhe më parë Bogdanin në kombëtaren tonë, por dje vërtetoi se gëzon një formë të shkëlqyer, e cila i lejon të pretendojë për të qenë titullar. U përpoq shumë për aq sa luajti, duke tentuar të shënojë si me gjuajtjet jashtë zonës, ashtu dhe me kokë. Ndoshta një vendosje tjetër taktike mund ta bëjë Bogdanin titullar.
Tefik Osmani: Luajti pak, por duket se e ka fituar dhe ai besimin e trajnerit të kombëtares sonë, i cili u shpreh i kënaqur nga paraqitja e tij. Ndoshta ishte një barrë e rëndë për të zëvendësimi i Geri Çipit në një moment kur loja fliste për kundërshtarin. Megjithatë, Osmani duket se është një mbrojtës që premton shumë për të ardhmen.
Florian Myrtaj: Vetëm pak minuta për sulmuesin vlonjat në fundin e takimit, që nuk i lejuan atij të rrezikonte asnjëherë portën e Ukrainës.

Post Reply